Zhvatja dhe mashtrimi nga mjekët “popullorë”

Shpeshherë mjekët e vetëquajtur ‘popullorë’, të cilët pretendojnë se shërojnë me energji, janë ‘dera’ e parë në të cilën trokasin njerëzit që vuajnë nga probleme psikike, emocionale e fizike. 

Edhe pse kjo lloj mjekësie nuk është popullore për shkak se nuk ka bazë shërimin me bimë apo studimin e trupit njerëzor, individë të caktuar vazhdojnë ta quajnë veten si mjekë popullorë duke pretenduar se kanë fuqi mbinjerëzore për shërim.

Pavarësisht që kjo lloj mjekësie nuk është e bazuar në shkencë dhe nuk ka teori që mbështet praktikimin e saj, mjekësia e tillë praktikohet në Kosovë. 

Dy persona të tillë të cilët pretendojnë se shërojnë me energji janë të akuzuar për mashtrim nga Prokuroria. Megjithatë, paralelisht me praktikimin e kësaj mjekësie, po vazhdon të pasqyrohet një copë të besimit të shoqërisë kosovare. Kësaj situate i ka kontribuuar edhe ngritja mediale sikurse paraqitja publike e mjekut ‘popullor’, Hysri Peqani ‘Burdushit’ në emisionet televizive në Kosovë,  përmes të cilave është shpërfaqur veprimtaria e tij e cila per Prokurorinë ështëe jashtëligjshme duke e cilësuar si parashikues i ngjarjeve, ekspert i mjekësisë popullore, shërues i energjisë negative. Një promovim të tillë e kanë bërë disa nga televizionet kryesore në Kosovë duke e ngritur veprimtarinë e tij në debat publik.

“Burdushi”, po akuzohet nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale në mesin e të cilave edhe ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, dhe shpërlarja e parave. ‘Burdushi’ për vite me radhë kishte mashtruar njerëz me probleme, nën pretendimin se ai ka aftësi shëruese duke përfituar shuma të ndryshme, duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total ka  përfituar rreth 1 milion euro.

Sipas Prokurorisë që nga viti 2005 kur Hysri Peqani “Burdushi” ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse. 

Me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthitje dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Edhe  B.Z  mjek ‘popullor’ nga Malisheva akuzohet për veprimtari të paligjshme mjekësore, duke përfituar rreth 30 mijë e 216 mijë euro e duke i shkaktuar dëm Republikës së Kosovës  rreth 2 mijë e 395 euro.

Sipas dosjes së prokurorisë, B.Z. duke u thirrur si “mjek popullor me bio-energji” që nga viti 2010, ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore dhe të ardhurat e fituara nuk i ka deklaruar në Agjencinë Tatimore të Kosovës.

Në dosje thuhet se B.Z, nga viti 2010 e deri më 16 korrik 2019, në Malishevë, saktësisht në shtëpinë e tij, pa autorizim ligjor, ka kryer aktivitete mjekësore, duke u thirrur si “Mjek popullor me bio-energji”, ka trajtuar qytetarë me sëmundje të ndryshme dhe probleme familjare”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

I njëjti akuzohet se ka mashtruar një person që kishte këkuar ndihmë tek ai pasi e njëjta kishte probleme familjare. I akuzuari e bind se kinse do ta shërojë ku fillimisht  ia përgatit disa hajmali e më vonë edhe të tjera, ku të dëmtuarës i shkakton kështu dëm në vlerë prej 6000 euro.

‘Aspekti psiko-shoqëror’

Për këtë gjendje shoqërore të besimit në mjekësi ‘popullore’, para asaj shkencore, sociologu Genc Xërxa thotë se vjen si pasojë e disa faktorëve si trashëgimia e botëkuptimeve mbi botën nga gjenerata në gjeneratë, edukimit dhe  arsimit, emancipimit, mentalitetit rrethanues në zgjidhjen e problemeve e besimeve të ndryshme.

