Referendumi në Maqedoni - Foto: REL/Reuters

Vota e shqiptarëve nuk ishte vendimtare në pjesëmarrjen e ulët në referendumin e Maqedonisë

Shqiptarët në Maqedoni dolën në referendumin e së dielës në numër të ngjashëm me zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, sipas të dhënave të votimit dhe fakti që nuk votuan më shumë nuk mund të përdoret si fajësim për moskalimin e pragut të referendumit, thonë analistët politikë.

Ka pasur shpresa të mëdha midis disa analistëve se shqiptarët e Maqedonisë, që vlerësohet të jenë diku rreth një e katërta ose një e treta e 2.1 milionë banorëve të Maqedonisë, do të dalin në referendum në favor të ndryshimit të emrit të vendit në “Maqedonia e Veriut” dhe të zhbllokojnë ofertën e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian.

Në natën e referendumit, kur u bë e qartë se pjesëmarrja do të jetë më e vogël, disa ekspertë thanë se qeveria kishte mbetur e zhgënjyer nga votimi i shqiptarëve. Opozita e krahut të djathtë VMRO-DPMNE kishte mbështetur bojkotin.

Të dhënat, megjithatë, tregojnë se në 15 komunat me shumicë shqiptare, pjesëmarrja ishte vetëm pak më e ulët se në zgjedhjet lokale një vit më parë, 233,000 votues krahasuar me 261,000 sa ishin vitin e kaluar.

Për më tepër, në zonat rurale ku shqiptarët përbëjnë shumicën dërmuese, shifrat nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se pjesëmarrja në referendum tejkaloi zgjedhjet lokale.

Për shembull në Haraçinë, një zonë pranë Shkupit, në të cilën u luftua ashpër mes forcave qeveritare dhe guerilëve shqiptarëve kur vendi ishte në prag të luftës civile në vitin 2001, në referendumin e të dielës u hodhën 500 vota më tepër sesa në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Në Bogovinë kishte 700 vota më shumë, në Zhelinë pothuajse 1,500 më shumë dhe në Saraj 5,000 vota më shumë.

Në anën tjetër, në qytetin me shumicë shqiptare të Tetovës janë hedhur rreth 5,000 vota më pak, në Gostivar kishte 8,000 vota më pak dhe në Kërçovë 10,000 sosh.

Shqiptarët në Maqedoni në përgjithësi janë më pak të mishëruar me emrin “Maqedoni” dhe në tërësi favorizojnë hyrjen në Bashkimin Europian dhe në NATO.

“Njerëzit nuk janë këtu”

Në një konferencë shtypi të hënën, zëvendëskryeministri Bujar Osmani, i cili vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik Shqiptar për Integrim, partneri më i vogël në koalicionin qeverisës, ishte i shpejtë për të refuzuar pretendimet se shqiptarët kishin hedhur poshtë “Po”-në në referendum.

“Gjithashtu dua të hedh poshtë spekulimet se shqiptarët nuk kanë votuar në numër të mjaftueshëm”, tha ai. “Ata votuan në numrat e tyre maksimalë të mundshëm, [të atyre] aktualisht në Maqedoni”, shtoi ai.

Osmani shtoi: “NATO dhe Bashkimi Europian janë fenomenet e vetme që në një farë mënyre homogjenizojnë qytetarët në kuptim të qëllimit. Dje, qytetarët nuk votuan si shqiptarë dhe maqedonas, por si qytetarë që duan ta shohin Maqedoninë në NATO dhe BE “, tha ai.

Osmani tha që pjesëmarrja ishte pak më e lartë në zgjedhjet lokale, sepse procesi ndihet më i rëndësishëm për shqiptarët.

Analisti politik Sefer Tahiri, fajësoi shkallën proporcionale më të madhe të migrimit në mesin e shqiptarëve etnikë në Maqedoni.

“Një numër i madh shqiptarësh punojnë jashtë vendit, vlerësimi im është se të tillë janë rreth 200,000 deri në 300,000 njerëz dhe kjo ka qenë e rëndësishme për referendumin,” tha ai.

“Unë gjithashtu mendoja se do të kishte një pjesëmarrje shumë më të madhe se zakonisht, për shkak të BE-së dhe NATO-s. Por doli se ky është totali. Ata që zakonisht votojnë kanë shprehur mendimin e tyre, por ka rreth 100,000 votues shqiptarë që janë apolitikë në të gjitha zgjedhje dhe kjo u vërtetua në referendum”, tha ai.

Analisti Albert Musliu fajësoi edhe migrimin.

“Problemi është se njerëzit nuk janë këtu. Është një fakt”, tha ai. “Ne po shohim se si po zbrazen qytetet dhe fshatrat”.

“Mendimi se referendumi dështoi për shkak të shqiptarëve është antiteza e tezës së VMRO-së se shqiptarët do ta përcaktojnë emrin [rezultat i referendumit] në dëm të maqedonasve. Pra, ata nuk kanë vendosur. Shumica e atyre që votuan janë maqedonas”, shtoi ai.

Një mosgatishmëri për të votuar, siç u pajtuan analistët, nuk duhet domosdoshmërisht të merret si një mesazh kundër integrimit në NATO dhe BE, por kundër partive politike të Maqedonisë.