Vlerësimi jo-transparent i deputetëve për kandidatët në garë për anëtar të bordit të RTK-së

Procesi i rekrutimit të një anëtari të bordit të Radio Televizionit të Kosovës është përcjellur me mungesë të theksuar të transparencës gjatë fazës së vlerësimit të kandidatëve të intervistuar.

Për dallim nga konkursi i parë për përzgjedhjen e bordit të RTK-së që kishte qenë transparet, komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të mbyllë procesin e poentimit të kandidatëve në garë për anëtar të bordit të RTK-së.

Vendimi për mbyllje të procesit të poentimit është marrë nga komisioni Ad-Hoc, i përbërë prej deputetëve: Fitim Haziri LVV), kryetar, me anëtarët e komisionit: Agim Veliu (LDK), Besim Muzaqi (LVV), Valon Ramadani (LVV), Erxhan Galushi, Nijazi Isaku, Arbresha Hyseni dhe Albana Bytyqi.

Ky komision ka vendosur që poentimi i kandidatëve të bëhet në fund të procesit të intervistimit të të gjithë kandidatëve. Poentimi është bërë nga secili deputet që ishte pjesë e komisionit ad-hoc në një letër në të cilën nuk është shkruar emri i deputetit, por figuronin vetëm emrat e kandidatëve dhe pikët e dhëna për ta.

Ky votim i fshehtë e jo-transparent e ka sjellë një situatë të pa zakonshme në proceset e rekrutimit nga institucionet e Kosovës.

Një nga deputetet nuk i kishte dhënë asnjë pikë kandidatit, Mehmet Kalisi. Ndonëse tabela e vlerësimit përmbante fushat: arsimimi dhe përvoja, njohuritë për pozitën, integriteti dhe vizioni, njëri nga anëtarët e komisionit, kandidatin Mehmet Kalisi nuk e kishte vlerësuar as tek fusha e arsimimit.

Një gjë e tillë shkaktoi habi e mospajtim brenda vet anëtarëve të komisionit, pasi kandidati Kalisi kishte marrë pikë më së shumti nga deputetët e tjerë që e kishin vlerësuar.

Pas disa minutash, komisioni Ad-Hoc vendosi që mos të merret fare parasysh fletëvotimi i këtij anëtari të komisionit, që nuk mund të identifikohej për shkak të procesit të mbyllur të poentimit. Propozimi për të hequr nga vlerësimi këtë flet-vlerësim u hodh në votim dhe u votua pro nga të gjithë anëtarët e pranishëm përpos deputetes Albana Bytyqi, e cila ishte kundër këtij vendimi, prandaj e njëjta abstenoi.

Duke mos e marrë parasysh këtë flet-votim, anëtarët e komisionit bën që mesatarja e pikëve për këtë kandidat të mos prishej nga vlerësimi me asnjë pikë, pasi mesatarja e pikëve nxjerret duke e marr totalin e pikëve dhe duke e pjesëtuar me numrin e deputetëve.

Në fund të përpilimit të listës përfundimtare, pasi nuk u morë parasysh ky flet-vlerësim, doli që kandidati Mehmet Kalisi ishte më i poentuari, i pasuar nga kandidati tjetër Besnik Aliu.

Deputetët Agim Veliu dhe Albana Bytyqi deklaruan se nuk janë të kënaqur me këtë proces, prandaj të njëjtit deklaruan se nuk do ta nënshkruajnë procesverbalin dhe listën finale e cila pritet t’i dërgohet Kuvendit për votim.

Mbyllja për publikun e procesit në fazën e tij finale, të poentimit, krijon probleme të mëdha që dëmtojnë kredibilitetin e tërë procesit si dhe nuk garantojnë një proces meritor të vlerësimit dhe poentimit të kandidatëve.

Në konkurset e hapura nga Kuvendi dhe Qeveria janë vendosur standarde të transparencës së plotë gjatë intervistimit dhe poentimit.

Standardi është që anëtarët e Komisionit vlerësues obligohen që t’i bëjnë publike pikët e dhëna për secilën përgjigje të kandidatëve. Përveç kësaj, në rastet kur ka dallime të mëdha në poentim, anëtarët e Komisionit Vlerësues obligohen të japin arsyetime për secilin poentim të bërë. 