“Njerëzit në telashe të ndryshme shëndetësore apo raste në nevojë në pamundësi për të gjetur zgjidhje të kënaqshme marrin iniciativa të ndryshme për t’u vizituar nga mjekët popullorë (mjekësi alternative) e deri tek njerëzit që “shërojnë shpirtëra apo heqin djallin nga trupi” (ekzorcist)” shprehet Xërxa për KALLXO.com.

Megjithatë, Xërxa thotë se mentaliteti gjithëpërfshirës nuk është unik, ashtu që këto fenomene gjejnë vend të shpërfaqura edhe tek shoqëria kosovare, diku më shumë e diku më pak, ndoshta edhe në një masë më të shprehur në krahasim me vendet racionale.

“Besojnë apo të shtyrë nga gjendja e tyre e “pashpresë” rastësisht mos po gjejnë shpëtim ndryshe nga mjekësia shkencore. Këta njerëz në hall shpesh pastaj bëhen pre e mashtruesve të llojit të tillë duke përfituar nga vizitat e tyre që i organizojnë për tejkalimin e problemeve aty ku “shkenca ka dështuar” apo shkojnë direkt tek ta në vizita duke refuzuar, mosbesuar në kontrollet mjekësore shkencore” thotë ai.

Ndërsa, sociologu Labinot Kushushevci se e gjithë ky besim e pabazë është si pasojë e mungesës së vetëdijes së shoqërisë dhe nën ndikimin e lajmeve të rreme.

“Të dominuar nga injoranca, nën efektet e invazionit të lajmeve të rrejshme, në mungesë të një edukimi publik mbi shëndetin publik dhe mbi kulturën shëndetësore, kur njerëzit krijojnë iluzione, orientohen gabimisht në forma tjera alternative të cilat shpeshherë bien ndesh me shkencën, ani pse thirren në emër të shkencës” tha Kunushevci.

Kunshushevci thotë se ky mashtrim nga pseudomjekët vjen deri në format abuzive, ku qytetarët e painformuar bien viktimë e mashtrimeve të ordinerëve, profiterëve, magjistarëve e falltorëve, të cilët thirren në emër, apo e keqpërdorin emrin e mjekësisë alternative apo popullore dhe emrin e besimit fetar. 

Ndërkaq, sipas tij nga ky lloj besimi ka shumë pasoja kulturore, shëndetësore dhe psiqike dhe shteti duhet t’i kontrollojë të gjithë shërbyesit publik që ofrojnë shërbime publike mjekësore, me ekspertë të fushës, dhe të ndalohet me ligj falli dhe magjia. 

“Të shpallet ilegjitime çdo formë e fallit dhe magjisë, të cilat nuk i njeh shkenca apo mjekësia bashkëkohore dhe t’iu ndalohet veprimtaria atyre që nuk janë të licencuar. Ashtu që manipulimit me shëndetin publik t’i prehen këmbët” tha ai.

Ndërsa nga prizmi psikologjik dhe nga aspekti shoqëror se pse njerëzit drejtohen tek mjeku ‘popullor’ para atij shkencor, psikologu Ilir Havolli thotë se është problemi tek besimi që ka shoqëria dhe mungesa e vetëdijes.

Havolli thotë se kjo dukuri po ndodh për faktin se në Kosovë akoma nuk është rritur vetëdija e popullatës për shërbimet që ofron psikologu dhe akoma mbizotëron mendimi i cili individin e stigmatizon që nëse ai merr shërbim te psikologu, ai mund të shikohet si i sëmurë 

“Ky mendim eshte i gabuar, ngase tek psikologu merr shërbime psikologjike çdo person i cili ka shqetësime psikologjike e jo sëmundje. Psikologu nuk trajton sëmundjet por çrregullimet, shqetësimet psikologjike” shprehet Havolli.

Sipas tij, kësaj gjendje  i kanë kontribuar dhe vazhdojnë t’i kontribuojnë padashje edhe institucionet për faktin se nuk kanë inkorporuar psikologë nëpër  institucione qenësore, të cilat përfshijnë të gjitha celulat e shoqërisë në mënyrë që shoëria gjatë gjithë koshës të jetë në kontakt me psokologun.

