Pensionistë prishtinas - Foto: Korab Basha

Zhvatja ‘Legale’ e Fondit Pensional

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) po ballafaqohet me një shumë të mjeteve për të cilat nuk ka informacione për to. Vlera e mjeteve të pa identifikuara është rreth 9 milionë euro, apo rreth 0.6 për qind të mjeteve të përgjithshme që ka Trusti. Sistemi i vjetër i pagesave dhe raportimit para vitit 2012,  si duket qe shkaktar i këtij problemi. Këto mjete duhet të kenë afat kohor edhe nëse del pronari i tyre edhe pas 30 vjetëve. Në anën tjetër në Iniciativen Kosovare për Stabilitet thonë se publikimi i burimit të këtyre mjeteve është hap drejt identifikimit të pronarit të tyre.
Qeveria e Kosovës disa herë në të kaluarën kishte kërkuar nga Trusti që t’ia transferojë shumën e mjeteve të grumbulluara ndër-vite e të cilave nuk u dihej pronari. Trusti në vazhdimësi kishte kundërshtuar që mjetet t’i derdhte në buxhetin e Kosovës. Pas dështimit të disa tentimeve, Qeveria e Kosovës po i kërkon këto mjete të grumbulluara përmes ndryshimit të bazës ligjore.

Qeveria e Kosovës e ka iniciuar ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale. Ndryshimi kryesor i propozuar është mundësia e derdhjes së mjeteve nga Trusti në buxhetin e Kosovës. Janë rreth 10 milionë euro që pritet t’i shtohen buxhetit të Kosovës, nëse propozimet miratohen nga Kuvendi i Kosovës.

“Fondi në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës në vazhdimësi zhvillon aktivitete për identifikimin e kontributeve të paidentifikuara. Në rast se për kontributet përkatëse nuk identifikohen paguesit nga ana e Fondit dhe nuk ka as lajmërim nga ana e vet paguesve deri në gjashtë (6) vjet nga viti i pagesës, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të drejtën e marrjes së vendimit për inkasimin e Fondeve përkatëse në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në paragrafin e ri të propozuar në kuadër të nenit të 7 të Ligjit për Fondet Pensionale.

Përvetësimi i kursimeve pensionale nga qeveria e Kosovës kritikohet nga Organizatat e Shoqërisë Civile.

Florina Duli drejtoreshë në Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) vlerëson se kalimi i këtyre mjeteve në xhirollogarinë e qeverisë, do të jetë një precedent i rrezikshëm. Thotë se qeveritë do shfrytëzojnë këtë mundësi ligjore për të tjetërsuar sa më shumë mjete të kursimeve pensionale.

”Nëse vendoset që mjetet e paidentifikuara ti kalojnë Qeverisë, kjo do të shërbente si motivim për qeverinë që sa më shumë para të mbesin jashtë llogarive individuale që ata ti përvetësojnë”, tha ajo.

Duli thotë paratë duhet të mbahen në Trust.

“Nuk ka asnjë arsye qe këto mjete të mos mbahen në Trust dhe t’u atribuohen llogarive individuale te pjesëmarrësve të Skemës. Raporti i Auditimit të Trustit, i bërë ne vitin 2014 nga Grant Thornton në të cilin thirren plotësim ndryshimet e ligjit, në asnjë moment nuk sugjeron mos mbajtjen e mjeteve. Raporti nuk është kualifikuar mu për shkak të pakënaqësisë së shprehur nga Grant Thornton për dinamikën e ngadaltë të atribuimit të mjeteve nëpër llogari personale”, tha Duli.

Sipas saj, Trusti do të mund t’i identifikojë pronarët e tyre vetëm duke qenë më transparente, përkatësisht duhet të bëhet shpalljes publike të listës së kompanive që kanë lëshuar mjetet dhe periudhën kohore.

