Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ndalon kandidimin e Albin Kurtit
Dënimi me kusht i Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Faton Topallit dhe Donika Kadaj – Bujupit në shtator të vitit 2018 nga Gjykata e Apelit nuk do t’i privojë nga e drejta e kandidimit për deputetë këta të fundit.
Pak minuta pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili shkarkon Qeverinë Hoti dhe i paraprinë shpalljes së zgjedhjeve parlamentare për shkak të pavlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi me të cilin u votua kjo Qeveri, u ngritën dilema nëse dënimi për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës nga ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje do të bëhet pengesë që këta të dënuar të kandidojnë për zgjedhje.
Megjithatë, të paktën sipas njoftimit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese sqarohet se vetëm personat e dënuar me dënim me burgim efektiv në tri vitet e fundit nuk mund të kandidojnë në zgjedhje.
Pika 11 e njoftimit të Gjykatës Kushtetuese përcakton si në vijim:
“11. Më tutje, Gjykata thekson se fakti që neni 70.3 (6) i Kushtetutës, neni 8.1.6 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe neni 112.1 (a) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i referohen dënimit të deputetit (pra dënimit pasi ai ta ketë fituar mandatin), është reflektim i prezumimit se neni 29.1 (q) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mbështetet në nenin 71.1 të Kushtetutës, nuk lejon që një person i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve të kandidoj për deputet dhe të fitoj mandatin e deputetit.”
Kjo, pikë e njoftimit sqaron se pika (q) e nenit 29.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë duhet të lexohet në lidhje me nenin 71.1 të Kushtetues së Republikës së Kosovës.
Pika (q) e nenit 29.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë përcakton se një person nuk mund të kandidojë për deputet nëse:
q)i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit;
Ky nen si i tillë nuk bën dallim apo përjashtim për llojin e dënimit, mirëpo njoftimi i Gjykatës Kushtettuese e ndërlidhë këtë nen të Ligjit me nenin 71.1 të Kushtetututës së Republikës së Kosovës që përcakton
71.1 “Secili shtetas i Republikës së Kosovës i cili është tetëmbëdhjetë (18) vjeç ose më i madh dhe përmbush kriteret ligjore, mund të jetë kandidat për deputet.
Ky nen i Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk përcakton kufizim për llojin e dënimit i cili i penalizon një qytetar nga e drejta e kandidimit ndërsa njoftimi i Gjykatës Kushtetuese në pikën 11) e sqaron dhe konkretizon këtë situatë duke e vënë theksin tek” dënimi me burg”.
.. se neni 29.1 (q) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mbështetet në nenin 71.1 të Kushtetutës, nuk lejon që një person i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve të kandidoj për deputet dhe të fitoj mandatin e deputetit.”
Po ashtu, pika 17 e njoftimit si vazhdimësi e pikës 11 e definon se kufizimi për të mos qenë i dënuar në 3 vitet e fundit vlen për ”dënim me burgim”.
“… Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjedhën deputet dhe të ushtrojnë mandatin e deputetit”.
Video: Përballja e Albin Kurtit me Gjykatësin Kalludra
www.kallxo.com