Udhëkryqi zgjedhor i LDK-së

Ndonëse përbëjnë gjysmën e popullsisë së Kosovës, gratë nuk përfaqësohen njëjtë në institucione publike e parti politike.

Aktualisht asnjëra nga 38 komunat e Kosovës, nuk e kanë udhëheqet nga ndonjë grua. Ndërsa, katër nga këto komuna, Dragashi, Mamusha, Ranillugu e Shtërpca nuk e kanë asnjë drejtoreshë komunale grua.

Gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet as në ekzekutivin kosovar. Nga 21 ministri, vetëm dy udhëhiqen nga gratë, ndërsa nga 76 zëvendësministra, sipas një raporti të Demokraci Plus, vetëm 6 prej tyre janë gra.

Gjatë këtij viti, Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar përgatitjet administrative dhe teknike për realizimin e zgjedhjeve brenda vetë partisë.

Tani ky subjekt është në fazën fillestare të zgjedhjeve dhe ende nuk kanë mbajtur kuvendet e nëndegëve ku shpallen kandidaturat dhe zgjedhën kryetarët e nëndegëve.

Besian Mustafa zëdhënës i LDK-së tha për gazetën Jeta në Kosovë se LDK-ja ka 938 nëndegë dhe 38 degë.

Zëdhënësi i kësaj partie tha se pa përfundimin e zgjedhjeve të nëndegëve dhe degëve nuk mund ta dinë datën se kur do të ketë zgjedhje të Kuvendit të LDK-së për kryetar të partisë.

“Është e pamundur që ta caktojmë datën e zgjedhjeve të kuvendit të LDK-së sepse ne i kemi 938 nëndegë, 38 degë tash për me iu dhënë hapësirë të gjithëve për me mbajtë proces të rregullt e demokratik merr kohë. Është e pamundur me ditë saktë datën. Është çështje maj, qershor, korrik por është e pamundur me thënë”, tha ai.

Sa i përket kandidatëve potencialë për kryetar të LDK-së, Mustafa tha se është herët për të folur për këtë temë pasi, sipas tij, për të qenë kandidat potencial duhet që kandidati ta ketë të paktën gjysmën e votave plus një për t’u nominuar.

I pyetur për kandidimin e mundshëm të Lufti Hazirit dhe Vjosa Osmanit, zëdhënësi Mustafa tha se kandidatura shpallet në Kuvend të partisë.

“Sa i përket gatishmërisë së Lufti Hazirit, ka qenë më shumë shprehje vullneti sepse zyrtarisht kandidatura shpallet në kuvend të partisë. Për mu marr si kandidat potencial duhet me i pas të paktën gjysmën e votave ose 50 për qind plus 1”, tha Mustafa.

Kurse, sa i përket pozitës së gruas në LDK, Mustafa tha se statusi dhe gjitha rregullat e partisë nuk e pengojnë kandidimin e tillë.

“Kjo krejt varet prej mbështetjes së votuesve brenda strukturës së partisë. Kurrgjë nuk e përjashton që kryetari i ardhshëm i partisë me qenë i gjinisë femërore”, tha Mustafa.

Kryetari aktual LDK-së Isa Mustafa, në mars deklaroi se partia që drejton do të jetë e hapur për çdonjërin që dëshiron të kanditoj.

“Do t’i japim mundësi çdonjërit që e sheh veten të gatshëm ta merr përgjegjësinë, të mbajë unitetin në LDK, të mbaj orientimin Rugovian të LDK-së të një partie të qendrës së djathtë, të sfidohet me këtë. Kjo do të jetë e hapur për çdonjërin”, tha Mustafa.

 Sfidat e grave për të udhëhequr partitë politike në Kosovë

Dy gratë që kanë përvoja në pozita udhëheqëse të partisë nuk e shohin sfiduese udhëheqjen e partisë duke vlerësuar se gratë janë në shumë raste, më të shkathta se burrat.

Në një bisedë për Gazeta Jeta në Kosovë, Kaqusha Jashri ka rrëfyer përvojën e saj në udhëheqjen e Parisë Socialdemokrate për më shumë se 10 vjet.

Sipas saj, ajo nuk e ka pasur të vështirë kryesimin e partisë për shkak të përvojës së mëhershme.

