Anton Berisha për martesat në mes gjinisë së njëjtë: Pleqtë kanë thënë 'mos na provo Zot'

Ish- zëvendës ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Anton Berisha, i është referuar fjalëve të pleqve kur është pyetur për martesat në mes të gjinisë së njëjtë.

 “Kjo është një temë që po e qesin në rrafshet e ndryshme, pleqtë kanë thënë mos na provo Zot”, ka thënë ai në një intervistë për KALLXO.com.

Ndërsa, ai është deklaruar kundër bartjes së shamisë në shkolla.

Kandidati nga AAK tha se është për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit dhe shitjes së Telekomit të Kosovës.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të AAK-së, Anton Berisha:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me shty nëse bëheni Deputet?

Anton Berisha: Po, unë jam kandidu për Deputet si vazhdimësi e detyrave shtetërore që i kryej me dekada dhe ky kandidim është vazhdimësi e detyrimeve të mia. Duke qenë se detyrat e fundit kanë qenë Ambasador dhe Zëvendësministër i punëve të jashtme, këshilltar diplomatik i kryeministrit, atëherë unë do të fokusohem në aspektet e politikës së jashtme, të integrimeve Evropiane dhe veprimtarisë diplomatike.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin, a keni me vazhdu me qenë Deputet apo keni me kalu në ndonjë post tjetër?

Anton Berisha: Po siç e thashë, unë jam zyrtar shtetëror në vite dhe ne tash jemi praktikisht politikan dhe diplomat profesional dhe nuk është më çështje individuale se do të mbetesh Deputet apo do të merresh ndonjë detyrë të re, varet prej vet strukturës së re të qeverisë dhe prej vendimeve të strukturave domethënë në këtë rast prej Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por fokusi im si në kuvend, si në qeveri do të jetë në politikën e jashtme.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Anton Berisha: Tash kjo është lëmi më shumë e ekonomisë, të cilën ata e vlerësojnë, ne kemi bërë një program të detajizuar për ekonominë dhe unë besoj që duhet të ketë një balancim të taksave ashtu që edhe të ruhet mirëqenia në atë nivel së paku që është por edhe të mundësohet zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla, mendoj se kompanitë e mëdha duhet të tatimohen më shumë.

KALLXO.com: Cilat janë tre amandamentet e para që keni me i propozu?

Anton Berisha: Po, do të propozoj menjëherë ndryshimin e ligjit për shërbimin e jashtëm, kjo është jo amandamentim por komplet ndryshimin e ligjit sepse thashë si në kuvend, si në qoftë se vendos struktura për të udhëheq Ministrinë e Jashtme, ajo kërkon reformë të thellë e cila nuk mund të bëhet pa ndryshimin e ligjit.

KALLXO.com: Cilat janë tre problemet apo nevojat kryesore të komunës prej nga vini?

Anton Berisha: Unë nuk kam qenë shumë i kyçur në problematikat lokale por unë besoj që Peja ka nevojë për infrastrukturë, kompletim të infrastrukturës edhe është pajtohem pavarësisht cili model të zgjidhet që Peja dhe Dukagjini të ketë Autostradën e vetë që do të mundëson një rrjedhje më të lirshme në komunikacion sidomos kur po vijnë mërgimtarët tanë dhe po ashtu mendoj se Peja ka nevojë me i shfrytëzu resurset që i ka falë Zoti, domethënë bjeshkët e Rugovës dhe bjeshkët përreth të cilat janë të shkëlqyeshme dhe unë mendoj që aty duhet të investohet dhe të bëhet një zgjidhje e përshtatshme edhe për banorët atje por edhe për vet shtetin dhe njëkohësisht do të interesohem që të gjendet njëfarë modeli, ish dashtë së bashku me komunën prej qendrës që të stimulohen ndërmarrjet e vogla me iniciativa tash po e quajnë inovacione sido që ti quajmë por në mënyrë që entuziast por edhe njerëz të shkolluar të mblidhen 2-3 varësisht prej rastit më shumë edhe të krijojnë më shumë kompani të vogla dhe jam kundër kësaj logjike ekonomike të cilën  disa kompani e kanë gëlltitë krejt hapësirën ekonomike të Kosovës.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Anton Berisha: Jo, nuk besoj që veprimtaria ime lidhet me parti në kuptimin e ndërrimit. Unë jam i interesuar si një zyrtar shtetëror të jap kontributin në Institucione shtetërore dhe asnjëherë nuk kam qenë tepër i lidhur në strukturat e partisë edhe në kohën e Rugovës kam qenë bashkëpunëtor i tij por jo në struktura edhe tash në struktura jam them ashtu formalisht por jo ndonjë kontribuues i madh.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Anton Berisha: Absolutisht, në rast se ka ndonjë temë në të cilën unë kam gjykimin tim votoj edhe kundër grupit parlamentar.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar ka me ndje më shumë përkrahjen tuaj si Deputet?

