Korrupsioni - Foto: REL

Transparency International: Kosova shënon regres në luftën kundër korrupsionit

Përveç mosliberalizimit të vizave dhe mos anëtarësimit të Kosovës në Interpol, vendi po ashtu ka shënuar regres edhe në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit që e lamë pas.

Kështu po thotë organizata Transparency International, e cila mat nivelin e korrupsionit në vendet e ndryshme të botës.

Transparency International dje ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018.

Sipas këtij indeksi, Kosova u radhit e 93-ta me 37 pikë, në krahasim me vitin që e lamë pas që ishte në vendin e 85-të me 39 pikë.  Kurse në vitin 2016 ajo ishte radhitur në vendin e 95.

“Disa nga sfidat më të mëdha anti-korrupsion në Kosovë përfshijnë transparencën e pamjaftueshme, institucione dhe sundim të ligjit të dobët dhe hapësirë të pamjaftueshme për angazhimin e qytetarëve”, thuhet në raportin e Transparency International.

Sipas deputetëve të Kuvendit të Kosovës, rezultatet e dala janë reflektim i gjendjes aktuale në vend. Kurse sipas kreut të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, korrupsioni nuk është luftuar gjatë vitit 2018.

E për qytetarët kjo gjë është shqetësuese, ngase nuk po shohin të ardhme të mirë në Kosovë.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit tha për Gazetën Jeta në Kosovë se regresi i korrupsionit në vitin 2018 është bërë për shkak se nuk është punuar mjaftueshëm në luftimin e kësaj dukurie.

“Dje është publikuar indeksi i perceptimit të korrupsionit, ku për fat të keq Kosova ka shënuar një regres në raport me vitin e kaluar. Kjo  është shqetësuese sepse kjo tregon se në Kosovë nuk ka pasur progres në parandalimin e korrupsionit.  Shihet se nuk ka pasur regres në zbatimin e ligjit në fushën e prokurorisë dhe gjyqësorit, kjo tregon që nuk është punuar mjaftueshëm në luftimin e saj”, tha Havolli për JnK.

Deputetët: Korrupsioni, sfidë e përditshme

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu tha se sistemi i drejtësisë nuk e ka vullnetin që të merret me personat që janë të përfshirë në korrupsion.

“E dimë se sistemi i drejtësisë nuk ka guxuar të merret me zyrtarët e lartë “jakat e bardha” apo ndryshe siç njihen dhe kjo ka sjellë rezultate të tilla. Nuk ka vullnet politik e as nga institucionet e drejtësisë për ta luftuar këtë fenomen. Unë mendoj që ka shumë problem në sistemin e drejtësisë që ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë dhe e kuptoj që ka prokuror e gjyqtarë të guximshëm mirëpo as ata nuk mund të veprojnë vetëm. Andaj për këtë kemi rangime të tilla siç është kjo e Transparency International”, tha Haxhiu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Edhe deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu tha se nuk është për t’u çuditur rezultati i Kosovës këtë vit për perceptimin e korrupsionit, pasi sipas tij kjo gjë po reflekton edhe në jetën e përditshme.

“Po besoj që është një reflektim i gjendjes aktuale në vend. Ne shpeshherë presim nga këto raporte të huaja që të na vijnë të na tregojnë si është gjendja, po fatkeqësisht ne jetojmë këtu çdo ditë, dhe ballafaqohemi me këto si të themi me këto afera korruptive të cilat janë të jashtëzakonshme tek ne janë bërë të zakonshme dhe natyrisht që raportet ndërkombëtare të cilat raportojnë në këtë aspekt”, tha Sejdiu për JnK.

Ndërsa, qytetarja Fjona Xhelili tha për Gazetën Jeta në Kosovë se korrupsioni po ia shuan shpresat për vendin.

“Unë si qytetare e Kosovës dhe një e re në këtë vend, brengosem shumë kur shoh raste te korrupsionit sepse mendoj qe nuk ka të ardhme për ne. Shpresoj që sa më shpejtë të luftohet kjo dukuri ngase gjendja aktuale po na irriton, nuk po shohim qe ka raste qe po hulumtohen apo largohen nga puna të korruptuarit”, tha ajo për JnK.

Pikërisht për këto rezultate të Transparency International për perceptimin e Korrupsionit gjatë vitit 2018, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur konferencë gjatë ditës së sotme.

Sipas KDI-së, Kosova duhet të fokusohet urgjentisht në tre fusha në mënyrë që të shënojë përparim: Pavarësinë e sistemit të drejtësisë, Luftën kundër korrupsionit dhe në fushën e prokurimit publik.

https://kallxo.com/transparency-international-kosova-ne-regres-ne-luften-ndaj-korrupsionit/

Sa i përket vendeve të rajonit, Kosova është më mirë se Shqipëria e cila ka zbritur në pozitën 99 sa ishte 91 një vit më herët, ndërsa Serbia është ranguar në pozitën e 87.

Mali i Zi po ashtu ka rënë nga pozita 64 në 67, ndërsa  Maqedonia ka shënuar përparim, duke u radhitur në pozitën 93 nga 107 sa ka qenë vitin paraprak.

Sipas organizatës, edhe pse Europa Perëndimore dhe Bashkimi Europian qëndrojnë më mirë se pjesët e tjera të globit, ata ende kanë një rrugë të gjatë për të luftuar korrupsionin në mënyrë efektive.

Si sfida për këtë rajon, Transparency International përmend “mungesën e dhënies prioritet reformave kundër korrupsionit” dhe “rritjen e retorikës populiste”.

Afrika Sub-Sahariane është rajoni me vlerësimin më të ulët në indeks dhe, sipas Transparency International, ajo nuk ka arritur t’i përkthejë angazhimet e saj kundër korrupsionit në ndonjë përparim të vërtetë.

www.kallxo.com