“Më duket se e kam pas më lehtë se gratë e tjera se unë nuk kam fillu angazhimin politik në Partinë Socialdemokrate dhe nuk ka qenë për mua një nevojë për me kallxu veten si udhëheqëse sepse edhe më herët jam marr me aktivitete politike. Kam qenë fytyrë e njohur”, thotë ajo.

Jashari tha se pas propozimit që ia bënë për t’u zgjedhur kryetare në vitin 1998, në fillim nuk kishte kundërshtuar shumë por nuk kishte menduar se ishte rendi të bëhej ajo kryetare e partisë.

“Pas mandatit 10 vjeçar unë vetë kam kërku që të bëhet një freskim dhe kam propozu që të mendojmë për dikënd”, deklaron Jashari.

Sipas saj, pas shpalljes së pavarësisë profilizimi i partive politike ka filluar, por sipas Jasharit ende janë liderët më me rëndësi sesa programi.

“Është e vërtetë që opinioni jonë ende shkojnë pas liderëve e jo pas programit. Opinioni jonë ende nuk janë të gatshëm të përkrahin femrën. Kosova ka gra shumë të afta por nuk i jepet mundësia sepse te vota diçka po ndodhë”, thekson Jashari.

Njëra prej grave që është duke udhëhequr aktualisht me një subjekt politik është Mimoza Kusari – Lila. Në një deklarim për Gazetën Jeta në Kosovë, Kusari- Lila thotë se ardhja në krye të Alternativës është si rezultat i karrierës së më hershme institucionale.

“Për mua, ardhja në krye të partisë ka qenë një evolucion i krejt karrierës së më hershme institucionale politike qoftë prej asaj çka kam identifiku sa isha nënkryetare e AKR-së, por gjithashtu nga përvoja institucionale”, tha Kusari- Lila.

Sipas saj, për gratë në politikë sa mund të ketë sfida mund të ketë edhe mundësi.

Ajo porosit gratë në secilën parti që të kandidojnë për të marrë pozita udhëheqëse brenda partive politike.

“Mendoj që së pari gratë në secilën parti duhet të mos hezitojnë të kërkojnë dhe ta sfidojnë vetën në garë për pushtet për kreun e partisë. Zakonisht ende pa pas proces të mirëfilltë të garës ka tërheqje të grave ose deinkurajim për të kandiduar”, deklaron tutje Kusari- Lila.

Sipas kryetares së Alternativës, gratë janë më të afta të udhëheqin proceset e avancimit të vendit.

“Ka nevojë shumë më tepër të ketë prezencë të grave në vendimmarrje qoftë si kryetar i partisë qoftë në krye të funksioneve të ndryshme edhe në ekzekutiv në mënyrë që të shihet se gratë janë të afta dhe shpeshherë me të afta sesa burrat që ti udhëheqin proceset e avancimit të vendit”, tha Kusari- Lila duke shtuar se ngecjet në vend janë si rezultat i mos përfshirjes së grave në vendimmarrje.

Sa i përket zgjedhjeve të brendshme në LDK, Kusari- Lila shpreson që Vjosa Osmani do të jetë njëra nga kandidatet që do të sfidohet për kryetare të partisë.

“Unë shpresoj që Vjosa do të jetë një nga kandidatet por gjithsesi se do të jetë situatë krejt ndryshe nëse ajo vendosë me garu. Shpresoj që do të jetë njëra nga kandidatet që do të sfidohet për kryetare të partisë”, thotë ajo.

Edhe Kaqusha Jashari shpreson që në një të ardhme të afërt të vlerësohet kualiteti dhe dija e personit, jo vetëm përkatësia gjinore.

Gazeta ka tentuar të marrë një deklarim edhe nga deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani se cilat janë mundësitë që ajo të kandidoj për të paren e kësaj parie, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Për liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, zgjedhjet e brendshme në LDK synojnë forcimin e mëtejmë të partisë që sipas tij gëzon besimin më të madh në Kosovë.

Mustafa përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, tha se po informohet çdo ditë se është duke u zhvilluar një proces i suksesshëm dhe demokratik.

Sipas tij, ka edhe interesim të gjerë për anëtarësime të reja në LDK.

https://kallxo.com/mustafa-ldk-ja-nuk-ka-kandidat-per-kryetar-apo-kryetar-ne-largim/