Ratko Mlladiq në gjyq. Foto: Beta.

Tribunali i Hagës dhe Serbët Shpenzuan 2 Milionë Euro për Gjyqin e Mlladiqit

Ekipi i mbrojtjes i ish-udhëheqësit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, plus vizitat e të afërmve të tij në njësinë e paraburgimit dhe ndihma financiare për të personalisht, i kanë kushtuar Tribunalit të Hagës, serbëve të Bosnjës dhe Serbisë mbi dy milionë euro.

Ekspertët e kanë përshkruar rastin e Ratko Mlladiq si një nga më të vështirët e dëgjuar ndonjëherë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ICTY, por pasi ish-shefi ushtarak serb i Bosnjës pret vendimin e tij më 22 nëntor, është e qartë se ai gjithashtu ka qenë shumë i shtrenjtë.

Ekipi mbrojtës i Mlladiqit i përbërë nga avokatët, Branko Lukiq, Miodrag Stojanoviq dhe Dragan Ivetiq plus tetë ndihmësit e tyre, i kanë kushtuar ICTY-së rreth 1,945,500 euro deri në fund të paraqitjes së provave në gjykim në prill të vitit 2016, tha Stojanoviq.

Të tre avokatët gjithashtu morën dhjetë bileta aeroplani nga ICTY për të ardhur në Hagë dhe të marrin pjesë në gjyqin, i cili kushton rreth 37 mijë e 500 euro, sipas Stojanoviq.

Serbia gjithashtu ka kërkuar të ndihmojë Mlladiqin duke i dhënë atij 11 mijë e 400 euro personalisht gjatë katër viteve të fundit, ndërkohë që kostoja e vizitave nga familja e tij e paguar nga Serbia, duke përfshirë biletat e aeroplanit dhe kostot e udhëtimit, arriti në 41 mijë e 800 euro, tha Ministria serbe e Drejtësisë .

Republika Srpska, entitet boshnjak i dominuar nga serbët ka shpenzuar para vetëm për të ndihmuar Mlladiqin personalisht, jo për ekipin e tij të mbrojtjes. Qeveria e Republika Srpska tha se i dha dy pagesa ndihmëse për Mlladiqin në 2013 dhe 2016, 5 mijë e 128 euro çdo herë.

Pagesat e kombinuara shkojnë deri në 2,045,956 euro.

Pas 16 vjetësh në arrati, Mlladiq u arrestua në vitin 2011 në Serbi dhe u ekstradua në ICTY për t’u përballur me akuzat se si komandant i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, ai ishte përgjegjës për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995 dhe në gjashtë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992 .

Ai është akuzuar gjithashtu për përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve anembanë vendit, duke terrorizuar popullatën e Sarajevës dhe duke marrë peng paqeruajtësit e OKB-së.

Mlladiq u përball me gjyqtarët e ICTY për herë të parë në korrik të vitit 2011.

Avokati i Mlladiqit, Stojanoviq shpjegoi se kostoja e mbrojtjes llogaritet nga Tribunali në tri faza, paraburgim, gjykim dhe ankesë.

“Tribunali paguan ekipin e mbrojtjes dhe ndihmësit e Mlladiqit në kategori të ndara”, tha Stojanoviq për BIRN.

Faza e paraburgimit, e cila zgjati nga maji i vitit 2011 deri në maj të vitit 2012, i kushtoi ICTY-së 10 mijë euro në muaj për avokatët dhe 8 mijë euro për asistentët. Në total, kostoja e kësaj faze arriti në 216 mijë euro.

Faza e gjykimit zgjati 47 muaj, nga maji i vitit 2012 deri në prill të vitit 2016, dhe tarifat e avokatëve dhe asistentëve ishin për këtë arsye shumë më të larta.

“Ekipi i avokatëve mori rreth 21 mijë euro në muaj në fazën e gjykimit, ndërsa asistentët morën gjithsej 15 mijë euro në muaj”, tha Stojanoviq.

