Presidenti francez, Emmanuel Macron - Foto: Facebook

Zgjedhjet në Francë: Pse presidenti i Francës është më i fuqishmi në Evropë?

Para se t’i merrte frenat si udhëheqësi i shtetit, Emmanuel Macron kishte sygjeruar që Franca kishte nevojë për një president “jupiterian”, duke thënë se një person “normal” do të ishte destabilizues.

Krahasimi i një pozicioni të zgjedhur në mënyrë demokratike me mbretin e të gjithë perëndive në mitologjinë romake mund të duket hipokrit në një vend që e udhëhoqi me dhunë monarkinë e tij shekuj më parë.

Megjithatë, në 50 vitet e fundit, kushtetuta e Francës ka evoluar, me më shumë pushtet të konsoliduar tek posti i presidentit.

“Ne kemi një president në Francë që e kryeson Republikën, që e kontrollon qeverinë, që e kontrollon parlamentin, që e kontrollon Gjykatën Kushtetuese. Kjo e bën atë një super president, sikurse Jupiteri, siç e quajmë Macronin, “tha Christophe Chabrot, ligjerues në të drejtën publike në Universitetin Lumiere Lyon 2.

“Duket pak sikur jemi kthyer në vitin 1830, kur në monarkitë evropiane mbreti po fillonte t’i humbiste kompetencat e tij ndaj kryeministrit, por ende ruante shumë pushtet,” shtoi Chabrot.

Kritikët thonë se parlamenti i Francës po bëhet një vulë gome që miraton ofertën e presidentit, me disa politikanë që bëjnë thirrje për një kushtetutë të re që sjell më shumë ekuilibër në institucionet.

“Presidenti i Republikës në Francë ka sipas ligjit, shumë më tepër pushtet se çdo president tjetër në Evropë,” thotë Delphine Dulong, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Parisit I, Pantheon Sorbonne.

“Dhe në praktikë, presidentët e njëpasnjëshëm i kanë përdorur gjithashtu shumë gjerësisht, shumë gjerësisht të drejtat e tyre kushtetuese.”

Fillimet e Republikës së Pestë të Francës

Kushtetuta aktuale e Francës daton nga viti 1958 kur gjenerali i njohur Charles de Gaulle e formoi një republikë të re pas një kryengritjeje në Algjeri.

Presidenti René Coty pati deklaruar se Franca ishte në prag të luftës civile mes trazirave dhe se ai do t’i caktonte “më të shquarit nga francezët…i cili, në vitet më të errëta të historisë sonë, ishte udhëheqësi ynë” për ta udhëhequr qeverinë.

Më vonë atë vit, de Gaulle u zgjodh nga politikanët si presidenti i parë i Republikës së re të Pestë.

Republika e mëparshme daton në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe i dha më shumë pushtet parlamentit, duke krijuar paqëndrueshmëri dhe konkurrencë midis partive politike, thonë ekspertët.

Vizioni i de Gaulle për republikën e re ishte kryesisht përforcimi i pushtetit të ekzekutivit.

“De Gaulle donte një president që nuk ishte i kufizuar,” tha Dulong. “Në mendjen e de Gaulle, presidenti ishte mbi partitë politike dhe duhej të ishte politikisht neutral”.

Janë ndryshimet që pasuan ato që do ta përforconin dhe do të largoheshin nga ai vizion origjinal, duke krijuar regjimin presidencial në fuqi sot.

E drejta e votës universale

Një nga ndryshimet kryesore që kontribuoi në presidencën aktuale franceze ishte referendumi kushtetues i vitit 1962.

Në një përpjekje për ta përforcuar legjitimitetin e tij si president, de Gaulle mbajti një referendum mbi mënyrën se si zgjidhet presidenti.

Popullsia e mbështeti referendumin, duke votuar 62% në favor të zgjedhjes së vetë presidentit dhe jo të politikanëve.

Ky vendim e përforcoi fuqinë dhe legjitimitetin e presidentit, ndërkohë që e politizoi rolin e tij, thonë ekspertët.

“(Presidenti bëhet) domosdoshmërisht lider ose kampion i një kampi politik. Pra, ka një politizim të rolit presidencial”,tha Dulong.

De Gaulle e ndoqi vendimin duke e shpërndarë parlamentin dhe duke i shpallur zgjedhjet e reja dhe, kësisoji, duke e rifituar shumicën.

