Vendimi i ZRRE-së që favorizon Devollët

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse. Tashmë sipas vendimit të ri të Rregullatorit janë caqe prej 20 megavatëve që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me një çmim prej 85.5 euro për megavat.

“Tarifa nxitëse do të vlejë vetëm për aplikuesit të cilët janë të pajisur me vendim mbi Autorizimin Preliminar të lëshuar Rregullatorit të Energjisë Elektrike”, thuhet në vendimin e ZRRE-së.

Deri më tash, vetëm 10 megavat kanë qenë pjesë e tarifave nxitëse, pra me çmim të garantuar, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë të obliguar t’i nënshtrohen çmimit të tregut.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e kompanive të pajisurura me vendim mbi Autorizimin Preliminar, e që do të përfitojnë nga vendimi i ZRRE-së, janë edhe “Devolli Group”. Kjo kompani është në mesin e aplikantëve që kanë marrë autorizime preliminare dhe që janë në listën e pritjes me kapacitete prej 3 megavatëve.

Në një reagim pas këtij vendimi kompania “Devolli Grup” ka thënë se nuk janë të vetmit ata që po përfitojnë nga ky vendim.

“Me këtë rast, ne duam të potencojmë se ”Devolli Group”, si kompani vendore, hyn më mesin e aplikuesve për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese të rrymës me kapacitet të vogël prej 3 MË, kurse ka kompani të huaja të cilat kanë marrë autorizime për kapacitete prej 135MË (mbi 100 herë më të mëdhaja se kapacitetet tona), por për çudi nuk përmenden fare në këta artikuj”, thuhet në reagimin e ‘Devolli Group’, të cilin mund ta lexoni të plotë në këtë LINK.

Lokacioni ku pritet të ndërtohet parku energjetik i Devollëve është në “Madanaj, ZK Kusar, Komuna e Gjakovës”. Në të njëjtin lokacion autorizim preliminar për ndërtim të parkut për energji solare ka marrë edhe “VITA ENERGY”. Edhe kjo kompani do të përfitojë nga vendimi i ZRRE-së për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit prej 3 megavatëve.

Përfitues tjetër është kompania “VBS” Sh.p.K me 3 megavat. Edhe kjo kompani e ka të njëjtin lokacion për ndërtimin e parkut solar, pra në Madanaj të Komunës së Gjakovës.

Bordi i ZRRE-së fillimisht nuk e kishte miratuar vendimin për të rritjet caqet e enërgjisë solare që do të përfitonin nga tarifat nxitëse. Kjo skemë mbështetëse ishte hedhur në votim edhe në mbledhjen e 14 tetorit por nuk kishte kaluar. Në atë mbledhje, skema nuk kishte kaluar për shkak se kanë qenë dy vota për dhe dy kundër.

U.d kryetari i bordit të ZrE-së, Arsim Janova dhe anëtari Besim Sejfijaj kishin votuar kundër ndërsa dy anëtarët e tjerë të bordit, Izet Rushiti dhe Selman Hoti kishin votuar për.

Janova edhe në këtë mbledhje ishte kundër, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë sikur në mbledhjen e 10 korrikut, ku kishte lexuar qëndrimet kundër të Ambasadës gjermane, INDEP-it, MZhE-së, konkluzionet e Këshillit të Ministrave etj.

Më tej, duke argumentuar votën kundër, Janova kishte thënë se rritja e sasisë në +20 megavat është jashtë caqeve.

Për shkak se kishte votim të barabartë votimi për këtë skemë ishte shtyrë për një mbledhje tjetër të bordit të ZRrE-së.

Propozimin që çmimi për megavat për orë të jetë 85.5 euro ka hyrë si pikë shtesë e rendit të ditës në mbledhjen e 27 nëntorit. Propozimi për cmimin e kishte dhënë anëtari i Bordit, Selman Hoti.

“Meqenëse kësaj çështje duhet me iu dhënë një epilog unë duke u bazuar në kornizën ligjore dhe udhëzimin administrative 05/2017 dhe arsyeshmërinë që e ka dhënë zyra jonë ligjore unë mendoj që të bëhet një propozim i ri, nga ai që ka dalë prej departamenteve në konsultim publik prej 90.4 sa ka qenë të jetë në 85.5 euro për megavat/orë”, ka deklaruar Hoti.

Ndërsa anëtari tjetër i bordit të ZRrE-së, Besim Sejfijaj, i cili në mbledhjen e 14 tetorit ishte kundër kësaj skeme mbështetëse, e ka përkrahur propozimin e Hotit në këtë mbledhje. Ai ka ndërruar qëndrim.

“Tash e kemi një propozim të ri, 85.5. Unë e kisha mbështet një propozim të tillë pa hi në obligime të tjera. Me mbështetë zhvillimin e kësaj fushe pa e dëmtu konsumatorin, unë e kisha mbështetë”, ka thënë Sejfijaj.

Rushiti, me propozim të të cilit edhe ka hyrë në rendin e ditë kjo pikë, është shprehur për propozimin që çmimi për megavat për orë të jetë 85.5 euro.

