Von Cramon: Parlamenti Evropian tashmë do ta kishte aprovuar liberalizimin e vizave

Parlamenti Evropian e ka miratuar një raport përmes të cilit inkurajon shtetet anëtare mosnjohëse të BE-së që ta mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ta miratojnë një regjim pa viza për qytetarët e Kosovës, mirëpo ekspertët paralajmërojnë se ka pak të ngjarë që diçka të ndryshojë së shpejti.

Të martën, Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi një raport përmes të cilit përsëritet thirrja në drejtim të pesë vendeve anëtare të BE që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Përmes një njoftimi për media, eurodeputetët në këtë komision nënvizuan se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se njohja nga të gjitha vendet anëtare të BE do të ishte e dobishme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Komiteti në fjalë po ashtu mirëpriti angazhimin e madh të Kosovës për të avancuar në rrugën e saj evropiane si dhe progresin e bërë në adaptimin e kornizës ligjore. Megjithatë, eurodeputetët gjithashtu shprehën “keqardhjen” e tyre lidhur me zbatimin e dobët të ligjit si dhe luftën kundër korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit duhet të intensifikohet në të gjitha nivelet,” nënvizon Komiteti, duke shtuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të minohet nga mangësitë në llogaridhënie, çështjet e transparencës si dhe ndërhyrjet politike.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon deklaroi se miratimi i raportit, i cili kaloi me 50 vota pro, 10 kundër dhe nëntë abstenime, tregoi se “shumica e Parlamentit Evropian e mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane”.

Raportuesja shtoi se institucionet evropiane gjithashtu duhet t’i “kryenin detyrat e tyre shtëpiake”, duke u shprehur se shumica e Komitetit i bëri thirrje Këshillit Evropian që më në fund të miratojë një regjim pa viza për qytetarët e Kosovës në këtë aspekt.

Sidoqoftë, për Alejandro Esteso Perez, hulumtues dhe autor i raporteve mbi integrimin evropian të Kosovës, miratimin i raportit nuk ka gjasa ta ndryshojë pozicionin mbi liberalizimin e vizave apo të japë ndonjë shkëndijë mbi njohjen e Kosovës nga Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania ose Qiproja.

“Edhe një herë, Parlamenti Evropian bën thirrje për diçka që iu premtua Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe të cilën vendet anëtare ende nuk e kanë përmbushur,” deklaroi Perez për  BIRN

 “Qëndrimet e patundura që po i mbajnë vendet anëtare që janë më ngurruese në këtë drejtim na bëjnë me dije se asgjë nuk do të ndryshojë së shpejti, për fat të keq.”

Përpjekjet për ndryshime në raport, në veçanti tek thirrjet për shtetet mosnjohëse për ta bërë këtë dhe për të shpejtuar procesin e liberalizimit të vizave u bënë nga një numër eurodeputetësh në komision, kryesisht nga grupet parlamentare të ekstremit të djathtë dhe atij të majtë. 10 anëtarët e komisionit që votuan kundër raportit përbënin katër eurodeputetë nga grupi parlamentar i ekstremit të djathtë Identiteti dhe Demokracia (Identity and Democracy) dhe tre nga grupi ekstrem i majtë E Majta (The Left). Dy eurodeputetë spanjollë nga Partia Popullore Evropiane (European People’s Party) e qendrës së djathtë gjithashtu votuan kundër raportit, si dhe një deputet grek i cili nuk ishte pjesë e ndonjë grupi parlamentar.

Sidoqoftë, von Cramon tha se një amandamentim si rezultat i një kompromisi të arritur, i cili mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, u miratua përfundimisht me 52 vota pro.

“Kjo do të thotë që 76% e Komitetit është në favor të dhënies së liberalizimit të vizave të Kosovës,” tha ajo. “Ky është përsëri një sukses i madh, por jo i mjaftueshëm. Por, kjo do të thotë se nëse do të varej nga Parlamenti Evropian, ne do ta kishim dhënë liberalizimin e vizave tashmë.”

Donika Emini, udhëheqëse e CiviKos, një koalicion i Organizatave të Shoqërisë Civile në Kosovë, pajtohet se Parlamenti i BE-së ka qenë institucioni më konstruktiv i BE-së në marrëdhëniet me Kosovën. Sidoqoftë, ajo deklaron se miratimi i raportit ka kryesisht rëndësi simbolike dhe paralajmëron se nuk ka gjasa të përkthehet në institucione të tjera evropiane brenda procesit të liberalizimit të vizave.

“Është një fakt i mirënjohur se procesi ka ngecur në nivelin e Këshillit që do të thotë tek shtetet individuale anëtare dhe nuk ka asnjë mekanizëm ekzistues të BE për të përcaktuar ose ushtruar presion ndaj vendeve anëtare në këtë Këshill,” deklaroi Emini për Kallxo. “Kjo, megjithatë, është një iniciativë e mirë që të provohet të mbahet qështja e vizave lart në agjendën ditore.”

Deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme gjithashtu deklaruan se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është “një prioritet” duke i bërë thirrje Kosovës që t’i “trajtojë problemet e vazhdueshme në qasjen e saj”. Deklarata është në kontrast me komentet e fundit të bëra nga udhëheqësi i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili, pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet e mbajtura me 14 shkurt, deklaroi se dialogu nuk ishte një “prioritet kryesor” për Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Për Eminin, dialogu nuk ka qenë kurrë një prioritet për qytetarët e Kosovës por është një proces i pakthyeshëm dhe tërheqja prej të cilit do të vinte me kosto të mëdha politike. Sidoqoftë, ajo mendon se domosdoshmëria e bisedimeve të lehtësuara nga BE nuk duhet të rezultojë në presion ndaj Qeverisë së ardhshme të Kosovës për të vazhduar diskutimet në të njëjtën mënyrë sikurse me paraardhësit e tyre.

“Procesi si i tillë, duke qenë i pakthyeshëm, nuk duhet të përkthehet në presion për Kurtin ose qeverinë e re për t’u zhytur në një proces i cili zhvillohet pa strukturë, transparencë dhe pa një agjendë të qartë,” tha Emini për Kallxo. “Ky është një moment i përsosur për Kosovën për ta risetuar (rinisë) butonin dhe të fillojë me zhvillimin e një procesi i cili bazohet në parime dhe vlera.

Artikulli është publikuar fillimisht në gjuhën angleze në Prishtina Insight.