‘Zvarritja’ e certifikimit të zgjedhjeve, heq presionin ndaj VV-së dhe LDK-së për koalicion

Ndonëse kanë kaluar tri javë prej kur Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në parim janë marrë vesh për fillim të bisedimeve për formimin e koalicionit qeverisës, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, këto dy subjekte politike në dy javët e fundit kanë zhvilluar vetëm dy takime.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit dhe rinumërimit të votave, përderisa certifikimi i rezultateve përfundimtare pritet të marr ende kohë, për t’i hapur rrugë më pas formimit të institucioneve të reja të vendit.

Lidhur më këto çështje, njohës të zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë, se mos certifikimi i zgjedhjeve heq presionin ndaj VV-së dhe LDK-së për të formuar koalicionin qeverisës, duke shtuar se këto subjekte politike po stopohen drejt një finalizimi të të marrëveshjes edhe për shkak të dallimeve të tyre programore.

Kurse, ish-anëtarë të KQZ-së thonë se certifikimi i zgjedhjeve nacionale të këtij viti, pritet të marrë kohë edhe për shkak të rinumërimeve, por edhe afateve kushtetuese.

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës “CiviKos”, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se në këtë fazë,  VV dhe LDK  kanë shumë pak presion për të formuar qeverinë.

“Mos certifikimi i rezultateve nga KQZ krijon hapësirë që të diskutohet më gjatë dhe hollësisht për të gjitha objektivat dhe prioritetet programore të partie politike. Megjithatë, ka raste që koalicionet pas zgjedhore kanë konsumuar deri në gjashtë muaj për t’u formuar (rasti i Gjermanisë), mirëpo Kosova nuk e ka këtë luks në aspektin kohor”, theksoi ajo.

Sa i përket takimeve, Emini shton se nuk do të thotë që këto dy parti nuk po punojnë në mënyrë intensive për të formuar koalicionin.

“Kjo sepse VV dhe LDK kanë diskutuar në detaje rreth programeve edhe para zgjedhjeve të 6 tetorit, andaj të dy partnerët potencial e dinë se ku qëndrojnë tashmë. Gjithsesi, është shumë pozitiv fakti që kësaj here po diskutohet për koalicion në nivel të grupeve eksperte punuese e jo nëpër vila të politikanëve ku janë diskutuar vetëm pozitat e jo prioritetet politike të vendit”, vlerëson Emini.

Pikëpamje më të ndryshme në anën tjetër, ka analisti politik Blerim Burjani, i cili thotë se LDK ende ka disa  tema që e pengojnë realisht të veprojë në mënyrë të sinqertë dhe politikisht jo hezituese.

“LDK nuk beson se do të ketë një program qeveritar plotësisht të harmonizuar dhe një veprim dhe koordinim politik në kohën e qeverisjes, e pengon qasja abstrakte e VV-së rreth disa temave një nga ato edhe dialogun si e sheh VV dhe taksën, pastaj angazhimet në reforma shtetërore tjera që duhet të ndodhin, pra LDK si e hamendur dhe jo me konkretësi sillet me VV, pret edhe certifikimin e rezultatit përfundimtar zgjedhor”, ka theksuar ai për Gazetën JnK.

Sipas Burajnit, ende nuk ka asgjë konkrete prej takimeve ndërmjet përfaqësuesve të këtyre dy partive politike.

“Prej pamjes se kush merr pjesë në këto takime fare nuk kane të bëjnë me ekspertë por me politikanë apo dashamir të liderëve politik, pra niveli është vetëm politik por jo konkret programor”, ka thënë ai.

Kurse, Donika Emini (CiviKos) shton se aspekti kohor nuk duhet të ketë peshë të madhe, por kualiteti dhe qëndrueshmëria e koalicionit dhe prioritetet për vendin, “kjo sidomos vlen për dialogun me Serbinë si sfida e parë e kësaj qeverie”.

Ndërkaq, Blerim Burajni thekson se dallimet programore LDK-VV janë thelbësore në kuptimin e qasjes për të gjitha temat.

“Pra këto bisedime nuk po zhvillohen në frymën e sinqertë ku së pari duhet të harmonizohen qëllimet politike të këtyre dy subjekteve për këtë mandat qeverisës e së dyti ndarja e resorëve ministror, e treta çështja e temave si dialogu me Serbinë”, ka shtuar ai për gazetën.

Sa i përket certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, ish-anëtari i KQZ-së, Florian Dushi thotë se ky  proces pritet të marrë kohë edhe disa ditë.

“Ndërkohë që e kemi edhe fazën e ankesave pasi të shpallen rezultatet përfundimtare deri në certifikim kur kandidatët kanë të drejtë të ushtrojnë ankesat e tyre në lidhje me rezultatin pastaj PZAP ka periudhën e vet kohore në të cilën duhet t’i shqyrtojë dhe të vendosë për këto ankesa”, ka thënë ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Dushi ka shtuar se arsyeja e zvarritjes së përfundimit të certifikimit të rezultateve, qëndron në rinumërimin e një numri të madh të kutive, për shkak të abuzimit me rezultatin e përshkruar në formular nga ana e komisionarëve nëpër vendvotime të ndryshme. Për këtë çështje, KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.

“Ky proces është zhvilluar pothuajse në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, ka pasur por jo në këto përmasa, sepse tash mund të them që kemi diçka të organizuar mirë nëpër vendvotime në kuptimin e vjedhjes së votave për kandidatët e ndryshëm dhe këto gjatë procesimit të materialit KQZ-ja i vëren prandaj i duhet që përmes rinumërimit t’i korrektojë”, ka shtuar ai për Gazetën JnK.

Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit më 6 tetor 2019, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj me 19 korrik të këtij viti.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve, pasuar nga LDK-ja dhe duke e renditur të tretën PDK-në.