Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Vazhdon zvarritja e tenderit skandaloz, 15 fshatra mbetën pa ujë për 3 vjet

Në qershor të vitit 2016 për herë të parë kishte nisur projekti për shtrimin e rrjetit të ujësjellsit, që do t’i furnizonte disa fshatra të Dragashit me ujë të pijes.

Edhe pas tre viteve zvarritje të procesit të prokurimit dhe rishpalljeve të tenderit, komuna e Dragashit nuk ka arritur të përmbyll projektin dhe të fillojë punimet.

Komuna e Dragashit me datën 20 mars të këtij viti për të shtatën herë me radhë kishte anuluar njoftimin për dhënien e kontratës.

Anulimi i fundit kishte ndodhur për shkak se Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), kishte aprovuar ankesën e Operatorit Ekonomik “Puna” Shpk & NN “Info Plus”, të cilët ishin ankuar pasi fituesit e kontratës “NPN Alfa – Ing & Al – Trade shpk”, ishin shpallur nga OSHP-ja të papërgjegjshëm.

OSHP-ja kishte konstatuar se serish kishte shkelje ligjore.

“Paneli shqyrtues vjen në përfundim se egzaminimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të LPP-së dhe njëkohësisht nuk është respektuar edhe neni 60 i LPP-së kriteri kryesor për dhënie të kontratës, e që ka qenë Tenderi i përgjithshëm me çmim më të ulët, sepse është rekomanduar për kontratë Operatori Ekonomik i papërgjegjshëm”, thuhet në vendimin e OSHP-së të datës 20 mars 2019.

Vendimi i OSHP-së detyronte komunën e Dragashit që të anulonte njoftimin për dhënien e kontratës dhe të kthente lënden në rivlerësim dhe Autoriteti Kontraktues që në këtë rast është komuna e Dragashit, në afat prej 10 ditëve duhej ta informonte me shkrim Panelin Shqyrtues të OSHP-së, për të gjitha veprimet e marra në lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.

Vendimin e radhës komuna e Dragashit e ka marrë me 19 qershor 2019, ku ka njoftuar për dhënien e kontratës për grupin e Operatorëve Ekonomikë “Fanaj Inxhinjering” dhe “Lala Shpk”.

E Operatori Ekonomik “Puna” përsëri ishte ankuar ku kishte kërkuar rishqyrtim të tenderit, ku më pas komuna e Dragashit me 20 qershor kishte marrë vendim për të pezulluar aktivitetin e prokurimit dhe të shqyrtonte ankesën e operatorit ekonomik “Puna”.

Pas shqyrtimit të ankesës komuna e Dragashit me datë 26 qershor e ka konsideruar të pabazë atë, duke e shfuqizuar vendimin e datës 20 qershor ku pezullonte aktivitetin e prokurimit dhe i jep të drejtë për zbatim të kontratës grupit të Operatorëve Ekonomikë “Fanaj Inxhinjering” dhe “Lala Shpk”.

“Pretendimet e Operatorit Ekonomik ankues se Autoriteti Kontraktues ka shpallur si fitues Operatorin Ekonomik i cili nuk e plotëson kriterin III.2.4 – Kapacitetin teknik dhe profesional piken C, nuk qëndron pasi pikën e njejtë Operatori Ekonomik i shpallur fitues e plotëson”, thuhet ndër të tjera në vendimin e komunës së Dragashit të datës 26 qershor.

Sipas ligjit në fuqi, pala e pa kënaqur ka të drejtë të ankohet në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik të Kosovës në afat prej 10 ditësh, nga marrja e këtij vendimi.

Gazeta Jeta në Kosovë vazhdimisht e ka përcjellur ‘maratonën’ e projektit të ujësjellsit për disa fshatra të komunës së Dragashit, ku më së shumti po e pësojnë qytetarët e kësaj komune, të cilët po privohen nga e drejta e ujit të pijes.

Maratona e shkeljeve ligjore në tenderin për ujësjellës