"Urat" e shkatërruara mes Vjosa Osmanit dhe LDK-së

Për herë të dytë brenda pesë viteve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është gjendet brenda një skenari të njëjtë, me aktorë të njëjtë dhe me role të njëjta: Vjosa Osmani në njërën anë dhe pjesa tjetër e kryesisë në anën tjetër të “llogorit” politik.

Kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e parë e LDK-së tash e disa muaj është vënë në kundërshtim të hapur të nismave dhe vendimeve të pjesës tjetër të kryesisë dhe grupit të deputetëve, që nga koha kur LDK formalizoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Albin Kurtit, pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Mospajtimet kanë vazhduar edhe më tej dhe kanë shkuar deri aty sa Vjosa Osmani të mos ftohet për të marrë pjesë në forume të partisë.

Me 176,016 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, Vjosa Osmani e cila kandidonte në krye të listës së LDK-së doli kandidatja e dytë më e votuar në Kosovë pas Albin Kurtit të Vetëvendosjes që mori 183,952 vota. Osmani ishte e kandiduara e LDK-së për kryeministre por kandidatura  saj nuk u mor parasysh nga LDK kur kjo parti hyri në diskutime për koalicion të ri qeveritar pas rrëzimit të qeverisë Kurti më 25 mars, 51 ditë pasi ishte votuar në Kuvend.

Mandatimi i Avdullah Hotit për formimin e një qeverie të re në koalicion me AAK-në, NISMA-n, Listën Serbe dhe partitë e pakicave tjera, e kanë prishur edhe më tej raportin ndërmjet tyre.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ishte shprehur i bindur se në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit do të krijohet qeveria e re dhe sipas tij të gjitha subjektet politike përveç Vetëvendosjes janë për një qeveri të re.

“Kemi një deklarim të të gjitha subjekteve politike përveç Vetëvendosjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës se ato nuk dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje në kohë pandemie dhe si deputet nuk duan ta dorëzojnë mandatin sepse e kanë fituar me votën e qytetarit”, kishte thënë Mustafa duke sqaruar se nëse partia e parë nuk e merr mandatin ose dështon që t‘i fitojë votat në Kuvend në rastin e dytë presidenti duhet tua jap mandatin partive të tjera.

Ndërsa, nënkryetarja e kësaj partie Vjosa Osmani e cila mban postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, kishte bërë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese që dekreti i presidentit Hashim Thaçi me të cilin Avdullah Hoti nominohet kandidat për kryeministër të shpallet antikushtetues.

“Kërkoj nga gjykata që të shpallë një Aktgjykim, përmes të cilit konstaton se Dekreti i Presidentit Nr. 24/2020 është në kundërshtim me Kushtetutën sepse nëpërmjet këtij Dekreti, Presidenti i vendit ka tejkaluar kompetencat e veta duke ndërhyrë në kompetencat e institucioneve të tjera dhe rrjedhimisht duke rënë në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve”, kishte shkruar Osmani në letrën për Gjykatën Kushtetuese.

Me 12 maj të këtij muaji në një intervistë televizive në RTK, i pari i LDK-së, ka përmendur edhe Vjosa Osmanin e cila ka shprehur kundërshtime për qeverinë e re dhe për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Mustafa kishte deklaruar për Osmanin se LDK-ja ka investuar te ajo dhe i ka dhënë mundësinë të shkoj përpara, ndërsa është çështje e Osmanit që mos të pajtohet apo ta zhgënjej një pjesë të LDK-së.

“A duhet apo nuk duhet dikush prej njerëzve të LDK-së në të cilët ka investuar LDK-ja i ka përkrah LDK-ja ju ka dhënë mundësinë më të madhe të shkojnë përpara dhe të zhvillojnë karrierën që mos të pajtohet ose që ta zhgënjej një pjesë të LDK-së është çështje e tyre”, tha ai.

Se çfarë kosto do të ketë për Osmanin, Mustafa tha se çdo njëri duhet të mendojë për vetveten pasi, sipas tij, ajo ia ka borxh dhe LDK-së edhe votuesve të LDK-së që të jetë korrekt ose korrekte me besimin që e ka marrë.

“E konsideroj si një përgjegjësi si obligim që edhe zonja Osmani dhe gjithë tjerët e kanë ndaj LDK-së që duhet ta përkrahin LDK-në dhe duhet të luftojnë për LDK-në. Kur hyn në organizatë atë herë duhet ta ndash fatin e organizatës jo vetëm fatin tënd, prandaj mbetet çështje e reflektimit të mëtutjeshëm”, tha Mustafa.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Osmani se cila do të jetë e ardhmja e saj në LDK dhe se cilat janë planet e saj për të lëvizur ose jo nga partia, por ajo nuk u është përgjigjur pyetjeve.

