Trepça ‘veriore’ nxjerr në shitje koncentratin e zinkut dhe plumbit për 9 milionë euro

Ndërmarrja Trepça, që menaxhohet nga serbet e veriut të Kosovës kanë hapur ankand për shitjen e koncentratit të zinkut dhe plumbit që planifikojnë të prodhojnë në 12 muajt e ardhshëm. Kjo pjesë e Trepçës planifikojë t’i arkëtojë deri në 9 milionë euro nga shitja e prodhimit të saj.

Ankandi i publikuar ndaras nga pjesa jugore e Trepçës dëshmon për menaxhim të ndarë të dy pjesëve të Trepçës. Këto dy pjesë, më herët janë njohur si njësi autonome të një ndërmarrje, ndërsa me kalimin e ligjit për Trepçën dhe vendosjen e organeve vendimmarrëse të saj, Trepça njihet si ndërmarrje e vetme.

Ardian Syla, kryetar i bordit të Trepçës e pranon se ka çalime në bashkëpunimin me njësitë e Trepçës që janë në veri të Kosovës.

“Kemi probleme, ka ngecje në këtë aspekt, për shkak se ata nuk i kanë deleguar anëtarët në bordin mbikëqyrës. Presim shumë shpejt që kjo çështje do të rregullohet prej Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kemi komunikime, dhe në njëfarë forme, aprovimet për shitjen e koncentratit dhe eksportin e tij, merren nga Bordi Mbikëqyrës përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Mirëpo ka pengesa dhe nuk e kemi një bashkëpunim qysh i kemi me njësitë e tjera të ndërmarrjes Trepça”, ka thënë Syla.

Njoftimi për ankand është publikuar si “Trepça -Ndërmarrje në Administrim të AKP”, në kundërshtim me Ligjin për Trepçën i cili e përcakton qeverinë e Kosovës si aksionarin kryesor të kësaj ndërmarrje.

Ndërmarrja në ftesën për ofertim thekson se e njëjta vlen për zinkun e  prodhuar në Trepçë, nga në minierat në Crnac dhe Belo Brdo, të përpunuara në impiantin e flotacionit në Leposaviç.

“Ofertimi është i hapur për të gjithë ofertuesit e interesuar që përmbushin kërkesat minimale për kualifikim”, thuhet në njoftim.

Ofertat është planifikuar të dorëzohen në zyrën e kësaj ndërmarrjeje në Zveçan.

“Ofertat do të hapen në prezencë të përfaqësuesve të ofertuesve të cilët dëshirojnë te marrin pjese në adresën e cekur më lartë”, thuhet në njoftimin për ofertim për shitje.

Syla thotë se vitin e kaluar e kishin miratuar kontratën e nënshkruar nga pjesa veriore e Trepçës për shitje të plumbit. Por, këtë vit ka ndryshim të statusit të Trepçës krahasuar me vitin e kaluar, meqë me 6 shkurt ka hyrë në fuqi statuti i Trepçës, që e ka rikonfirmuar pronësinë e Qeverisë së Kosovë në krejt asetet e kësaj ndërmarrjeje, duke përfshirë ato që gjenden në komunat në veri të Kosovës.

Kryetari i Bordit mbikëqyrës të Trepçës, Ardian Syla pret që kontrata për shitjen e prodhimit të minierave që janë në pjesën veriore të miratohet nga MZHE-ja dhe bordi që drejton ai.

“Ato janë kontrata 1 vjeçare, vitin e kaluar i kemi aprovuar kontratat përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Tash ata planifikojnë me i shpallë kontratat për shitjen e plumbit dhe zinkut për vitin e ardhshëm. Kemi qenë në dijeni mirëpo aprovimi i atyre kontratave, para se me u lidh ato duhet të vijnë në bordin mbikëqyrës dhe në koordinim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik ne do ti ndërmarrim hapat lidhur me aprovimin e atyre kontratave”, tha Syla. “Kemi qenë në dijeni sepse kontratat kanë qenë 1 vjeçare dhe vitin e kaluar i kemi aprovuar ato dhe ata në kohën e duhur e kanë bërë publikimin, njëjtë qysh planifikon ta bëjë edhe njësia në jug.”

Ndërmarrja “Trepça” është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare (ARBK) si Shoqëri Aksionare me 8 mars 2019.