Anton Berisha: Po unë kam një përvojë të gjatë sidomos prej 95-99 pastaj 99-2000 që kam punu me shtresa të varfëra, në fakt bashkëshortja më shumë ka qenë e kyçur dhe e kam prek mjerimin, varfërinë dhe e di se si është ajo jetë së paku e kam parë e kam përjetu. Mendoj që skemat sociale duhet të rregullohen edhe mos të kemi raste të tilla dhe sidomos ndoshta mund të jet pyetje më vonë por është shumë me rëndësi të krijojmë një sigurim shëndetësor, në mënyrë që së paku minimumin shtresat e varfëra por edhe të mesme të kenë një garancion shëndetësor së paku.

KALLXO.com: Cka do të bëni për përmirësimin e ajrit dhe ambientit në Kosovë?

Anton Berisha: Kjo është një temë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe me peshë. Kemi dy sisteme energjetike të them ashtu në të cilën ne jemi të pasur me qymyr dhe një variant tjetër ka të bëj me ujërat, duhet me gjetë njëfarë balanci mes këtyre që as mos me e dëmtu më tepër sesa duhet ambientin dhe as burimet ujore por të njëjtën kohë energjia është domosdoshmëri, duhet me shku një zgjidhje në bazë të standardeve më të reja cilado që të jetë zgjidhja të punohet sipas standardeve domethënë, unë i takoj edhe fushës së elektro teknikës dhe duhet me e bë një zgjidhje të kujdesshme sepse teknologjia ka arrit edhe me prodhimin me qymyr edhe në prodhimin me hidrocentrale me kriju filtrimin e nevojshëm të prodhimit, por ajo çka duhet me bë është një kujdes i rreptë, do të kujdesem për këtë në mënyrë të veçantë, një kujdes i rrept në fushën e auto mobilistikës, ku makinat të cilat nuk plotësojnë asnjë standard dhe të cilat ndotin shumë ajrin, ato duhet të vihet një kontroll e rrept po them e rrept në mënyrë që të mbrohet ambienti prej tyre dhe po ashtu ato duhen të varet sipas ndonjë fizibiliteti të komunave përkatëse të bëjnë ndonjë plan i cili i mundëson domethënë një shfrytëzim të komunikacionit i cili bën më pak ndotje.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Anton Berisha: Po e theksova unë, do të thotë në qoftë se punohet sipas standardeve në mënyrë të kujdesshme të bëhet sipas standardeve. Ne kemi edhe shtete Evropiane kanë termocentrale por duhet shumë kujdes.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Anton Berisha: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër përdorimit të qeseve të plastikës?

Anton Berisha: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër shitjes së Telekomit të Kosovës?

Anton Berisha: Për

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit?

Anton Berisha: Për

KALLXO.com: A jeni për apo kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë?

Anton Berisha: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër heqjes së tarifës me Serbinë?

Anton Berisha: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ndërtimit të Hidrocentraleve në lumenjët e Kosovës?

Anton Berisha: Thash, kujdesshëm edhe me termocentrale edhe me hidrocentrale.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër mbylljes së Universiteteve publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjensia e Akreditimit?

Anton Berisha: Në këtë pyetje s’mundem me për ose kundër se duhet së pari akreditimi me e rritë aftësinë e analizës së saj dhe varësisht se në qoftë se e arrin atë atëherë po jam për me i mbyll në qoftë se nuk plotësojnë kriteret e domosdoshme

KALLXO.com: A jeni për apo kundër monopolit në homologim?

Anton Berisha: Nuk jam për monopol.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër martesave të gjinisë së njejtë?

Anton Berisha: Kjo është një temë që po e qesin në rrafshet e ndryshme, pleqtë kanë thënë mos na provo Zot.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër bartjes së shamive në shkolla?

Anton Berisha: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër kuotës së Deputetëve nga diaspora?