“Aktualisht nuk kemi përgjigje për pyetjet e parashtruara”, ka thënë përmes e-mailit Bekm Kupina këshilltari për media i kryetares së Kuvendit.

Ftohja e parë e raporteve kishte ndodhur në vitin 2015 kur në zgjedhjet e brendshme, Vjosa Osmanit iu pamundësua të kandidojë për kryetare të partisë.

Analistët në anën tjetër kanë komente të ndryshme për mospajtimet e Osmanit ndaj LDK-së.

Analisti Arton Demhasaj tha për KALLXO.com se Osmani dëshiron zgjedhje të reja në Kosovë dhe kjo dëshirë është në linjë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ky është dallim thelbësor që ekziston. Këtë e ka dëshmu Vjosa Osmani edhe me votë që është deklaru kundër shkarkimit të qeverisë Kurti dhe është deklaru publikisht që nuk do ta votojë qeverinë Hoti”, tha Demhasaj.

Për Demhasajn duket e pakuptimtë se si nënkryetarja e partisë vazhdimisht del kundër qëndrimeve të partisë dhe del kundër përkrahjes së partisë së saj për ta udhëhequr qeverinë.

Demhasaj thotë se ka dallime konceptuale mes nënkryetares dhe subjektit të cilit ajo i takon duke përmendur dy rastet kur LDK-së i ka ardhur mundësia për të hyrë në pushtet.

Fillimisht, sipas tij, Osmani kishte kundërshtuar qeverinë e Isa Mustafës, në koalicion me PDK-së, si dhe tani qeverisjen e Avdullah Hotit.

“Janë dallime thelbësore mes Vjosës si nënkryetare dhe lidershipit tjetër të LDK-së dhe janë çështje të brendshme të LDK-së se si i zgjedhin këto probleme. Por, është problem nëse nënkryetarja nuk i përkrah në vazhdimësi politikat dhe qëndrimet e partisë së saj”, tha Demhasaj.

Se cilat mund të jenë masat që LDK mund t‘i marrë ndaj Osmanit, Demhasaj tha se nuk beson që LDK do ta largojë atë nga partia.

“Duke e marrë parasysh se ekziston një përkrahje në publik për Vjosa Osmanin e sidomos në një pjesë të caktume të elektoratit të LDK-së, unë besoj që LDK nuk do ta largojë nga partia atë për shkak të kësaj por në një mënyrë apo tjetër i është bërë e qartë asaj se nëse don me vazhdu ajo mundet me u largu nga partia dhe me gjasë që tashmë po shihet një përafrim i saj me VV-në dhe ndoshta edhe mundet me kalu tek VV ose mundet me mbetë si e tillë në LDK si gjithmonë me kundërshtime të saj dhe duke dalë kundër qëndrimeve të partisë së saj”, tha ai.

“Unë nuk po them se ana e lidershipit  të LDK-së kanë të drejtë as nuk po them që Vjosa ka të drejtë, vetëm po them se konceptualisht është problem me mbetë në një parti kur nuk pranon me e përkrahë qeverinë e asaj partie”, tha ai.

Ndërsa analisti Nezir Kraki tha për KALLXO.com se Osmani e përfaqëson LDK-në në stilin e Ibrahim Rugovës.

Sipas tij, Vjosa Osmani përfaqëson LDK-në institucionaliste që “nuk i dhunon rregullat dhe nuk bën pazare”.

“Udhëheqësia, lideri aktual i LDK-së dhe njerëzit rreth tij kanë mbetur veç LDK, veç logo dhe zyret në Prishtinë, nuk kanë as opinionin, as votuesin, e as filozofinë e LDK-së si institucionaliste, si parti shtetformuese”, tha ai.

Kraki e sheh Osmanin me një LDK të re.

“Për mendimin tim që e kam thënë edhe para zgjedhjeve, LDK do të ndahet. Vjosa Osmanit nuk i konvenon të largohet nga LDK, ajo duhet të qëndrojë në LDK dhe të këmbëngulë në atë që e përfaqëson me të vërtetë sepse është ura e vetme aktualisht lidhëse mes LDK-së si parti në kuptimin historik të saj dhe opinionit votuesve që e kanë votu”, u shpreh ai.

Kraki shtoi se nuk ka mundësi që LDK në formën aktuale ta dënojë apo ndëshkojë personin i cili mbledh më së shumti vota për atë parti.

“Isa Mustafa e din që karriera e tij politike është në mbyllje, disa njerëz rreth tij poashtu. Isa Mustafa nuk pret më që të verifikohet nga votuesit, ai rri i fshehur e tjerët mbledhin vota. Ai e ka vetëm vulën dhe nënshkrimin e partisë”, tha Kraki.