Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Foto: BIRN
Ura e Mitrovicës, Simbol i Ndarjeve në Kosovë
Që prej përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, ura mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës është shndërruar një simbol i ndarjeve midis shqiptarëve në anën jugore dhe serbëve në atë veriore.
Ura e saporinovuar pritej të hapej të premten në një ceremoni ku do të merrte pjesë edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini, por vizita e saj u shty dhe tani është e paqartë se kur do përfundojë puna.
Edhe projekti i financuar nga Europa për rinovimin e saj është shoqëruar nga mosmarrëveshje midis dy palëve.
Ura është “një simbol që na kujton çdo ditë atë që ndodhi në Mitrovicë, para, gjatë dhe pas luftës,” tha për BIRN Sanja Sovrliq, një gazetare lokale serbe.
“Nga të dyja anët e lumit Ibër, ne kemi njerëz që kanë humbur një të afërm ose një mik. Kemi njerëz që lanë shtëpitë e tyre për shkak të dhunës dhe u desh ta fillonin jetën nga e para. Për shkak të këtyre frustrimeve, ka shumë mosbesim midis njerëzve nga komunitete të ndryshme,” shpjegoi Sovrliq.
Roli i urës si një pikë e nxehtë u theksua menjëherë pas luftës, kur trupat paqeruajtëse nga forcat e NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendosën në rast incidentesh në qytet pas tërheqjes së forcave të Beogradit.
“Ura u hap vetëm për një javë. Ushtarët e KFOR-it, nën komandën franceze, u pozicionuan në urë, ku ata filluan të kontrollonin njerëzit,” tha për BIRN Musa Mustafa, një tjetër gazetar nga Mitrovica, i cili ka ndjekur zhvillimet rreth urës që prej vitit 1999.
“Që nga ai çast e në vazhdim, ishte e qartë se kjo pjesë e Mitrovicës po ndahej,” shtoi Mustafa.
Tensionet midis shqiptarëve dhe serbëve vazhduan dhe një vit më pas, mbrëmjen midis 3 dhe 4 shkurtit, një grup vullnetarësh serbë të njohur si “Rojet e Urës” vranë 10 shqiptarë në veri të Mitrovicës, ndërsa rreth 12,000 të tjerë u desh të linin shtëpitë e tyre në pjesën jugore të qytetit.
Dëshmitarët pohuan se dhuna e shkurtit të vitit 2000 u nxit nga Oliver Ivanoviç, një kampion karateje që u bë lideri politik de facto i serbëve vendas. Por Ivanoviç u lirua nga të gjitha akuzat.
Ai u dënua për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve etnikë në Mitrovicë në prill të vitit 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur ai dyshohet se ishte lideri i një njësie policore paraushtarake, por vendimi u rrëzua më vonë dhe tani ai po rigjykohet përsëri.
Arrestimi dhe gjyqi i Ivanoviqit shkaktoi edhe më shumë pakënaqësi në Mitrovicë, ku serbët vendas dolën në rrugë në protesta të zemëruara.
Në vitin 2001, qeveria franceze pagoi rreth 1.5 milionë euro për të rindërtuar urën. Kushtet e kontratës përcaktonin se për të bërë punën duhej të punësohej një ekip multi-etnik i përbërë nga shqiptarë dhe serbë.
“Në fillim s’ishte aspak e lehtë,” risjell në mendje menaxheri francez i projektit, francez Pierre Lottici.
“Çështja është si mund t’i bësh njerëz që kanë luftuar njëri-tjetrin të punojnë bashkë? Por ata e bënë. Për realizimin e punës duhet të mbështeteshim te njerëz me karakter të fortë, si serbë ashtu edhe shqiptarë. Dhe kështu vepruam. E filluam dhe e mbaruam bashkë. Ky ka qenë më shumë sesa një projekt ndërtimi,” shtoi ai.
Tensionet shpërthyen përsëri në mars të vitit 2004, kur pati trazira pasi tre fëmijë shqiptarë u raportua se ishin mbytur në lumin Ibër në Mitrovicë, pasi dyshohej se ishin sulmuar nga serbët, edhe pse ata mohuan çdo përfshirje në këtë ngjarje.
Të nesërmen, me mijëra shqiptarë organizuan protesta në anën jugore të lumit. Paqeruajtësit e KFOR-it e bllokuan urën, por persona të armatosur hapën zjarr dhe shpërthyen përleshjet, me protestuesit shqiptarë që sulmonin pronat serbe.
Dhuna u përhap në të gjithë Kosovën dhe 19 persona – 11 shqiptarë dhe tetë serbë – vdiqën gjatë trazirave të dhunshme. Përveç sulmeve dhe vrasjeve, u dogjën edhe shumë Kisha Ortodokse Serbe.
“Kjo ishte koha më e keqe për Kosovën që prej përfundimit të luftës,” tha Mustafa.
Pas trazirave, të cilat më vonë u dënuan nga qeveria e Kosovës si “një nga episodet më të errëta të historisë tonë të kohëve të fundit”, ura u mbyll. Njerëzit që duhet ta kalonin atë, duhet të ndalonin në një postbllok të KFOR-it që identitetet e tyre të vërtetoheshin.