Anton Berisha: Jam Për

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ri dizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Anton Berisha: Është një temë që nuk jam marr me të, nuk kam lidhje.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Anton Berisha: Unë jam për heqje normalisht, është e nënkuptueshme.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Anton Berisha: Shtabi e udhëheqë fushatën, unë nuk jam pjesë e shtabit edhe ne kemi autorizu do të thotë është struktura, sekretari ekzekutiv me statut kemi sekretarin ekzekutiv që është përgjegjës dhe thash unë jam i fokusuar në politikë të jashtme dhe jo me këto çështjet operacionale dhe teknike të partisë.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur keni me qenë Deputete apo Ministre?

Anton Berisha: Unë i kam kry 3 detyra, Zëvendësministër i jashtëm, përfaqësues diplomatik për Vatikanin dhe këshilltar diplomatik i Kryeministrit por e kam marrë një rrogë, iu kam kushtu komplet kësaj veprimtarie dhe nuk po ushtroj asnjë detyrë tjetër.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe qfarë pasurie keni?

Anton Berisha: Të hyrat mujore janë dikund nuk e di saktë me të thënë të drejtën,  dikun 1200-300 Euro paga dhe i kanë quajt mëditje por ato nuk janë mëditje ato janë shpenzime gjatë udhëtimit me të cilat unë personalisht kam dal në minus gjithmonë kështu që s’ka të ardhura tjera në ktë periudhë, thash unë i kam ndërpre të gjitha aktivitetet që i kam pas edhe me kompani ndërkombëtare edhe vendore edhe tjera edhe ju kam përkushtu komplet kësaj veprimtarie, sa i përket pasurisë ajo është e deklaruar në agjensionin ku ne si zyrtarë e kemi pas detyrim me vlerësu.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me bashkëshorten?

Anton Berisha: Tash me këtë ligjin edhe ashtu shitje blerjet janë me gruan kështu që edhe me dashtë s’mund të thuash që është e imja. Ne kemi punu, dytë jemi inxhinier në fazat e mëhershme dhe kryesisht është e përbashkët apo është krejt e përbashkët në fakt. E keni në emër tim ose të saj, proceduralisht nuk e di por kështu në veti e di që e kemi të përbashkët.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru në spital privat apo publik?

Anton Berisha: Publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni Deputete, nëse sëmureni?

Anton Berisha: Publik

KALLXO.com: Fëmijët tuaj, a janë në shkolla publike apo private?

Anton Berisha: Djali ka kryer studimet ndërsa vajzat janë në, vajza e madhe është në fund para diplomimit të fakultetit të mjekësisë, e dyta është në vit të gjashtë edhe e vogla është në fakultet juridik. Të triat janë në Universitetin Publik në Prishtinë.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të pa punë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që keni me marrë mandatin?

Anton Berisha: Unë punoj do të thotë në këtë kuptim, shoqja ka qenë në marrëdhënie pune, ndërsa fëmijët janë në studime do të thotë nuk, ta shohim, tash kjo mjekësia u bë si njëfarë rruge me shku në Gjermani a Austri, a në Zvicër ku e di unë, nuk muj me e parapa situatën në të ardhmen por nuk kam të punësuar në institucione publike shtetërore s’kam askënd.

KALLXO.com: Qysh keni me votu pëe fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet në qeverisje shtetërore?

Anton Berisha: Po tash mos të bëhem i mërzitshëm por duhet me qenë të kujdesshëm në këto tema të mëdha, nuk është bash e lehtë me dhënë një fjali kur ato kërkojnë studime të thella dhe analitike dhe një grup ekspertësh për me arrit vlerësimin se cila por ndoshta në këtë fazë është mirë mos me u ngut do të thotë qeveria me e marrë përgjegjësinë.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Anton Berisha: Unë thash që me pas ndonjë temë tepër të veçant që i prek principet e mia mund të votoj ashtu si e gjykoj, por në përgjithësi unë jam pjesë e strukturës dhe nuk jam i dijshëm në të gjitha temat kështu që kam me iu bashkëngjit grupit parlamentar, thash vetëm nëse ka ndonjë temë jashtëzakonisht që prek mendimin tim për shoqërinë, për njeriun, ndoshta edhe për ekonominë por vendimi në përgjithësi është edhe kulturë institucionale që me qenë pjesë e grupit.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti apo puna me të cilën ju keni me lënë gjurmë si Deputet?

