Angazhimi i Sami Kurteshi për kthimin e pensioneve nga Serbia

 Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi në intervistën dhënë për KALLXO.com ka thënë se kauza e tij si deputet do të jetë çështja e pensioneve.

Ai thotë se do të merret me pensionet në përgjithësi, ndërsa vëmendje të veçantë do t’i kushtoj edhe fondit të pensioneve që thotë se janë vjedhur nga Serbia.

Kurteshi që ka qenë deputet edhe në mandatin e kaluar e përjashton mundësinë që të ndërroj partinë. Mirëpo ai nuk e përjashton mundësinë që të votoj kundër qëndrimit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

I pyetur së nëse jep dorëheqje dhe nëse voton për rrëzimin e Qeverisë nëse kanë aktakuza, Kurteshi thotë se kjo nuk dihet.

“Në sistemin e tashëm të Drejtësisë jo, sepse aktakuzat ngritën nga prokurorë kriminel siç ka ngjarë kur kam qenë avokat i popullit”, tha Kurteshi për KALLXO.com

Kurteshi është deklaruar edhe kundër ndërtimit të autostradës së Dukagjinit.

Ish avokati i popullit është deklaruar kundër bartjes së shamisë në shkolla, ndërsa është deklaruar pro martesave në mes të gjinisë së njëjtë.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të LVV-së, Sami Kurteshi:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Sami Kurteshi: Ka disa kauza. E para ka me qenë çështja e pensioneve, në përgjithësi dhe në forma të veçanta, si kontribut dhënëse, pensioneve bazë dhe vjedhjes së fondit të pensioneve nga Serbia dhe kjo çështje duhet të ngritët në nivel qendror.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Sami Kurteshi: Kjo nuk varet nga unë. Unë me dëshirë do të isha deputet.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Sami Kurteshi: Nuk kam ndonjë pasqyrë shumë të qartë tash. Unë mendoj që gjithçka që ka të bëjë me artikujt bazë për popullsinë që është nën mesataren e të ardhurave në Kosovë, të gjitha taksat për të gjithë artikujt bazë do duhej të uleshin.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Sami Kurteshi: Meqenëse unë kam bërë me mijëra amendamente sepse kam qenë anëtar i komisionit për Legjislacion, është vështirë me i gjetë 3 amendamente sepse unë qysh tash kam me dhjetëra amendamente të gatshme, kështu që varet nga radhitja e ligjeve që mund të vijnë në seanca.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Sami Kurteshi: Rregullimi i arsimit, rregullimi i ujit të pijshëm, rregullimi i ujërave të zeza dhe ambientit.

KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?

Sami Kurteshi: Nuk mendoj se mund të bëhet fjalë për gjëra të tilla, për ndërrim të partisë

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Sami Kurteshi: Varet. Ne jemi parti demokratike dhe ka raste kur nuk votojmë njëjtë. Janë të rralla, por nuk duhet përjashtuar në një parti që synon të jetë demokratike.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Sami Kurteshi: Gratë, fëmijët, pensionistët. Mendoj të gjitha grupet e cenuara në shoqëri.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Sami Kurteshi: Do të vazhdoj të angazhohem si deri më tani.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Sami Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Sami Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Sami Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Sami Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Sami Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Sami Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Sami Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Sami Kurteshi: Në formën e tanishme, kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Sami Kurteshi: Është pyetje e vështirë, sepse kemi të bëjmë me njerëz. Nuk është pyetje që unë mund të përgjigjem me Për apo Kundër, sepse janë në pyetje disa mijëra studentë, fati i të cilëve pastaj nuk dihet. Edhe për fajin e politikës ata mbesin rrugëve.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Sami Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Sami Kurteshi: Nuk jam kundër të drejtave të njerëzve, që janë madhor në aspektin ligjor, fizik dhe në aspektin mendor.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Sami Kurteshi: Jam kundër bartjes së shamive në shkolla.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Sami Kurteshi: Jam për

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Sami Kurteshi: Jam për ridizajnimin e skemës

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbërt për diasporën?

Sami Kurteshi: Jam për heqjen e kartoni të gjelbër.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Sami Kurteshi: Askush. Unë shpenzoj shumë pak. Herën e kaluar nuk i kam shpenzuar mbi 650 euro.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Sami Kurteshi: 1 vend pune kam dhe 1 vend pune do ta kem.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Sami Kurteshi: Të hyrat janë nga Kuvendi, pasurinë nuk e di përmendësh.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nese jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Sami Kurteshi: Po, e kemi me gruan. Pjesët pas martesës janë me gruan, ka pjesë që i kam të përbashkët me familjen, me anëtarët e tjerë, vëllezërit posaçërisht.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Sami Kurteshi: Kurrë në spital privat.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Sami Kurteshi: Kurrë nuk kam shku diku tjetër. Vetëm në institucione publike.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Sami Kurteshi:  Kurrë s’kanë qenë në shkolla private e as në universitete private.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Sami Kurteshi: Të gjithë janë të papunësuar edhe unë nuk i punësoj. Ata punësohen vet nëse hapen vende të reja të punës.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Sami Kurteshi: Trepça është pasuri shtetërorë jo private.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Sami Kurteshi: Ka shumë. Kështu që nuk mund të them, sepse buxheti është çështje shumë e gjerë, por duhet të jetë buxhet zhvillimor.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?

Sami Kurteshi: Nuk mund të them, sepse nuk do të jetë çështje personale

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Sami Kurteshi: Është relative, unë mendoj se kam qenë ndër deputetët që ka shtru numrin më të madh të pyetjeve parlamentare, pro është relative.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Sami Kurteshi: Nuk është e mundur të thuhet me shifra, unë jam vazhdimisht në kontakt.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Sami Kurteshi: Unë mendoj se kufizimi I tashëm është në rregull, natyrisht mund të ketë arsye për dhe kundër, por unë mendoj që kufizimi 10 vjecar është në rregull.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?

Sami Kurteshi: Nuk varet nga unë, por unë jam që për çdo ligj të iniciohet dëgjimi publik

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritët aktakuzë?

Sami Kurteshi: Në sistemin e tashëm të Drejtësisë jo, sepse aktakuzat ngritën nga prokurorë kriminel siç ka ngjarë kur kam qenë avokat i popullit.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Sami Kurteshi: Nëse është aktakuzë, por jo e ngritur nga klanet kriminale brenda prokurorisë dhe gjyqësorit të sotëm.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Sami Kurteshi: Jo.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Sami Kurteshi: Jo mbi 1, edhe një është tepër.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Sami Kurteshi: Jo, kurrë.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Sami Kurteshi: Po, mendoj që janë por me çdo kusht.

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?

Sami Kurteshi: Vetëm ato që i fshehin njerëzit dhe institucionet me arsye krimanel, përndryshe cdo dokument, cdo faturë që harxhon paranë publike duhet të jetë transparente pa kurrfarë hezitimi.