Kjo është një mënyrë e mirë për të treguar transparencë dhe llogaridhënie gjatë zhvillimit të proceseve të rekrutimit, veçanërisht në pozitat e larta udhëheqëse, por ky standard i transparencës nuk u arrit në procesin për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së.

Konkursi i parë për bordin e RTK-së ishte zhvilluar në bazë të praktikave të britanikëve, pasi anëtarët e Komisionit vendosën numrin e pikëve për secilin kandidat dhe të njëjtat i bën publike dhe njëkohësisht u arsyetuan nga secili deputet.

Pamundësimi i intervistimit online

Dy kandidatë që ishin kualifikuar nuk janë intervistuar fare nga komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës. Ata në kohën e caktuar për intervistim kanë qenë jashtë Kosovës. Të dy kanë bërë kërkesë që intervistimi i tyre të bëhet online, por një mundësi e tillë është kundërshtuar nga ky komision.

Për shkak të këtij vendimi të komisionit që intervistat të mos realizohen online, në Kuvend për intervistim është paraqitur edhe një kandidat, i cili ka deklaruar se është i infektuar në ditën e nëntë me virusin COVID-19, por për shkak të vendimit të komisionit i njëjti është paraqitur fizikisht në intervistë.

Lidhur me çështjen e mundësisë për zhvillimin e intervistes në mënyrë virtuale, kandidatja Valmira Baruti kishte kontaktuar edhe me deputeten Doarsa Kica- Xhelili, e cila ndonëse nuk është pjesë e këtij komisioni vlerësues, e njëjta është kryetare e Komisionit Parlamentar për media.

Ajo ka thënë se Kica- Xhelili i ishte përgjigjur kandidates se në rast të pamundësisë objektive për të marrë pjesë fizikisht në intervistim, do të duhej që kandiatëve t`u mundësohej intervistimi përmes mënyrës virtuale.

E në fund, meqë komisioni ad-hoc, kandidates Valmira Baruti ia ka pamundësuar intervistimin në mënyrë virtuale, e njëjta nuk ka pasur mundësi t’i nënshtrohet fizikisht intervistës pasi që aktualisht ndodhet jashtë Kosovës.

Njëjtë ka deklaruar edhe kandidati tjetër Petrit Qollaku, i cili për KALLXO.com ka thënë që komisioni ia ka pamundësuar intervistimin në mënyrë virtuale dhe meqë momentalisht gjendej jashtë vendit nuk ka mundur t’i nënshtrohej procesit të intervistimit.

13 kandidatë për një pozitë

Nga 14 persona sa kishin aplikuar për këtë pozitë, në fazën e intervistimit u kualifikuan 13 prej tyre.

Besnik Aliu, Gani Pireva, Valon Latifi, Mehmet Kalisi, Sejdi Rexhepi, Naim Berisha, Kushtrim Palushi, Petrit Çollaku, Altin Kajtazi, Naile Demiri, Rifat Kelmendi, Sadik Ahmetaj dhe Valmira Baruti, janë kandidatët të cilët u kualifikuan për fazën e intervistimit për anëtar të bordit të RTK-së.

Nga 13 kandidatët e kualifikuar, në intervistë u paraqitën nëntë prej tyre: Besnik Aliu, Gani Pireva, Valon Latifi, Mehmet Kalisi, Sejdi Rexhepi, Naim Berisha, Kushtrim Palushi, Naile Demiri dhe Sadik Ahmataj.

Pas intverstimit dhe vlerësimit, komisioni vlerësoi kandidatin Mehmet Kalisi si kandidatin më të poentuar, të pasuar nga kandidati tjetër Besnik Aliu.

Konkursi për zgjedhjen e një anëtari të bordit të RTK-së ishte shpallur, pasi një nga anëtarët e bordit të RTK-së, Bekim Sele ishte dorëhequr nga bordi i këtij institucioni. Dorëheqja e tij kishte ardhur pas dështimit të procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

Dështimi i konkursit të parë kishte ardhur, pasi BIRN kishte zbuluar se tre anëtarë të komisionit vlerësues i kishin poentuar disa kandidatë me pikë të njëjta.

Një nga personat e poentuar me pikë të njëjta ishte edhe Shkumbin Ahmetxhekaj, i cili kishte dalë si kandidati më i poentuar në konkursin e parë. Ahmetxhekaj kishte dal më i poentuari edhe në konkursin e dytë dhe i njëjti është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i RTK-së.