Anton Berisha: Nuk di sa kam me lënë gjurmë por patjetër reformimin e Ministrisë së Jashtme dhe një luftë e pafund që krejt diplomacinë dhe politikën e jashtme me orientu në njohjen nga pesëshja Evropiane që për mendimin tim e zgjidh problemin e Kosovës.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Anton Berisha: Nuk e kam idenë, varet prej kontekstit.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti apo mandati?

Anton Berisha: Po varet, nëse jam në Kuvend atëherë duhet me gjithë ato struktura dhe njerëz të kategorive të ndryshme, të votuesve e tjera. Por nëse jam në qeveri, do të jem vetëm në qeveri në Ministri të Jashtme atëherë angazhimi do të jetë me ma pak mundësi me qytetarët. Edhe tash sa kam qenë Zëvendësministër për shkak të detyrimeve skam mujt me u marr as me qytetarët me të thënë të drejtën as me familje.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Anton Berisha: Po nuk e di cili është standardi, por unë mendoj që të gjitha makinat që nuk i plotësojnë  ( nuk kuptohet ) se ka edhe makina në vite por që janë të dëmtune dhe në minimum, do të thotë unë jam që sa më pak të jetë ajo periudhë, në mënyrë që ndotja se praktikisht makinat janë bërë ndotësit kryesor të ambientit.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i inicu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Anton Berisha: Thash, varësisht prej asaj në cilin komision do të jem, në cilat tema, është edhe kontekstuale do të thotë si zhvillohen ngjarjet por ajo çka mund ta them si përgjithësim është se çështja e punës së Deputetit nuk është të them hobi, ajo është punë me orar të plot edhe përtej orarit në mënyrë që të jesh aktual në temat e përgjithshme por edhe në temat specifike sektoriale që në qoftë se je pjesë e një komisioni, aty nënkuptohet që aty do të jesh gjithë kohën aktiv, domethënë jo vetëm kur të kap kamera dhe para kamerës në seanca apo në komision por të jesh në zyre edhe në aktivitet gjatë gjithë kohës, ajo është vend pune.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Anton Berisha: Nuk besoj që do të bij vetën në atë situatë me pas aktakuzë, nuk do ta lejoj vetën me ardh në atë gjendje.

A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse Kryeministri ka aktakuzë?

Anton Berisha: Në çfarë konteksti, sepse unë i takoj Aleancës dhe Kryeministri ka dhënë vet dorëheqje në rastin e aktakuzës pa pas nevojë me kërku. Në kuptimin e funksionimit të shtetit juridik, unë mendoj që çdo Kryeministër është i përgjegjshëm që kur ka një aktakuzë të tillë dhe aktakuzë merr një vendim të duhur pa pas nevojë, unë thash edhe për veti që në qoftë se e vij veten në atë situatë atëherë e shoh si dështim angazhimin tim.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Anton Berisha: Po thash jam pjesë e strukturës partiake të cilën nuk mundem me prish për shkak të konstulacionit por kur është punuar ligji për qeverinë kam qenë njëri ndër ata që jam pyetur për udhëzime për shkak të përvojës së gjatë që kam në Institucione dhe propozimi im ka qenë që të ket 12 Ministri si maksimum dhe në ato Ministri, 2 Zëvendësministra që hyjnë brenda dymbëdhjetëshit, pra ata të kenë edhe resore edhe të jen Zëvendëskryeministra, ky është propozimi im që e kam dhënë në punimin rrreth ligjit për qeverinë.

KALLXO.com: Sa Zëvendësministra duhet t’i ketë një Ministri?

Anton Berisha: Po unë mendoj që nuk mund të këtë më shumë se dy.

KALLXO.com: A keni me i votu për antarësim në borde të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore njerëz që nuk i plotësojn kushtet për emërim?

Anton Berisha: Jo, në asnjë mënyrë.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Anton Berisha: Unë jam vetëm anëtar i kryesisë dhe thash nuk jam i angazhuar në atë sektor dhe unë besoj që partia, kryetari, strukturat, nënkryetari e tjerë do të jen korekt në raport me detyrimet ligjore por edhe publike se ti nuk mund të marrësh përgjegjësinë shtetërore në qoftë se në atë partiake dështon me qenë pjesë e transparencës dhe e korrektësisë ndaj publikut.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet dhe faturat në Kuvend apo Ministri?

Anton Berisha: Kam me ja u lënë ekonomisteve me u marrë.