Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zëvendësimi i shpejtë përballë pritjes së gjatë

Kryeministrit Albin Kurti iu deshën më pak se 1 muaj për të zëvendësuar pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, që mbeti bosh pas dorëheqjes së Goran Rakiqit, por nuk po i mjaftojnë as 56 ditë për të zëvendësuar Rifat Latifin, në krye të ministrisë të Shëndetësisë.

Janë bërë gati dy muaj prej kur Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa një udhëheqës në krye të saj, pasi Rifat Latifi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit, më 6 tetor 2022.

Prej asaj date kompetencat e plota i kanë kaluar zëvendësministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha – Bunjaku, ndërsa ekzekutivi ende nuk ka bërë të ditur kur do të emërohet ministri i ri.

Por Kurti u tregua vendim-marrës më i shpejtë, kur të enjten vendosi që ta plotësojë pozitën e ministrit në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

26 ditë pasi kishte dhënë dorëheqje ish-ministri për Komunitete dhe Kthim, Kurti ka emëruar pasardhësin e tij, politikanin nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

Goran Rakiq kishte dhënë dorëheqje nga posti i tij më 5 tetor 2022, pas suspendimit të drejtorit të Policisë në veri të vendit, që kishte refuzuar të nis me qortimin e pronarëve të veturave me targa ilegale.

Analisti Imer Mushkolaj në një bisedë për KALLXO.com, thotë se çdo pozitë e ministrore duhet të plotësohet, por e vlerëson të papranueshme që ministria e Shëndetësisë të lihet pa udhëheqës, duke i ditur problemet me të cilat përballet ky sektor në Kosovë.

“Prej 6 tetorit me mos emërimin e ministrit në një farë forme sikur qeveria po na thotë se në këtë sektor gjithçka është në rregull kur të gjithë e dinë se shumëçka nuk është në rregull. Për mua si qytetar është më e rëndësishme që të emërohet ministri i shëndetësisë dhe jo të lihet anash. E në anën tjetër për lojëra politike të bëhen emërime si ky i ministrit për Komunitete dhe Kthim” – thotë Mushkolaj për KALLXO.com.

Emërimin e Rashiq, Mushkolaj po e konsideron farse politike nga ana e kryeministrit Kurti.

“Vendimi për emërimin e Rashiq është lojë politike e Kurtit për shkak se Rashiq nuk e përfaqëson komunitetin serb, nëse shohim edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës aty flitet për partitë të cilat i kanë fituar zgjedhjet e në këtë rast votat më të shumta të komunitetit serb në Kosovë i ka fituar Lista Serbe. Emërimi i tij është vetëm lojë politike, njëfarë farse politike e Kurtit në kuadër të gjithë këtij muhabeti të veriut dhe braktisjes së institucioneve nga serbët”- është shprehur Mushkolaj për KALLXO.com.

Ndërsa, mungesa e ministrit të Shëndetësisë u përmend edhe në reagimet për gjendjen në sektorin e Shëndetësisë të cilat erdhën pas një rasti tragjik që ka ndodhur mbrëmë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kur u gjet i vdekur trupi i një gruaje 35 vjeçare e cila dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj.

Viktima ishte shtatzënë dhe u vra para Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë sot se për të pasur siguri brenda spitaleve nuk duhet të pritet për emërimin e një ministri të ri të Shëndetësisë.

“Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – (Kurti) të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri” – ka thënë ai.

Për mos emërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë dhe menaxhimin me këtë sektor, Qeveria Kurti është kritikuar edhe nga partitë tjera opozitare në Kuvendin e Kosovës ditë më parë, kur në Kuvend u mbajt debat parlamentar lidhur me gjendjen në këtë sektor.

Qeveria Kurti 2, është përballur me dorëheqje në këtë ministri edhe në tetor të vitit 2021, kur u largua Arben Vitia, që të garonte për kryetar të Prishtinës.

Edhe në atë kohë Dafina Gexha – Bunjaku për më shumë se një muaj kishte udhëhequr ministrinë në pozitën e ushtrueses së e detyrës deri në emërimin e ish ministrit Rifat Latifi.

Kurti emëron Nenad Rashiqin ministër për kthim dhe komunitete