Ilustrimi: Jeta Dobranja/Trembelat

Vazhdojnë premtimet ‘joserioze’ për vizat

Liderët e institucioneve të Kosovës, edhe këtë fillim vit janë deklaruar për liberalizimin e vizave, duke përmendur data se kur mund të përfundojë procesi, edhe përkundër faktit se Bashkimi Europian pati kërkuar që të mos afatizohet lëvizja e lirë për kosovarët.

Ndërkohë, deputetë të Kuvendit të Kosovës si dhe njohës të zhvillimeve politike në vend, vlerësojnë se udhëheqësit institucionalë nuk do të duhej të deklaroheshin më për data, për shkak të humbjes së besueshmërisë për çështjen e vizave.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të hënën ka deklaruar se shpreson që liberalizimi i vizave për Kosovën të bëhet në qershor të këtij viti.

“Mendoj se po shkojmë drejt liberalizimit të vizave. Shpresoj shumë se në qershorin e këtij viti do ta marrin atë që është e drejtë e jona – liberalizimin e vizave”, ka thënë Haradinaj.

Edhe ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, javën e kaluar ka deklaruar se do të premtojë data për vizat.

“Po, kam dhënë data dhe do vazhdoj të jap data posa të marr nga BE-ja sepse ato nuk i kam shpikur unë por i kanë thënë zyrtarët të BE-së. Ne po bëjmë çmos që liberalizimi të ndodh sa më shpejt. Kemi zgjedhjet e BE-së në maj, dhe kjo situatë e komplikon procesin e heqjes së vizave të Kosovës”, ishte shprehur ministrja Hoxha.

Ndërkaq, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, ditë më parë, në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, ka thënë se procesi i vizave tanimë është në duar të Këshillit dhe Parlamentit Europian.

“Komisioni Europian konfirmoi në korrik 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe i ka rekomanduar Këshillit dhe Parlamentit Europian të vazhdojë me propozimin e Komisionit. Tani është në Këshill dhe Parlament Europian që të marrë një vendim”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Salih Salihu, ka thënë për Gazetën JnK se, asnjëherë nuk kanë dalë të vërteta premtimet e politikanëve për lëvizjen e lirë.

“Me demarkacionin i cili u votua në Kuvend, u krijua atmosfera dhe përshtypja që do të bëhen vizat dhe në fund doli që ka qenë një mashtrim. Kjo tregon që çështja e vizave është problem politik. Nuk besoj që do të ketë liberalizim të vizave deri më 2020”, tha Salihu.

Sipas deputetit, në këtë proces mund të ketë ndikim dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Siç po shihet, pa përfunduar negociatat me Serbinë nuk do të ketë viza. Mbase do të kryhen shpejt negociatat për shkak se është në interes edhe për Serbinë edhe Kosovën dhe nëse është fjala për këtë, besoj që pastaj edhe BE-ja do të interesohet”, u shpreh deputeti i PSD-së.

Ndërkaq, Korab Sejdiu, deputet i pavarur i Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë, se qeveritarët nuk kanë të drejtë të deklarohen për çështjen e vizave.

“Bazuar në historinë e premtimeve që janë bërë deri sot lidhur me këtë temë, si dhe skandaleve të njëpasnjëshme nga kjo Qeveri, mund të them lirisht se as Kryeministri, e as ndonjë anëtar tjetër i kësaj Qeverie të kobshme për vendin nuk kanë të drejtë të deklarohen me lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave”, tha ai.

Sipas Sejdiut, korrupsioni në vend ka ndikuar edhe në izolimin e qytetarëve.

“Aferat korruptive, skandalet dhe veprimet e tjera të kundërligjshme të subjekteve që përbëjnë këtë Qeveri janë arsyet kryesore pse qytetarët e Kosovës po ndëshkohen me izolim nga BE-ja, përkundër fatit që  në aspektin teknik kemi plotësuar edhe me shumë kushte se sa vendet e tjera qytetarët e të cilave  veç lëvizin të lirë”, shtoi deputeti.

Sejdiu theksoi se në çdo vend normal, dështimet e shumta të një qeverie si kjo aktuale, përfshirë këtu edhe mosliberalizimin e vizave do të mjaftonin për të shkaktuar dorëheqje morale të një qeverie.

“Mirëpo, nuk mund të priten veprime morale nga një strukturë që moti ka zhveshur veten nga të gjitha parimet morale, përfshirë edhe ato më elementaret.  Rrjedhimisht, të gjithë ne mund të shpresojmë për liberalizim të vizave, integrim euro-atlantik dhe prosperitet në përgjithësi, vetëm  atëherë kur e çlirojmë veten nga ata që na e kanë zaptuar shtetin dhe të ardhmen tonë, që fatkeqësisht, aktualisht mbajnë të gjitha postet kyçe në vend, përfshirë Presidencën, Qeverinë dhe ‘shumicën’ dhe Kryetarin në Parlament”, përfundoi Sejdiu për Gazetën JnK.

Kurse, Valmir Ismaili nga Demokracia Plus (D+), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se politikanët vendorë e kanë humbur çdo lloj kredibiliteti sa i përket çështjes së vizave, prandaj, sipas tij, ata nuk do të duhej të deklaroheshin më për data.

“Çfarë duhet të bëjnë ata është që të punojnë edhe më shumë që të bindin ato vende që akoma kanë hezitime që Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave. Çdo premtim nga ana politikanëve vendor më nuk do të merret seriozisht nga qytetarët dhe vetëm sa ndikon në uljen edhe më të madhe të besimit”, vlerësoi analisti.

Ismaili shton se është vështirë të thuhet nëse do të ketë liberalizim këtë vit apo jo.

“Ne po hyjmë në fund të tremujorit të parë të këtij viti dhe nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. Zgjedhjet që do të mbahen në BE vetëm sa do të ngadalësojnë procesin edhe më shumë. Përkeqësimi i marrëdhënies së Qeverisë së Kosovës me BE për shkak të taksës ndaj mallrave serbe ndikon edhe më shumë në ngadalësim të procesit. Për këto arsye, është vështirë që të flitet për liberalizim të vizave në rastin më të mirë para shtatorit të këtij viti”, tha Ismaili.

Dështimi ‘spektakolar’ i vizave

www.kallxo.com