Varësia Pa Krye e Komunave nga Buxheti Qendror

Ndërsa të hyrat vetanake të komunave në Kosovë janë në nivel shumë më të ulët sesa vëllimi i financimit nga buxheti qendror, rezulton edhe një mungesë vullneti i pushtetit lokal për të mbledhur të ardhurat që i takojnë me ligj.

Mesatarja e të hyrave nga komunat është 80 për qind nga planifikimet e tyre buxhetore dhe që ende mbetet një varësi e komunave ndaj buxhetit qendror.

Edhe pse me të hyrat e veta në pesë vjetët e fundit komunat marrin pjesë në buxhetin qendror me mesatarisht vetëm 4.02 për qind, ato vazhdojnë të jenë të varura nga granti që marrin nga qeverisja qendrore.

http://kallxo.com/komunat-te-varura-nga-buxheti-i-shtetit

Të hyrat vetanake të komunave në buxhetin komunal, sipas të dhënave të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në periudhën 2010-2014 mesatarisht ishin 16.53 për qind.

Të hyra më të larta vetanake gjatë kësaj periudhe e kishte Prishtina me pjesëmarrje në buxhetin e saj prej 35.8 për qind, ndërsa më të ulëtat i kishte Kamenica me 4 për qind pjesëmarrje në buxhetin e saj.

Ministri i MAPL-së, Lubomir Mariq, në prezantimin e draft-dokumentin për të hyrat vetanake të komunave të Kosovës, tha se ministria që ai drejton është duke bërë reforma në përmirësimin e administratës lokale.

“Dihet se komunat pjesën më të madhe të nevojave të tyre buxhetore, i plotësojnë nga granti qeveritar, kjo gjë është duke ndikuar në mënyrë negative, në rritjen e nivelit të grumbullimit të të hyrave vetanake të komunave,” tha Mariq.

http://kallxo.com/te-uleta-te-hyrat-vetanake-te-komunave

Edhe pse këto të hyra janë shumë të ulëta, arkëtimi i tyre nëpër vite ka shënuar rritje prej 17.2 për qind në periudhën 2010-2014.

Komunat më së shumti arkëtojnë të hyra vetanake nga tatimi në pronë dhe lejet e ndërtimeve.

Tatimi në pronë si një ndër kategoritë më të qëndrueshme të të hyrave komunale, shikuar në 2010-201,4 ka shënuar rritje prej 52.19 për qind.

Të hyrat komunale për leje ndërtimi për këtë periudhë krahasuar me numrin e banorëve në përgjithësi komunat kanë inkasuar 40.5 euro për kokë banori. Kjo kategori ka pasur rritje prej 1.5 për qind.

Mariq kërkoi një decentralizim financiar të komunave në mënyrë që ato të mbledhin më shumë mjete.

“Në shumicën e komunave të Kosovës ka përmirësime në krahasim me vitet e kaluara sa u përket të hyrave. Ne gjithashtu kërkojmë që të ketë një vetëqeverisje të decentralizuar nga aspekti financiar,” tha ministri.

Rënie në investime

Një nga dukuritë që është shprehur nga viti në vit është edhe mosshfrytëzimi i të hyrave vetanake në vitin kur arkëtohen.

Për vitin 2016, Ministria e Financave ka ndarë 418 milionë euro buxhet për komunat, përderisa në vitin e kaluar ky buxhet ishte 413 milionë euro. Rritja prej 5 milionë euro vjen si rezultat i projeksioneve të të hyrave buxhetore për komuna për vitin 2016.

Për këtë vit, grantet për komuna kanë shënuar rënie për 1 milionë euro në krahasim me vitin paraprak.

Granti i Përgjithshëm për komuna për vitin 2016 është për 11 milionë euro më i vogël krahasuar me vitin paraprak.

Kategoria e pagave, mallrave dhe shërbimeve, subvencioneve dhe kategoria e shpenzimeve komunale ka mbetur e pandryshuar. E vetmja kategori e cila ka rënie në disa komuna është ajo për investime kapitale.

Ministri i Financave Avdullah Hoti gjatë një takimi me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti
Ministri i Financave Avdullah Hoti gjatë një takimi me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti | Foto: KALLXO.com

Komunat që kanë pësuar rënie në investime kapitale janë Juniku, Kamenica, Ferizaj, Kaçaniku, Kllokoti, Vitia, Deçan, Peja, Novobërda, Mitrovica Veriore, Zveçani, Graçanica, Suhareka dhe Rahoveci.

Zveçani është komuna me rënien me të madhe të buxhetit për investime kapitale, në vitin 2015 kjo komunë në ketë kategori ka pasur 377,858 euro, përderisa në vitin 2016 do të ketë 57,107 euro.

Agron Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, kërkoi shmangie të varësisë së buxhetit shtetëror nga të hyrat doganore.

“Problemi më i madh jo vetëm i komunave, por nivelit qendror, është varësia shumë e madhe nga të hyrat doganore. Derisa ta kemi këtë varësi të madhe nga të hyrat doganore, ne nuk do të arrijmë të kemi të hyra të brendshme as në nivel qendror, as nëpër komuna”, tha Demi

Ai tha se këto të hyra duhet të gjenerohen nga zhvillimi ekonomik dhe jo nga deficiti i lartë tregtar që aktualisht ka Kosova.

“E dyta se pse komunat kanë të hyra kaq të ulëta në përgjithësi është zhvillimi i ulët ekonomik,” theksoi Demi.