“Në mbledhjen e kaluar nuk ka kalu. Unë pajtohem që asnjë parametër në atë formulën që e cakton çmimin mos të ndryshohet përpos kostos për të cilën jam konsultu për shumë njerëz të kësaj fushe dhe unë pajtohem që të jetë 85.5 euro për megavat/orë”, ka thënë Rushiti.

Kjo ka qenë mbledhja e dytë kur skema mbështetëse ishte hedhur në votim.

Vendimi i Blerand Stavilecit

Pikënisja e këtij vendimi është të cilët janë të pajisur me vendim mbi Autorizimin Preliminar që ka rritur caqet/sasinë e energjisë solare që do të kishte çmim të garantuar të shitjes (tarifat nxitëse). Ky Udhëzim Administrativ ishte miratuar në kohën kur ministër i zhvillimit Ekonomik ishte Blerand Stavileci.

 

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në komentimin e iniciativës së ZRrE-së kishte thënë se tashmë Kosova i ka përmbushur caqet e vendosura si pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. BE-ja madje kishte thënë se për caqe vullnetare nuk duhet të ngarkohen me çmime të larta konsumatorët.

“Ne do të dëshironim t’i rikujtonim ZRRE-së që raporti i implementimit i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (ECS) i vitit 2018 vë në dukje përparimin e bërë në përmbushjen e objektivave të detyrueshme prej 25% deri në vitin 2020 prandaj mbështetja përmes subvencioneve për zhvillimin e kapaciteteve shtesë të BRE-ve, d.m.th. për të përmbushur caqet vullnetare duhet të bazohet në procedurat/mekanizmat konkurrues, të cilat do të lejojnë që të shmanget mbikompensimi i investitorëve”, thuhet tutje në komentin e Zyrës së BE-së.

Alarmi i Ambasadës Gjermane për korrupsion

Ambasada e Gjermanisë përkundër përkrahjes së saj për energjinë e pastër, kishte shprehur shqetësime se skema aktuale e ZRRE-së përmes tarifave nxitëse për aplikantët e parë mbart një rrezik korrupsioni.

Ambasada ka kërkuar nga ZRRE-ja që të ofrojnë opsione tjera të subvencionit të energjisë solare përmes aplikimit të konkurrentëve në një ankand.

Skema aktuale me tarifa nxitëse për Ambasadën mbarrtë rrezik të korrupsionit.

“Në të kundërtën, një tarifë nxitëse e vendosur nga qeveria ose një agjenci qeveritare nuk arrin të identifikojë subvencionin më të ulët të mundshëm; një tarifë nxitëse mund të jetë shumë e lartë (që i kushton shumë Kosovës për më shumë se një dekadë) ose shumë e ulët (nuk do të aplikojnë zhvillues të besueshëm). Gjithashtu, praktika e kaluar e Kosovës për shpërndarjen e licencave për projekte solare 3 MË mbi bazën “kush vjen i pari, shërbehet i pari” mbart një rrezik korrupsioni dhe presioni të panevojshëm nga zhvilluesit jo të besueshëm mbi qeverinë dhe ZRRE-në”, thuhet në mes tjerash në komentet e kësaj Ambasade.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kishte thënë se shteti nuk duhet të mbështesë prodhimin e energjisë së ripërtritshme në dëmë të konsumatorëve.

“Mbështetja e BRE-ve nga shteti duhet të synojë të promovojë përdorimin e energjisë elektrike nga BRE, por jo duke mbështetur padrejtësisht prodhuesit e BRE-ve në dëm të konsumatorëve”, thuhet në komentin e dërguar nga Dirk Buchel, zv.drejtor dhe zyrtarë Ligjor në Sekretariatin e Kumunitetit të Energjisë .

Buchel madje ka përmendur rastin e Shqipërisë që përmes ankandeve ka arritur të sigurojë një çmim të energjisë solare prej 59.9 euro për megavat.

Propozimin e ZRRE-së që të vazhdohet me tarifën nxitëse për energji solare, si dhe të shtohet kapaciteti ishte kundërshtuar edhe nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Në shkresën e tij dërguar tek ZRRE-ja, Lluka kishte thënë se vende tjera janë duke i shfuqizuar tarifat nxitëse. Ai kishte propozuar që në të ardhmen “çmimi për këto projekte të jetë derivat i procedurave përmes skemave konkurruese të tregut”.

Ndaj këtij vendimi sot gjatë ditës ka reaguar edhe partia Lëvizja Vetëvendosje. Ata kanë dorëzuar padi ndaj vendimit të ZRrE-së në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Derisa të merret një vendim përfundimtar, LVV ka kërkuar pezullimin e këtij vendimi.

KËTU mund ta ndiqni mbledhjen e datës 27 nëntor të Bordit të ZRrE-së.

 

Shënim:

30/12/2019  10: 30

Artikulli është edituar duke ju shtuar edhe përgjigja e “Devolli Group”