Mandati presidencial

Një problem i quajtur bashkëjetesë u shfaq atëherë kur presidenti dhe parlamenti vinin nga partitë politike kundërshtare.

Që nga fillimi i Republikës së Pestë, bashkëjetesa ka ndodhur tri herë, në 1986, 1993 dhe 1997.

Herën e fundit, presidenti i krahut të djathtë Zhak Shirak u detyrua të emëronte socialistin Lionel Jospin si kryeministër të tij pasi i shpalli zgjedhjet e  parakohshme.

Shirak më pas e paraqiti një ligj për ta ndryshuar kushtetutën në vitin 2000, duke e kufizuar mandatin presidencial në pesë vjet në vend të shtatë. Pyetja iu drejtua popullatës në një referendum, ku 73% votuan pro.

“Presidenti mishëron interesin e përgjithshëm dhe vazhdimësinë e republikës. Do t’i zgjidhni më shpesh. Zëri juaj, vendimi juaj do të ketë më shumë rëndësi. Detyra juaj demokratike do të forcohet”, tha Shirak.

Referendumi nënkuptonte se zgjedhjet presidenciale do të mbaheshin së bashku me zgjedhjet parlamentare me një distancë prej rreth një muaji, gjë që siguronte se kushdo që do të fitonte presidencën do të fitonte një shumicë parlamentare.

“Nuk mund ta ndryshoh mendimin tuaj politik brenda një muaji. Pra, zgjedhja e legjislaturës shpesh do ta japë të njëjtën shumicë si ajo e presidentit, “tha Chabrot.

Kjo mbeti e vërtetë për çdo president që atëherë, duke përfshirë Macronin që fitoi shumicën në parlament një muaj pas zgjedhjes së tij me një parti politike krejt të re dhe me deputetë që më parë ishin të panjohur për votuesit.

A mund të ndryshojë sistemi?

Kritikët thonë se sistemi duhet të ndryshojë për t’i ribalancuar institucionet, në mënyrë që të mos jetë një person që merr të gjitha vendimet e mëdha pa u mbajtur përgjegjës për to.

“Ne pamë shumë kohët e fundit në Francë se ishte kryesisht presidenti, i mbështetur nga një këshill, që merrte vendimet gjatë pandemisë,” tha Dulong.

“Por meqenëse presidenti nuk mund të sulmohet, është kryeministri Edouard Philippe ai që po sillet para gjykatave.”

Kandidati presidencial i ekstremit të majtë Jean-Luc Melenchon është ndër ata që bëjnë thirrje që Republika e Gjashtë ta “shfuqizojë monarkinë presidenciale” në një kushtetutë të re.

Por Chabrot në Universitetin e Lionit thotë se eliminimi i nenit 9 të kushtetutës, i cili e cakton presidentin si kreun e këshillit të ministrave ose kabinetit, mund të shtojë gjithashtu ekuilibrin në sistem.

Një ndryshim tjetër mund të jetë anulimi i zgjedhjeve presidenciale në mënyrë që presidenti të zgjidhet nga deputetë, senatorë dhe këshilltarë vendorë, siç ishte shkruar fillimisht në kushtetutën e vitit 1958.

“Të gjithë thonë se francezët janë të lidhur me zgjedhjet presidenciale, se kjo është një e drejtë demokratike që nuk mund t’i kthehesh më. Kjo mbetet për t’u parë”, tha Dulong.

“Kur e shikojmë përqindjen e abstenimit dhe fletëvotimet e zbrazëta që nga vitet 1980, shohim se zgjedhjet presidenciale janë një zgjedhje që është në krizë,” shtoi ajo.

Shumë nga ndryshimet që çuan në sistemin aktual morën mbështetjen e popullsisë, me de Gaulle që e konsolidoi pushtetin e tij përmes referendumeve.

“Sa herë që presidenti shtypte një buton ai fitonte. De Gaulle në vitin 1962, për shembull, shtypi butonin e referendumit dhe fitoi. Ai shtypi butonin e shpërndarjes së parlamentit dhe fitoi. Pra, çdo herë, presidenti francez përforconte pushtetin e tij”, tha Chabrot.

Tani për tani, votuesit do të shkojnë në qendrat e votimit në prill për ta zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm. /Euronews