Arkiv

Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme do të përcaktojë institucionet që do të pajisen me targa të dyfishta

Qeveria e Kosovës, me 12 maj të këtij viti ka marr vendim që të shfuqizohen të gjitha vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ku targat civile kthenen në targa zyrtare.

vendimin Nr.02/30 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, konkretisht në pikën 6, kërkohet të “shfuqizohen të gjitha vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, sipas të cilave institucionet janë pajisur me targa civile, përveç atyre zyrtare”.

KALLXO.com, ka drejtuar pyetje në Qeverinë e Kosovës për të kuptuar se si ky vendim do të funksionoj për institucionet e zbatimit të ligjit siç është Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës në rast se këto institucione kryejnë hetime dhe nëse targat zyrtare mund të jenë pengesë.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Republikës së Kosovës tha se Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të nxjerrë Vendim, në bazë të të cilit do përcaktohet se cilat institucione shtetërore kanë të drejtë të posedojnë dy apo më shumë targa për automjetin e njëjtë.

“Në bazë të Vendimit të Qeverisë, i cili i në pikën 7 i referohet edhe Rregullores Nr.07/2019 për Regjistrimin e Automjeteve, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të nxjerrë Vendim, në bazë të të cilit do përcaktohet cilat institucione shtetërore kanë të drejtë të posedojnë dy apo më shumë targa për automjetin e njëjtë”, thuhet në përgjigje.

Sipas përgjigjeve të qeverisë thuhet se pika 7 e vendimit interpretohet në harmoni me pikën 6. Prandaj sipas Kryeziut, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, gjatë hartimit të Vendimit, do ketë parasysh kompetencat dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe rrjedhimisht, nevojën e tyre për pajisje me targa të dyfishta.

Po ashtu, sipas Kryeziut, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, sipas pikës 7 të Vendimit të Qeverisë dhe Rregullore, mund të vendos edhe në bazë të kërkesave individuale, ku përtej çdo dyshimi do merren parasysh çështjet e sigurisë e të ngjashme, në qëllim të kryerjes së veprimeve të suksesshme të institucioneve.