Një shqiptar vendas, që s’është larguar kurrë nga shtëpia e tij nga veriu i Mitrovicës me shumicë serbe, tha për BIRN se shqiptarët që kalonin urën sulmoheshin rregullisht nga serbët që prisnin në anën veriore të lumit.
“Serbët na rrihnin shpesh. E gjithë kjo ndodhte para syve të ushtarëve të KFOR-it, vetëm 20 metra larg tyre dhe ata nuk bënë asgjë për ta ndaluar këtë,” tha burri, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Në vitin 2011, tre vjet pasi Kosova shpalli Pavarësinë e saj, pati një shpërthim të mëtejshëm të dhunës midis shqiptarëve dhe serbëve.
Në korrik të vitit 2011, Policia e Kosovës mori kontrollin e dy pikave kufitare Kosovë-Serbi në veri, në Jarinjë dhe Bërnjak, duke shkaktuar zemërim në komunitetin lokal serb.
Ndërsa tensionet rriteshin, një karvan policie u sulmua dhe një oficer u vra. Dy nga serbët e dyshuar në vrasje më vonë u liruan nga akuzat.
Rreth 16 barrikada u ngritën nga serbë vendas në shenjë proteste kundër një vendimi të qeverisë së Kosovës për të vendosur personel doganor në pikat kufitare me Serbinë.
Të ashtuquajturit “Rojet e Urës” ndërtuan një barrikadë të madhe prej guri dhe rëre në urën mbi Ibër, duke parandaluar kështu lëvizjen e lirë të automjeteve.
Barrikada u hoq më në fund në qershor të vitit 2014, por ajo u zëvendësua menjëherë me një të ashtuquajtur Parku i Paqes, i bërë kryesisht me dru halorë të mbjellë në vazo të mëdha prej betoni.
Pengesa e re e serbëve shkaktoi protesta të reja midis shqiptarëve të Kosovës, disa prej të cilave u bënë të dhunshme, me disa persona të plagosur dhe automjete të shumta të djegura.
I ashtuquajturi Parku i Paqes u hoq në gusht të vitit 2016, kur filloi rinovimi i urës, pasi u arrit si pjesë e bisedimeve të lehtësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit të cilat synonin normalizimin e marrëdhënieve.
Rinovimi po financohet nga BE-ja me një kosto prej më shumë se 1.2 milion eurosh dhe ka për qëllim të lehtësojë kontaktet midis banorëve në veri dhe jug të qytetit.
Ura duhet të hapej si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet me 20 janar, por kjo u shty për shkak të rritjes së një tensioni të ri, pasi autoritetet lokale serbe filluan ndërtimin e një muri betoni dy metra të lartë pranë urës.
Edhe pse autoritetet serbe thanë se ai ishte një mur mbështetës për një shëtitore pranë lumit, zyrtarët e Prishtinës e panë atë si një përpjekje për të parandaluar lëvizjen e lirë dhe urdhëruan ndalimin e punës për ndërtimin e tij.
Pas një takimi të gjatë midis liderëve lokal serbë të Kosovës dhe zyrtarëve të Prishtinës, i cili synonte të shpërndante tensionet e shkaktuara nga mosmarrëveshja, serbët e shembën murin muajin e kaluar.
Tani ura e rinovuar duhet të rihapet të premten në një ceremoni në të cilën do të marrin pjesë shumë zyrtarë, përfshirë Mogherini – një tjetër shenjë e statusit të fuqishëm simbolik të strukturës.
Edhe pasi ura të rihapet më në fund, disa vendas janë skeptikë për mundësinë e progresit. “Mitrovica do të jetë e ndarë, të paktën edhe për disa vjet. Shpresoj të bëhet më mirë,” tha për BIRN Hamdi Sejdiu, një shqiptar 70-vjeçar që po shikonte punën në urë.
“Shpresoj të përfundojë mirë, por nuk e besoj. Mund të hapet tani, por mjafton vetëm një problem i vogël që të shpërthejnë përsëri tensionet,” tha Behxhet Mehmeti.
Kur filloi puna për rindërtimin e urës në gusht 2016, si serbët vendas ashtu edhe shqiptarët vendas e panë atë me optimizëm – si një shenjë që marrëdhëniet normale midis banorëve të qytetit mund të rregulloheshin.
Por pas mosmarrëveshjeve të fundit dhe armiqësive të ndërsjella, ata shpresojnë se një ditë ura do të përmbushë funksionin e saj primar dhe asnjë tjetër – t’i mundësojë njerëzve lëvizjen mbi lumin Ibër.
“Që kjo urë të shndërrohet në një vend për të bashkuar njerëzit, duhet vullnet politik nga të dyja anët e lumit,” tha Sovrliq.
“Dhe për të ndërtuar besimin, padyshim që na duhet më shumë kohë, sepse gjatë 18 viteve të fundit, nuk na janë shëruar të gjitha plagët.”