'Urime liberalizimi i vizave...'

Jo rrallë herë, qytetarët e Kosovës kanë marrë premtime e urime për liberalizim të vizave. Madje, zyrtarë të lartë shtetërorë edhe festuan për lëvizje të lirë.

Por, ndonëse jemi afër një dekade nga premtimet, liberalizimi i vizave për kosovarët ende nuk ka ndodhur.

KALLXO.com ka përmbledhur disa nga premtimet publike të zyrtarëve shtetërorë rreth liberalizimit të vizave.

Tri vjet më parë, Presidenti i Kosovës nga zyra e tij, tha se procesi i liberalizimit të vizave tashmë është drejt fundit.

“Procesi për liberalizimi e vizave për Kosovën tanimë nuk është duke i numëruar ditët dhe javët, por mund të themi se është duke i numëruar orët, dhe ky është një lajm i mirë dhe një histori e re për Kosovën”, pati thënë me 2 maj 2016.

Premtime e zotime pati dhënë edhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli në vitin 2016.

“Unë jam shumë i bindur se në fund vitin e këtij viti rinia jonë, bizneset tona e intelektualët tanë do të lëvizin lirshëm anekënd Evropës”, pati thënë Kadri Veseli më 11 qershor 2016.

Kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa ishte i bindur se Kosovës do t’i liberalizohen vizat shpejtë.

“Sot, kosovarët e dinë edhe ditën e afërt se kur ata mund të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian”, kishte thënë kryetari aktual i LDK-së më 4 maj të vitit 2016.

Një festë madje pati ndodhur para tri viteve në zyrat e Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Atë kohë, ministri Bekim Çollaku hapi një shampanjë dhe i uroi qytetarët e vendit për liberalizim të vizave.

“Urime juve edhe qytetarëve, se na edhe sy zyrtar edhe si ministra kemi mujt me pas viza gjithë se kemi pasur problem por më në fund e zgjidhem problemin për qytetarë të zakonshëm”, kishte thënë Bekim Çollaku më 5 maj po të njëjtit vit.

Kur pati vendosur të kandidoj për kryeministër, Ramush Haradinaj tha se brenda tre muajve, kosovarët nuk do të kenë nevojë për viza.

“Jemi vetëm një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Në takimet e shumta anekënd Kosovës e kam thënë se brenda 3 muajsh qeveria jonë do ta mundësojë liberalizimin e vizave. Edhe sot e përsëriti këtë zotim: Me qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër, Austri dhe krejt Evropën”, ka shkruar  Haradinaj në Facebook më 30 maj 2017.

Kryeministri aktual, Ramush Hardinaj dekoroi se detyrat për liberalizimin e vizave i kishin kryer edhe në fund të vitit 2017.

Ndërsa, në mesazhin e fundvitit 2017 nga Presidenti Thaçi, njëra nga fjalitë e tij iu kushtua edhe një herë vizave.

“Vitin tjetër, duhet që pa humbur kohë të kryhen punët tjera të rëndësishme si ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e zi, për t’i dhënë fund izolimit si dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian”, pati thënë Presidenti më 31 dhjetor 2017.

Fillimi i vitit 2018 ishte po ashtu një vit premtimesh për viza.

Një deklaratë paksa të çuditshme më 23 mars 2018 e shprehi edhe njëherë shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj.

Liberalizimi i vizave ka ndodhur, ka ndodhur pardje”, deklaroi i bindur në fjalët e veta Haradinaj.

Premtime për liberalizimin e vizave kishte dhënë edhe ministrja aktuale e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Në një intervistë të dhënë për RTV21 para një viti, ajo besonte se qershori i vitit 2018 do të zhbllokonte lëvizjen nëpër Evropë të qytetarëve kosovar.

Edhe pse premtoi ministrja Hoxha, liberalizimi i vizave nuk ndodhi gjatë vitit 2018. Në një intervistë për KALLXO.com në fund të vitit të kaluar, ajo deklaroi se nuk ndjenë përgjegjësi për dështimin për liberalizim.

Shumë premtime të politikanëve kosovar për liberalizimin e vizave shkuan deri tek zyrtarët në Parlamentin Evropian. Madje, eurodeputetja Tanja Fajton pati një porosi për ata që japin datat e lëvizjes së lirë në vendet e Evropës.

“Premtimi i datës më duket… shumë i papërgjegjshëm … dhe do t’u thosha politikanëve të Kosovës që të përmbahen nga premtime të tilla, sepse kur bëjmë premtime si politikanë, njerëzit presin që ne t’i mbajmë ato dhe ata do të na gjykojnë për atë”, kishte thënë ajo.

Kah mesi i muajit të fundit të vitit të kaluar, shefi i Qeverisë pati thënë se mbyllja e vitit 2018, Kosovën do ta gjej me liberalizim të vizave.

“Besoj se do ta marrim liberalizimin jo shumë larg para Viti të Ri, por kjo nuk ndërlidhet me taksën”, pati deklaruar Haradinaj më 18 dhjetor 2018.

As ky parashkrim i kryeministrit nuk doli të jetë i saktë.

Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kovës jo rrallë herë gjeti vend në diskursin e politikanëve. Pas Samitit të Berlinit i mbajtur më 29 prill të këtij viti në Gjermani, kryeministri Haradinaj solli një lajm të ri për lëvizjen e lirë.

“Unë mund me i thanë Kosovës, urime liberalizimi i vizave. Kur ju kam thënë urime ushtria, nuk kanë besu. Kur thotë ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, ‘Po’ në emër të Qeverisë gjermane. Më nuk ka kurrkush dilema sa i përket Qeverisë së Gjermanisë. Ai ka thanë “PO menjëherë”, tha ai para gazetarëve të enjten.

Por, mosheqja e regjimit të vizave për kosovarët nuk i ka ndaluar ata të synojnë një jetë më të mirë drejt Perëndimit. Gjatë një viti, mbi 90 mijë kosovarë aplikuan për vizë Schengen.

Ndërsa, sipas një raporti të Institutit EPIK, nga viti 2008 deri në vitin 2018, rreth 20 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë migruar nga vendi drejt vendeve të tjera të botës.