Salla e gjykatës. Foto: Kallxo.com

Vettingu për gjyqtarë dhe prokurorë, i domosdoshëm për kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë

Ministria e Drejtësisë në Kosovë këtë muaj ka hartuar koncept dokumentin për zhvillimin e procesit të vettingut.

Vettingu është proces i përkohshëm për vlerësimin e aftësive profesionale, performancës, integritetit dhe pasurisë së gjykatësve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Qëllimi i këtij procesi sipas koncept dokumentit është ndryshimi i gjendjes aktuale të sisitemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Ky proces synohet të zgjasë pesë vite, ku kujdes të veçantë do t’i kushtohet vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas koncept dokumnetit për zyrtarët e lartë shtetërorë, vlerësimi i performancës do ketë tjetër natyrë dhe të tjera kritere, KGJK dhe KPK vet do të shkarkojnë nëpunësit në shkallë të fundit, ndërsa si instancë për ankimim në rastet e shkarkimit do të jetë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Vettingu do të realizohet për mbledhjen e tri llojeve të të dhënave për gjyqtarët dhe prokurorët, të dhënat rreth aftësive profesionale dhe performancës, të dhënat rreth pasurisë dhe informata të tjera të lidhura me integritetin.

Të dhënat rreth aftësive profesionale përfshijnë rastet kur një vendim paraqet arsyeshmëri të çuditshme e të mangët, ashtu që të rezultojë në mungesë të drejtshmërisë dhe paanësisë.

Po ashtu edhe procesi i vettingut përkrah rekomandimin e ‘Kievit’ se numri i vendimeve të kthyera nga gjykata e nivelit më të lartë nuk mund të shërbejë si kriter për matjen e performancës.

Të dhënat rreth pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve përfshijnë verifikimin e pasurisë së deklaruar dhe kontrollin e  pasurive, ligjshmërinë e burimit të krijimit të tyre, përmbushjes së detyrimeve financiare.

Sipas koncept dokumentit vlerësimi rreth pasurisë do të jetë në drejtim të asaj se a është keqpërdorur pozita si gjyqtar/prokuror për t’i sjellë përfitime financiare vetes apo personit të tretë.

Të dhënat lidhur me integritetin përfshijnë  informatat mbi lidhjet-afërsitë politike ose me grupet e tjera të interesit të kandidatit të cilat ndikojnë në vendimmarrjen e tyre, dhe informata të tjera të mbledhura nga terreni.

Është e rëndësishme që merren edhe informatat mbi varësitë që mund të ketë subjekti i vettingut apo devijime të tjera të lidhura me integritetin, e që do të mund të ndikonin në aftësinë për të gjykuar, apo do ta bënin atë të padenjë për të ushtruar funksionin e tij.

Më ligjin për vetting do duhet të specifikohet qartë se cilat të dhëna mund të mblidhen, procedura e mbledhjes, administrimit dhe përpunimit të tyre e cila duhet të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Mbledhja e të dhënave, informatave dhe ndërhyrjet pasuese do të bëhen në përputhje me Konventën Evropiane për Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën gjyqësore të zhvilluar në çështje si vetingu ose lustrimi, thuhet në koncept dokumnet.

Sipas koncept dokumentit për vetting, pasojë e mos kalimit të këtij procesi është humbja e të drejtës për të aplikuar në pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit.

“Në rast se vlerësimi i mekanizmit është negativ dhe i njëjti propozon shkarkimin e subjektit, të njëjtit do t’i ndalohet aplikimi në pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit, pavarësisht nga cila pozitë është shkarkuar”, thuhet në koncept dokument.

Po ashtu gjyqtari apo prokurori që refuzon t’i nënshtrohet procesit të vettingut do të shkarkohet dhe do t’i ndalohet aplikimi në pozitën e gjyqtarit apo prokurorit.

“Refuzimi i bashkëpunimit të subjektit për t’iu nënshtruar vettingut do ketë pasojë shkarkimin nga pozita si dhe ndalimin për të aplikuar në pozitën e gjyqtarit apo prokurorit”, thuhet në koncept dokument.