ZRrE vendos ta shkyçë nga rrjeti hidrocentralin “Lumbardhi II”

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka vendosur që hidrocentrali ‘Lumbardhi II’ të shkyçet nga rrjeti i energjisë. Ky hidrocentral i ndërtuar nga kompania ‘Kelkos Energy’ deri më tash është kyçur në rrjetin e energjisë përkundër që nuk kishte marrëveshje me KOSTT-in.

Anëtarët e Bordit, Arsim Janova, Selman Hoti, Izet Rushiti dhe Besim Sejfijaj kanë vendosur njëzëri që ‘Lumbardhi II’ të shkyçet nga rrjeti.

U.D i kryesuesit të Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova ka deklaruar se pasi hidrocentrali “Lumbardhi II” ka operuar pa marrëveshje me KOSTT-in, ai do të shkyçet nga rrjeti.

“Propozimi është për shkyçje nga rrjeti deri më datën e kompletimin e dokumenteve të kërkuara. KOSTT i kryen procedurat për shkyçje nga rrjeti”, ka shtuar Janova.

Operimi i Lumbardhit pa leje është ngritur si çështje edhe në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

Në debatin “Lumbardhi në Gypa” të emisionit ‘Jeta në Kosovë’, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi premtoi se vetëm një ditë pas debatit do t`ia dërgojë Zyrës së Rregullatorit për Energji një shkresë më të cilën e informon që kompania “KelKos Energy” nuk i plotëson kushtet ligjore për të operuar me hidrocentralet në Lumbardh të Deçanit.

“Nesër do të dërgojë letrën në ZRrE më të gjitha informatat”, tha Matoshi.

Këtë premtim ministri Matoshi e ka mbajtur dhe ua ka dërguar shkresën ZRrE-së, përmes së cilës e ka njoftuar se “KelKos Energy” nuk i ka përfunduar të gjitha procedurat administrativo-ligjore pranë MMPH-së për projektin “Ndërtimi i Hidrocentraleve në Lumbardh të Deçanit” dhe si rrjedhojë nuk janë plotësuar kriteret ligjore për operim.

Përfaqësuesi i ZRrE-së, Afrim Ajvazi ka premtuar se në momentin kur pranojnë një shkresë zyrtare nga MMPH-ja se “KelKos Energy” nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të operuar, ata do t`ia ndërpresin operimin.

“Le t`i dërgon qato nëse ekzistojnë, sepse ju kemi drejtuar që 10 herë. Absolutisht nëse vjen një shkresë prej Ministrisë, Bordi menjëherë ka me e ndërpre operimin e atij gjeneratori. Po ta garantoj edhe pse është përgjegjësi e Bordit”, ka deklaruar Ajvazi.

Përveç shkyçjes nga rrjeti, gjatë mbledhjes është votuar edhe për kërkesën e “Kelkos Energy” për modifikimin e kapaciteteve të hidrocentralit ‘Lumbardhi II’.

Kërkesa për modifikim të kapaciteteve të hidrocentralit ‘Lumbardhi II’, ka marrë tri vota për dhe një kundër. Kundër kërkesës për modifikim të kapaciteteve ka dalë anëtari i Bordit, Besim Sejfijaj.

“Sa i përket modifikimit të kapacitetit, unë i qëndroj mendimit personal që nuk është e udhës modifikimi i kapaciteteve”, ka shtuar Sejfijaj.

Udhëheqësi i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit në ZRrE, Afrim Ajvazi gjatë mbledhjes theksoi se ‘Kelkos Energy’ ka marrë lejen ujore nga Ministria e Mjedisit për modifikimin e kapaciteteve të hidrocentralit Lumbardhi II, nga 5.5 në 6.2.

Sipas Ajvazit kjo është arsye që Bordi të lejoj modifikimin e kapaciteteve.

“Sepse sipas udhëzuesit një herë duhet të bëhet modifikimi i autorizimit final nga 5.5 në 6.2 e pastaj të aplikojnë për leje mjedisore”, ka theksuar Ajvazi.

Në këtë mbledhje kanë qenë prezent edhe përfaqësuesit e ‘Kelkos Energy’, të cilët kishin bërë kërkesë paraprakisht që të marrin fjalën gjatë mbledhjes. Kjo kërkesë iu refuzua me arsyetimin se të gjitha diskutimet janë shteruar.

“‘Kelkos Energy’ ka kërkuar që të dëgjohet në mbledhje të Bordit. Ne kemi pas takime, meqë janë prezent, por janë shteruar komunikimet dhe të gjitha janë të qarta”, potencoi U.D i kryesuesit të Bordit, Arsim Janova.

Përveç hidrocentralit Lumbardhi II, në rend të ditës ishin edhe projektet e ‘Kelkos Energy’ për hidrocentralet Belaja dhe Deçani.

Bordi votoi njëzëri që t’i jepet kohë prej 90 ditëve ‘Kelkos Energy’ që të pajiset me leje mjedisore dhe me leje të përdorimit për hidrocentralet Belaja dhe Deçani. Përndryshe, nëse këto leje nuk merren brenda 90 ditëve, ZRrE do të ndërmarrë veprime ligjore për shkyçje të gjeneratorëve nga rrjeti.

Udhëheqësi i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit në ZRrE, Afrim Ajvazi theksoi se kanë pasur takime të pandërprera me Ministrinë e Mjedisit për të kërkuar sqarime se pse hidrocentralet Belaja dhe Deçani nuk kanë leje mjedisore.

“Dy hidrocentralet, Belaja dhe Deçani, janë në operim. Por që një periudhë mungon leja mjedisore. Kemi pas takime të pandërprera me Ministrinë për të pasur sqarime se pse ka ndodhur kjo. Në shkresën e ministrit Matoshi të 1 marsit, potencohet se arsyet janë administrative”, ka theksuar Ajvazi.

Anëtari i Bordit të ZRrE-së, Selman Hoti theksoi se ka parë një mos dakordim mes Ministrisë së Mjedisit dhe ZRrE-së për shkak se leja mjedisore përgatitet me u lëshu për tri hidrot, kurse autorizimet janë lëshu veç e veç.

Adrim Ajvazi tha se nuk është e logjikshme që të pritet 5 ose 6 vjet dhe në fund të mbulohen me një leje.

“Ne këtë nuk e kemi ditë si zyrë”, tha Ajvazi.