Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Votat që kandidatët për kryeministër i morën në komunat e tyre

Në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës, vitin 2019, për dallim nga Albin kurti dhe subjekti i tij politik që morën më shumë vota në kryeqytet, kandidatët tjerë që tashmë janë të nominuar për kryeministër, nuk arritën të marrin më të mirën e votave nga komunat e tyre. Për shembull,  në Suharekën e Enver Hoxhajt të PDK-së, partia e parë doli LDK e Avdullah Hotit, ndërsa në Rahovecin Avdullah Hotit partia e parë doli AAK e Ramush Haradinajt në koalicion me PSD-në.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me datën 23 dhjetor 2020, nominoi kandidaturën e Enver Hoxhaj për kryeministër të Kosovës. Enver Hoxhaj i cili ushtron detyrën e kryetarit të këtij subjekti politik.

Një ish kryeministër e më pas në detyrën e kryeministrit deri formimin e Qeverisë Hoti, është edhe kandidati i nominuar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti. Më datën 14 të muajit janar, saktësisht një muaj nga dita e paraparë për zgjedhje, Këshilli i Përgjithshëm vendosi edhe zyrtarisht Kurtin si kandidat për kryeministër.

Këshill tjetër i përgjithshëm, në këtë rast nga tabori politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës( LDK,) në ditën e fundit të vitit 2020, saktësisht me 31 dhjetor 2020, në mbledhjen e mbajtur caktoi Avdullah Hotin kandidat për kryeministër. Hoti i cili njëherësh është edhe kryeministër në detyrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e mori bekimin e subjektit të tij politik për zgjedhjet e datës 14 shkurt për të kandiduar për shef të Qeverisë.

Si dolën me vota në komunat prej nga vijnë kandidatët?

Kandidati nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, njëherësh ushtrues i detyrës së kryetarit të kësaj partie është nga Komunën e Suharekës.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoit,  është nga komuna e Rahovecit, ndërsa Albin Kurti që njëherësh është edhe kryetar i subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje ka lindur në Prishtinë.

Kallxo.com ka analizuar numrin e votave të cilat ka arritur t’i grumbullojnë në qytetet e tyre të lindjes, në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në vitin 2019, tashmë  kandidatët për kryeministër për zgjedhjet e muajit shkurt.

Në zgjedhjet e fundit për Kuvend, Enver Hoxhaj në qytetin e tij të lindjes, Suharekë, arriti t’i grumbulloj gjithsej 2,374 vota. Hoxhaj kishte më shumë vota se kundër kandidati i tij nga LDK Avdullah Hoti, ndërsa më pak se kundër kandidati i tij tjetër nga LVV, Albin Kurti në këtë komunë. Kurti kishte arritur në Suharekë të grumbullonte gjithsej 3,996 vota, ndërsa Avdullah Hoti 1,127 vota.

Kurti kishte arritur të merrte më së shumti vota nga këta të dy ndërsa duhet përmendur  se Albin Kurti ishte kandidat për kryeministër në ato zgjedhje.

Në komunën tjetër, atë të Rahovecit, prej nga vjen edhe kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti nuk arriti të dal i pari. Hoti në qytetin e tij të lindjes arriti të marrë 3,597 vota, në anën tjetër Albin Kurit nga LVV arriti të merr 4,133 vota.

Ndërsa kandidati për kryeministër nga PDK, për zgjedhjet e sivjetme, kishte mbledh vetëm 446 vota.

Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ku edhe ka lindur Albin Kurti, kishte arritur t’i merrte 34,291 vota, Avdullah Hoti i LDK-së mblodhi 6,554 vota, ndërsa Enver Hoxhaj i PDK-së mori 1,270 vota.

Sa vota morën subjektet politike të kandidatëve në komunat përkatëse?

Në komunën e Suharekës, në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës , LDK e Avdullah Hotit, kishte arritur të dal e para, me përqindje prej 35.85 për qind apo 9,739 vota, koalicioni AAK-PSD 5,535 vota apo 20.37 për qind, pastaj në vendin e tretë është pozicionuar Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 17.69 për qind apo 4,807 vota, ndërsa në vendin e katër pozicionohej PDK me 4,770 vota 17,56 për qind.

Para LDK-së, ishte Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës. Ajo doli e para duke grumbulluar 37.67 për qind apo 40,432 vota. Pastaj vjen LDK në vendin e dytë me gjithsej 34,158 vota apo 31.83 për qind, ndërsa PDK renditej e treta me 16,654 vota apo 15.52 për qind.

Në anën tjetër në Komunën e Rahovecit ishte partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në koalicion me Partinë Social Demokrate (PSD) të cilët kishin dal të parët në këtë komunë me një përqindje prej 24.74 për qind apo 5,376 vota.

Ndryshe, partia AAK si garuese e vetme në këto zgjedhje nuk ka synim postin e kryeministrit, mirëpo atë të Presidentit të vendit, duke e nominuar kështu Ramush Haradinaj për këtë pozitë.

Në Rahovec, vendin e dytë e mori LDK me një përqindje 23.46 për qind apo 5,098 vota.

Në vendin e tretë vendosej LVV me gjithsej 4,939 vota apo 22.73 për qind, ndërsa e katërta PDK me 4,588 vota apo 21.12 për qind.

Ndryshe, në nivel të Kosovës kryeministri në detyrë ishte kandidat i LDK-së edhe në zgjedhjet e vitit 2017. Atë kohë, Hoti i mori plotë 115 mijë e 693 vota. Por, në zgjedhjet e vitit 2019 Avdullah Hoti mori vetëm 26 mijë e 94 vota.

Hoxhaj në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017 kishte 24 mijë e 396 vota. Por, më pak vota mori ai në zgjedhjet e fundit më 6 tetor të 2019-ës, vetëm 11 mijë e 52 vota.

Në dy palë zgjedhje, në vitin 2019 dhe 2017, i pari i LVV-së, Albin Kurti ka pasur rritje të votave. Kështu, Kurti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 mblodhi plotë 143 mijë e 621 vota. Lideri i Vetëvendosjes rriti edhe më tej numrin e votave në zgjedhjet e fundit ku edhe doli fitues. Në vitin 2019, Albin Kurti kishte 183 mijë e 952 vota.