Zgjedhjet e brendshme të LDK-së nuk pengojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si subjekti me më së shumti deputetë në Kuvendin e Kosovës,  qysh nga marrja e pushtetit nga koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme.

Por në anën tjetër, LDK-ja ka filluar përgatitjet administrative dhe teknike për realizimin e zgjedhjeve brenda vetë partisë.

Lidhur me këtë çështje, analisti politik, Haki Abazi, për Gazetën Jeta në Kosovë, vlerëson se, kërkesa e LDK-së për zgjedhje parlamentare është normale, e që sipas tij e qe vjen nga një parti parlamentare opozitare dhe me pozicion të forcuar në matjet e publikut.

“Është natyrshme që kjo parti të kërkojë zgjedhje e posaçërisht kur së bashku me LVV përbëjnë shumicën parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Aq më tepër që vendi është duke kaluar një proces shumë delikat dhe kompleks në raport me Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe meqë presidenti i vendit, i cili është i zgjedhur edhe me votat e LDK-së është duke rrezikuar sovranitetitn dhe integritetin territorial, lidhshmërisht veprimet e LDK-së do të duhej shikuar edhe në këtë kontekst”, tha ai.

Sa i përket zgjedhjeve të brendshme në partinë më të madhe opozitare në vend, Abazi shton se, në favor të LDK-së fillimisht do të ishte shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme para atyre brenda subjektit politik.

“Në këtë situatë që është vendi LDK-së, ka rritje në elektorat dhe në cilëndo situatë, por mendoj do të ishte në favorin e saj që të shkohej në zgjedhje para zgjedhjeve të brendshme sepse forcimi i pozitës së LDK-së në qeverinë e ardhshme do të konsolidonte marrëdhëniet nga brenda dhe do të parandalonte ndonjë përçarje apo sabotim të brendshëm që mund të krijohet si pasojë e infiltrimit të elementeve të PDK-së”, theksoi analisti.

Ndërkaq, Eugen Cakolli, hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se kohëve të fundit ka pasur një rënie të deklarimeve të subjekteve politike, lidhur me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ky ndryshim konsideroj që ka ardhur si rezultat i pamundësisë së subjekteve opozitare që të sigurojnë votat e mjaftueshme për kalimin e një mocioni të mosbesimit. Kësaj i shtohet fakti që aktet normative në fuqi precizojnë se në rast të dështimit të një mocioni të tillë, i njëjti nuk mund të iniciohet sërish brenda një periudhe prej 90 ditësh. Sipas kësaj perspektive, besoj se subjektet opozitare nuk do të rrezikojnë të iniciojnë mocion mosbesimi, pa i siguruar paraprakisht 61 vota”, thekson ai.

Sipas Cakollit, në anën tjetër, janë subjektet politike në pozitë kanë deklaruar se koalicioni është stabil, përkundër dallimeve me taksën.

“Nëse merren parasysh këto dy elemente, atëherë është vështirë e besueshme që do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda një periudhe afatshkurtër. Kjo të paktën, jo pa pëlqimin e të paktën njërës nga subjektet politike brenda koalicionit qeverisës”, shtoi ai.

Por për Haki Abazin, vendi duhet të shkojë ne zgjedhje të parakohshme me shumë urgjencë sepse siç thotë ai, qeveria dhe institucionet e tanishme nuk e kanë legjitmitetin e duhur.

“LVV ka rritje dhe forcim të strukturave të brendshme dhe një qartësi të drejtimit, e mbështetur me faktin që asnjëherë nuk ka bërë kompromise me ata që sot konsiderohen fajtorët kryes të kësaj gjendje. AAK ka fituar nga tarifa doganore por ka humbur shumë nga punësimi nepotik dhe niveli i joseriozitetit me të cilin ka trajtuar buxhetin. PDK është në rënie e sipër dhe ne humbje të përkrahësve të vet tradicional meqë ka arritur pikën e dëshpërimit dhe zhgënjimit sidomos me demarkacionin me Malin e Zi, kompromiset e dhimbshme të paralajmëruara me Serbinë dhe gënjeshtrat e vazhdueshme për liberalizim, vende pune, njohje të reja dhe ngritje të mirëqenies, aferën pronto”, theksoi analisti.

Gazeta Jeta në Kosovë, kontaktuar edhe shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, duke e pyetur se a janë të gatshëm që në këtë fazë të zgjedhjeve të brendshme, të shkojnë në ato parlamentare, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Kurse, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, javën e kaluar, tha se në këtë fazë janë të përqendruar në zgjedhjet në nëndegë dhe degë.

“Do t’i japim mundësi çdonjërit që e sheh veten të gatshëm ta merr përgjegjësinë, të mbajë unitetin në LDK, të mbaj orientimin Rugovian të LDK-së të një partie të qendrës së djathtë, të sfidohet me këtë. Kjo do të jetë e hapur për çdonjërin”, tha Mustafa.

Edhe pse aktualisht gjenden në proces të zgjedhjeve të brendshme, Mustafa sërish i përmendi zgjedhjet e jashtëzakonshme.

I pari i LDK-së, tha se nuk i kanë numrat sepse po t’i kishin do të shkonin në zgjedhje.

“Problemi është te numrat nuk i kemi numrat se mi pas kishim shku ne zgjedhje”, tha ai duke shtuar se momentalisht i kanë vetëm 25 votat e LDK-së dhe ato të LVV-së.

Sa i përket procesit të dialogut Mustafa, theksoi se së pari vendi duhet të shkoj në zgjedhje e pastaj të zhvillohet procesi i dialogut.

“Ne e kemi dhënë zgjidhjen tonë për dialogun dhe kemi thënë se më së miri është të shkohet në zgjedhje, të zgjidhen institucione legjitime që do ta drejtojnë dialogun dhe kjo është qeveria”, tha kryetari i LDK-së.

https://kallxo.com/ldk-me-trup-ne-zgjedhje-te-brendshme-me-mendje-ne-zgjedhje-parlamentare/