Trepça përplas politikanët e Kosovës me BE-në

Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut final Kosovë-Serbi. Kjo është deklarata e zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq, e dhënë sot, e cila ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë.

I pari që e kundërshtoi fuqishëm këtë ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e pas tij edhe zyrtarë të tjerë, përfshirë ministra e deputetë.

Komente për këtë temë pati edhe ish-kryenegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri.

Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha se BE-së i ka humbur rruga në oborr.

“Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

https://kallxo.com/haradinaj-per-trepcen-be-se-i-ka-humbur-rruga-ne-oborr/

Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se deklaratat e BE-së kanë rrënuar çdo perspektivë të dialogut.

“Trepça, as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë çështje e hapur në dialogun me Serbinë. Me këtë gjuhë, BE është duke e rrënuar çdo perspektivë të dialogut dhe fqinjësisë së mirë. Trepça është e drejtë natyrore e shtetit të Kosovës. Sot dhe përgjithmonë”, tha Veseli.

https://kallxo.com/veseli-deklaratat-e-be-se-kane-rrenuar-cdo-perspektive-te-dialogut/

Kurse, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha për KALLXO.com se kjo deklaratë është e papranueshme sepse dëmton rëndë procesin e zhvillimit të Trepçës.

“Trepça është brenda territorit të Kosovës që është shtet sovran, gjë që kjo është e konfirmuar edhe nga Parlamenti i Kosovës këtë të shtunë që është aprovuar statuti i Trepçës. Tema e Trepçës absolut asnjëherë nuk guxon të jetë pjesë e bisedimeve sepse ka tendenca për dëmtimin e saj”, tha Lluka.

https://kallxo.com/ministri-i-haradinajt-trepca-nuk-guxon-te-jete-teme-e-diskutimit-ne-dialog/

Edhe zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, e ka kundërshtuar fuqishëm këtë deklaratë.

“I shokuar nga deklaratat për Trepçën të zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijançiq. Absolutisht e papranueshme që BE të japë deklarata të këtilla të pamatura që edhe mund ta dëmtojnë procesin e dialogut me Serbinë. Resurset kombëtare të Kosovës kurrë nuk do të jenë pjesë e dialogut”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Deputetet e cilësojnë të anshme BE-në

Se BE-ja po i ‘mban’ krahun Serbisë deklaruan edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albulena Haxhiu.

Osmani, që është nga LDK, tha për KALLXO.com se deklaratat e BE-së që ndërmarrja publike “Trepça” të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, tregojnë anim për Serbinë.

“Është një qasje e papranueshme dhe bllokuese ndaj dialogut që tregon njëanshmërinë e zyrës së Mogherinit në dialog. Çështja e pronësisë mbi Trepçën dhe çdo prone tjetër tashmë është zgjidhur me planin e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës”, tha ajo.

 

https://kallxo.com/osmani-per-trepcen-problemin-kryesor-e-kemi-brenda-kosoves-eshte-presidenti-thaci/

Kurse, deputetja Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje tha se BE-ja duhet ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës.

“Deklarata të papranueshme madje skandaloze. Ne nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që pasuritë tona kombëtare, në këtë rast siç është Trepça, të kontestohet pronësia ose të vihen në pazare. Qasja e tillë e BE-së duhet të ndryshojë urgjentisht. Padrejtësitë duhet të marrin fund”, tha Haxhiu për KALLXO.com.

https://kallxo.com/albulena-haxhiu-qasja-e-be-se-ndaj-kosoves-duhet-te-ndryshoje/

Edita Tahiri: Mogerhini ka marrë anën e Serbisë

E ish-kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, e ka kundërshtuar fuqishëm deklaratën e zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq që në dialogun final mes Kosovës dhe Serbisë të futet edhe Trepça.

“E kundërshtoj fuqishëm këtë deklaratë skandaloze dhe luftënxitëse nga ana e Zyrës së Mogherinit, që tregon se zonja Mogherini ka marrë anën e Serbisë, duke dhe humbur besueshmërinë për të qenë ndërmjetësuese të paanshëm i Dialogut të Brukselit. Ky nuk është qëndrim i BE-së, por vetëm i disa zyrtareve që janë në rrugë të gabueshme”, tha ajo për KALLXO.com

https://kallxo.com/tahiri-mogerhini-dhe-kocijanciq-nuk-po-i-sherbejne-be-se/

KDI: Nëse Trepça futet në dialog, do të kërkohet një kompromis për të

Ndërsa, Violeta Haxholli nga KDI thotë se Kosova duhet ta ruajë qëndrimin se Trepça nuk do të bëhet pjesë e dialogut final.

Nëse ka dialog për një temë, në fund të dialogut për të do të ketë një kompromis. Nëse Trepça bëhet temë e dialogut, Kosovës pastaj do t’i kërkohet të bëjë një kompromis rreth saj. Prandaj pala e Kosovës duhet ta ruajë qëndrimin se Trepça nuk do të bëhet temë e dialogut, pavarësisht presioneve nga bashkësia ndërkombëtare. Kosova ka të drejte të këtë vija të kuqe në dialog”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia janë në fazën finale të dialogut.

Muaj më parë Kosova kishte vënë taksë 100% ndaj Serbisë, gjë që u kundërshtua fuqishëm nga BE dhe Amerika.

Po ashtu në kuadër të kësaj faze, Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit që e lamë pas ka krijuar ekipin negociator në mënyrë që kompetencat e këtij dialogu të mos i takojnë vetëm presidentit, Hashim Thaçi.

Ky ekip nuk u përkrah nga partitë opozitare LDK e VV, por PSD është pjesë e këtij ekipi me liderin e kësaj partie, Shpend Ahmeti.

Ekipi negociator, mes kritikave dhe lëvdatave për unitet në dialog