Sipas Stojanoviq, Tribunali kaloi një total prej 1,692,000 euro gjatë fazës së gjykimit.

Ekipi i avokatëve gjithashtu kishte të drejtën e dhjetë biletave të aeroplanit në vit gjatë fazës së gjykimit, të cilat kushtojnë rreth 250 euro për avokat. Biletat i kushtuan Tribunalit në total prej 37 mijë e 500 euro.

Ekspertët dëshmitarë janë paguar nga gjykata e Hagës përmes një buxheti të ndarë, shpjegoi Stojanoviq.

“Një orë e ekspertit kushton 100 euro dhe na janë llogaritur 150 orë, kështu që na është dashur ta bëjmë të gjithë rastin me gjithsej 15 mijë euro, ose ndoshta 20 mijë euro”, tha ai.

Gjithsej shtatë ekspertë u thirrën nga mbrojtja për të dëshmuar.

“Kjo është pjesa me të cilën kemi pasur më shumë vështirësi, vetëm ekspertët e balistikës kanë kërkuar rreth 5 mijë euro për ekspertizë, kemi argumentuar me gjykatën, kemi shkruar apele, sepse hasëm antagonizëm dhe pengesë të përhershme … Ne madje dhamë disa nga paratë tona për të paguar për ekspertët. Paratë që Haga i akordoi thjesht nuk ishin të mjaftueshëm për të paguar ekspertë të mirë”, tha Stojanoviq.

Faza e apelimit të gjykimit do të fillojë vetëm pas vendimit të shkallës së parë, i cili është caktuar për në 22 nëntor.

Serbia dhe Republika Srpska kanë kërkuar gjithashtu të ndihmojnë Mlladiqin gjatë kohës së tij në paraburgim dhe të ndihmojnë familjen e tij.

Autoritetet serbe i dhanë familjes së Mlladiqit një total prej 41 mijë e 800 euro si pjesë e një projekti të ndihmës për njerëzit e akuzuar ose të dënuar nga ICTY. Fondet janë shpenzuar për pagesën e tarifave të udhëtimit dhe biletave për tre anëtarë të familjes së Mlladiqit gjatë vizitave të tyre në Hagë ndërmjet viteve 2013 dhe 2017.

Ministria serbe e drejtësisë konfirmoi se të afërmit e Mlladiqit kanë fluturuar për në Hagë 82 herë.

Serbia gjithashtu ka ndarë gjithsej 200 euro në muaj për Mlladiqin personalisht që nga prilli i vitit 2013. Deri më tani ka marrë 11 mijë e 400 euro. Këshilli Kombëtar i Serbisë për Bashkëpunimin me ICTY miratoi një vendim në vitin 2013 për të ndihmuar financiarisht të dënuarit e Hagës dhe ata të dyshuar për shkelje të ligjit humanitar si dhe familjet e tyre.

Autoritetet serbe të Bosnjës kanë përdorur Qendrën e Luftës, Krimeve të Luftës dhe Personave të Zhdukur të Republikës Srpska për të paguar Mlladiqin për të bërë dy pagesat prej 5 mijë e 128 euro në vitin 2013 dhe 2016. Qeveria tha se këto fonde u caktuan për “persona të arrestuar nga Tribunali i Hagës”.

BIRN u përpoq të merrte informacion në lidhje me koston totale të gjykimit, duke përfshirë shumën e marrë nga prokurorët, gjykatësit dhe stafi i ndryshëm i TPNJ-së, por Tribunali nuk e ofroi këtë informacion.

Sipas Stojanoviq, kostoja e pjesës tjetër të stafit të ICTY duhet të jetë tre herë më e madhe se buxheti i mbrojtjes, dhe do të arrinte në gjashtë milionë euro.

Ai shpjegoi se seancat e Mladiqit kategorizohen si një rast i nivelit A, që është lloji më i vështirë i çështjes përpara Tribunalit, që do të thotë se avokatët dhe personeli tjetër që punon në të janë më mirë të paguar se në rastet e zakonshme në gjykatën e Hagës.