Një bankënotë euro nën dritë fosforeshente për të hetuar elementet e sigurisë
Një bankënotë euro nën dritë fosforeshente për të hetuar elementet e sigurisë

Stagnim në të hyra dhe shpenzime

Të hyrat komunale për vitin 2016 janë parashikuar të jenë vetëm gjysmë milioni euro më të larta se sa të hyrat e vitit të kaluar.

Sipas buxhetit të Kosovës, për vitin 2016 parashihet të jenë prej 422.2 milionë euro të hyra komunale krahasuar me 421.7 milionë euro që ishin vitin e kaluar.

Ndërsa, shpenzimet komunale të parashikuara për këtë vit kapin vlerën prej 421.1 milionë euro, derisa vitin e kaluar këto shpenzime ishin prej 421.7 milionë euro.

Nga vlera totale e të hyrave komunale, 342.2 milionë euro janë grante qeveritare, ndërsa 80 milionë euro janë të hyra vetanake.

Prej të hyrave vetanake, sipas buxhetit, 5.8 milionë euro janë më shumë të hyra vetanake, krahasuar me ato të vitit 2015, që ishin prej 74.2 milionë euro.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, tha se në këtë ministri është duke u hartuar strategjia për financat dhe janë duke u bërë ndryshime në politikën fiskale për pushtetin lokal.

“Ministria e Financave është duke e hartuar strategjinë për financat në pushtetin lokal, në mënyrë që të krijohet pavarësia e tyre në të hyrat e tyre vetanake”, tha Kasniqi.

zyrtaret_financiare

Pamundësi apo mungesë vullneti?

Por në disa komuna është faktuar, por edhe pranuar nga vetë zyrtarët lokalë, se nuk është zbatuar apo me vetëdije të plotë është shpërfillur ligji për të bledhur taksat.

Gjatë debatit “Jeta në Komunë” në Deçan është vërejtur se ka pasur ngecje në të hyrat buxhetore për vitin 2015, të cilën komuna e justifikoi se ka ndodhur për shkak të vendimit të faljes së borxheve që ka bërë qeveria, dhe si rrjedhojë nuk kanë mundur të ndahen 30 bursa të planifikuara.

Edhe pse janë votuar për t’u shpërndarë nga të hyrat vetanake, kryetari Rasim Selmanaj arsyetohet se nuk është arritur që të kenë aq të hyra gjatë atij viti dhe në mungesë të fondeve nuk janë ndarë këto bursa.

Pamundësia për të arkëtuar të hyrat vetanake është kombinuar edhe me moszbatimin e ligjit nga vetë komunat, çka e pohon vetë kryetari i Deçanit.

“Qytetarët duhet vetë t’i paguajnë këto detyrime, sepse është obligim, por gjendja e vështirë ekonomike e qytetarëve ka ardhur deri të mos realizimi në mënyrë të rregullt të këtyre të hyrave. Ne mund t’ia dërgojmë dhe inspektorin, por është e kotë”, pranon Selmanaj.

Mirëpo, vendimi për faljen e borxheve në këtë komunë ka pasur ndikim vetëm në tremujorin e parë të vitit 2015, pastaj të hyrat kanë vazhduar të mblidhen sipas parashikimeve.

Ky fakt mund të vërehet edhe nga raporti i të hyrave që ka pasur kjo komunë gjatë vitit 2015, për këtë vit janë realizuar 85 për qind e të hyrave të planifikuara apo nga 631 mijë euro që janë paraparë, janë mbledhur 571 mijë euro.

As vetë zyrtarët nuk paguajnë

Ndërsa në debatin “Jeta në Komunë” në Komunën e Junikut që udhëhiqet nga Agron Kuci, niveli i pagesës së detyrimeve që kjo komunë ka arritur t’i mbledhë është mbi 80 për qind.

Komuna e Junikut në vitin 2015 ka inkasuar vetëm 1,820 euro tatim nga bizneset.

http://kallxo.com/premtimet-e-parealizuara-ne-junik-lidhen-me-isa-mustafen

Mirëpo, në këtë komunë ka dhe zyrtarë që as ata vetë nuk i paguajnë detyrimet.

Shpejtim Gacaferri, asamblist i LDK-së kishte të papaguar tatimin në pronë në vlerë mbi 1,100 euro, ndërsa ka një shtëpi të ndërtuar në pronë komunale.

“Të themi të drejtën se është një borxh, mirëpo ne paguajmë çdo vit, pasi që çdo vit nuk ka mundur të paguhet plotësisht. Ky nuk është shumë problem, borxhi do të paguhet, sepse nuk është ndonjë problem”, pohoi Gacaferri.

Por ka edhe nga ata zyrtarë që thjesht refuzojnë të paguajnë për arsye që lidhen me pikëpamjet personale, ideologjike.

Zenel Maloku, asamblist i Vetëvendosje, ka detyrime në vlerë prej 137 euro dhe pohon se nuk do të paguajë, sepse ka keqpërdorim të mjeteve.

“A e din pse nuk po e paguaj? Sepse këtu bëhet një keqpërdorim i madh i mjeteve dhe për këtë arsye nuk po e paguaj”, thotë Maloku.

Edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Fatos Shala, doli se i ka borxh komunës 670 euro si taksë biznesore nga një biznes i tij i mëparshëm, Computer Line.

“Është e vërtet se kemi borxh, nuk po them se nuk do ta paguaj, do ta paguaj shpejtë, pasi që Computer Line që shtatë muaj nuk vepron si biznes, mirëpo këtë borxh nuk do ta vonojmë që ta paguajmë”, tha Shala.