“Pavarësisht se Trusti ka problem të identifikoje titullarët e mjeteve, të paidentifikuara apo të pa atribuara, para të tilla nuk ekzistojnë. Ato para kanë një pronar, e ai/ajo i ka fituar ato mjete me punë. Nëse ai person nuk dihet, atëherë atyre parave iu dihet sakte burimi“, tha Duli.

Jeton Demi, nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, tha se është kundërligjore që mjete të paidentifikuara – të cilat mund të jenë edhe gjoba e interesa – t’i kalohen në “pronësi” një llogarie tjetër. Sipas tij bartja e pronësisë do ta bënte të pamundur kthimin prapa të këtyre mjeteve nëse në të ardhmen vërtetohet pronësia e tyre ndërkohë që kontribuuesi mund të jetë pensionuar.

Ai thotë se mjetet mund të kalohen vetëm kontributdhënësit të cilit iu është vërtetuar pronësia. Por, TRUST-i për shumë vite nuk ka arritur t’i identifikoi pronarët e këtyre mjeteve.

“Jemi në pikën për një shumë të mjeteve, rreth 0.6% e kontributeve totale, që nuk kemi as informacion se kujt i takojnë e as nëse janë të gjitha kontribute pensionale, apo ka edhe gjoba e interesa. Nëse ndodhë kjo e fundit, sikurse mund ta dini, pronësia e tyre është në ATK. Sidoqoftë, edhe me propozimin e ri ligjor mjetet e paidentifikuara do të mbahen për 6 vjet në FKPK, e më pas kalojnë në buxhet të shtetit”, tha Demi.

Tash, Trusti do të bëjnë përjashtim duke i bartur mjetet në xhirollogarinë e qeverisë së Kosovës.

Demi thotë se kalimi i mjeteve në buxhetin e Kosovës nuk do të thotë se pronarët e këtyre mjeteve që në të ardhmen mund të zbulohen nuk do të kenë mundësi t’i rikthejnë ato.

“Me legjislacionin aktual në fuqi, por dhe me atë të propozuar, kurdo që kontribuuesi gjen informacion, pra edhe pas 30 vjetësh, se i takojnë ato kontribute, ligjërisht i jepet e drejta t’i kërkojë nga ATK-ja. D.m.th e drejta e pronësisë i ruhet kontribuuesit që vërteton pronësinë e tyre, kurdo qoftë (pra pa kufizim kohor), duke ia kthyer edhe një normë mesatare të performancës investuese që FKPK-ja ka pasur për periudhën prej momentit të kalimit të mjeteve nga FKPK-ja në buxhetin e shtetit”, tha ai.

Fondi i Kursimeve Pensionale (FKPK), si institucion publik i pavarur dhe jo për profit filloi punën e vet në vitin 2002. Ky institucion në kuadër të punës së saj, administron dhe menaxhon kontributet e obligueshme pensionale (vullnetare) të punësuarve në Kosovë.

Përmes bankave komerciale, punëdhënësit i kryejnë pagesat për të gjithë punëtorët e tyre kështu duke dorëzuar edhe formularët e pagesave.

Bankat komerciale, të hollat nga pagesat e kryera, i dërgon në llogarinë e Fondit të FKPK-së, në Bankën Qendrore të Kosovë, përderisa  formularët e pagesave u dërgohen Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), e cila i monitoron, i barazon pagesat për të informuar më pas Fondin.

Kontributet e mbledhura,  investohen në tregjet globale financiare,  në pritje për të t’u rritur në vlerë. Në anën tjetër kthimi nga investimet u shpërndahen në mënyrë proporcionale në llogaritë individuale.

Për t’i kryer punët e saj dhe në shërbim të funksioneve të saj, FKPK-ja mbi mjetet pensionale ngarkon  taksë.  Ajo ngarkon taksën investive për 0.398 për qind dhe taksën operacionale 0.082 për qind.

http://kallxo.com/miratohet-taksa-e-fondit-te-kursimeve-pensionale/