“Të marrësh një shërbim profesional ka domethenie të madhe si për individin ashtu edhe familjen dhe shoqërinë, sepse në radhë të parë shërbimi profesional e minimizon që klienti të bëhet i varur dhe të jetë objekt përfitimi material” theksoi ai.

‘Këndvështrimi fetar’

Nga perspektiva fetare, kjo lloj mjekësie e ashtuquajtur ‘popullore’ nuk është as mjekësi por është magji, okultizëm e bestytëni. Sipas klerit fetar, mjekësia popullore bëhet nga ata që e njohin natyrën dhe njeriun dhe praktikohet si mjekësi alternative në të gjithë botën. Ndërsa mjekësia e tillë është mashtrim dhe nuk ka fare lidhje me atë që quhet mjekim.

Profesori i Studimeve Islame, Xhabir Hamiti tha për KALLXO.com se besëtytninë e magjisë, pacientit nuk i ndihmon në  shërimin e sëmundjeve të cilat kërkojnë ndërhyrje kirurgjike.

Hamiti tha se zakonisht pacientët frekuentues të magjistarëve janë njerëz të cilët besojnë në besëtytni, besojnë në mundësinë e largimit të së keqes ose të të bëmave që atyre mund të jenë shkaktuar nga  njerëz të ligë.

“Besime të tilla kultivohen vetëm nga persona të cilët janë të dobët dhe labil nga ana psikike  dhe nga ata  që nuk kanë besim të drejtëpeshuar te Krijuesi i tyre” shprehet ai.

Megjithatë, Hamiti thotë se sipas këndvështrimti islam, mggjia si prodhim njerëzor nuk mund të ndikoj as për të mirë as për të keq tek një besimtar.

“Marrja me magji, si dhe besimi i shërimit të njerëzve përmes magjisë në mësimet islame shihet si një veprim i shëmtuar” thotë ai.

Sipas tij, dëmet që mund të shkaktojë frekuentimi tek njerëzit  e tillë është individual  sepse ai zakonisht harxhon kohë, harxhon para.

Përveç kësaj ai thotë se në rast të zhgënjimit nga ajo që ka besuar dhe të mos përmirësimit nga ngarkesa apo sëmundja e tij psikike, ai  mund të  devijoj edhe më shumë dhe të shtoj edhe më shumë sëmundjen e tij,   

“Së dyti, duke besuar në aftësinë dhe fuqinë e magjistarit shtresa e shoqërisë së pavetëdijshme dhe jo rezonuese krijon besimin  e gabuar se  magjistari është zgjidhje për shërimin e sëmundjeve të tyre psikike” thotë Hamiti.

Ndërsa, Pastor Femi Cakolli, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës thotë se ‘mjekësia’ e Burdushit është e ndaluar në fenë protestante, me ligj dhe me vlera morale.

“Mjekët”magjistarë bazohen mbi truçe, mbi manipulime e injorancë të pacientëve. Vetëm pacienti injorant e fuqizon mjekun e llojit Burdush” thotë Cakolli.

Sipas Cakollit një mjekësi e tillë shkakton dëme të mëdha ciklike në besim dhe vetësiguri. 

“Këto dëme prishin inteligjencën, moralin dhe të vërtetën. Krishti na tha “ju do ta njihni te Vërtetën dhe e Vërteta do t’iu bëjë të lirë”. Faktorët se pse njerëzit e vendit tonë ende shkojnë nëpër këta lloj “mjekësh” janë të shumtë” thotë ai.

Megjithatë, sipas Cakollit, në thelb është injoranca kolektive dhe mjekësia zyrtare e cila po bëhet më e shtrenjtë përditë dhe ajo po humb në plot raste autoritetin e saj shkencor nga njerëzit jokompetentë dhe nga mosfunksionimi i shtetit ligjor. 

“Një nga bazat më të mëdha të kësaj injorance është mendimi ose ngushëllimi se prapa çdo të keqe, para çdo dështimi, prapa çdo dëmi është Zoti, pra “e ka pas të shkrueme” ose “Zoti qashtu e ka shkrue” thotë ai.