Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Transgjinorët e Kosovës, sytë kah Maqedonia për të drejtat e tyre

Një vendim i gjykatës së të drejtave të njeriut, në mbështetje të betejës së një transgjinori maqedonas për të ndryshuar gjininë në certifikatën e tij të lindjes, po ndiqet me interes në Kosovë.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ, ka vendosur se kërkesa e Maqedonisë që njerëzit t’i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale për ndryshimin e gjinisë para se të ndryshohet gjinia e tyre në dokumentet e identifikimit është një shkelje e të drejtave të njeriut.

Gjykimi, të enjten e kaluar, tha se mangësitë në ligjet e Maqedonisë lidhur me ndryshimin e gjinisë në dokumentet zyrtare të identifikimit shkelin të drejtën e maqedonasve për respektimin e jetës së tyre private.

Por dy nga shtatë gjyqtarët në këtë rast nuk u pajtuan me këtë gjë, duke thënë se vendimi pasonte një “trend” në favor të mbrojtjes së të drejtave njerëzore të njerëzve transgjinorë në vend të ligjit siç është.

Gjykimi mund të ketë pasoja përtej Maqedonisë.

Një qytetar i Kosovës, Blert Morina, i cili paraqiti një çështje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës vitin e kaluar, është në mes të betejës së tij ligjore për të ndryshuar emrin dhe gjininë në dokumentet e identifikimit të Kosovës.

“Rasti i Maqedonisë mund të jetë një pikë kthese për të ardhmen e komunitetit transgjinor në të gjithë Ballkanin,” tha Morina, i cili është drejtor i Qendrës për Barazi dhe Liri në Kosovë.

Në prill të vitit 2018, Agjencia e Regjistrimit Civil të Kosovës refuzoi kërkesën e Morinës për të ndryshuar emrin dhe gjininë e tij.

Avokatja e tij, Rina Kika, tha se kishte kërkuar një shqyrtim kushtetues të vendimit të agjencisë korrikun e kaluar.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë në përputhje me vendimin e fundit të GJEDNJ-së X vs FYROM dhe të krijojnë procedura efektive dhe të qasshme për njerëzit transgjinorë që dëshirojnë t’u njihet ligjërisht identiteti i tyre gjinor,” tha Kika.

Foto: Atdhe Mulla

GJEDNJ dëgjon raste nga njerëz në shtetet anëtare të Këshillit të Europës të cilët mund të paraqesin ankesa kundër vendit të tyre nëse ata besojnë se janë shkelur të drejtat e tyre të njeriut.

Megjithatë, Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Europës, kështu që shtetasit e saj ende nuk mund t’i çojnë çështjet e tyre në këtë gjykatë.

Pavarësisht kësaj, Kika tha se vendimet e saj e bëjnë ligjin që gjyqtarët e Kosovës duhet ta ndjekin.

Megjithatë, pengesat shkojnë përtej problemeve të anëtarësimit në Këshillin e Europës. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë thonë se gjykatësit, politikanët dhe njerëzit në vend duhet ende t’i japin të drejtave të transgjinorëve dhe ligjit për të drejtat e njeriut në përgjithësi mbështetjen që i nevojitet.

Kërkohen prova të qarta për operacionin për ndryshimin e gjinisë

X, siç thirret ai në gjykim, u regjistrua si femër në certifikatën e lindjes me një emër gruaje kur ai lindi në vitin 1987.

Vendimi i fundit thotë se X u bë i vetëdijshëm se ai ishte mashkull dhe jo femër herët në jetën e tij.

Pasi shkoi në një klinikë të specializuar në Beograd, Serbi, në vitin 2010, një psikolog dhe seksolog e diagnostikoi X-in si “transeksual”.

X filloi të merrte hormone për të rritur nivelin e testosteronit dhe, në qershor të vitit 2011, aplikoi për të ndryshuar emrin dhe mbiemrin e tij. Kjo u miratua.

Por vendimi nuk shtrihej deri në atë pikë sa ta lejonte X-in të ndryshonte edhe gjininë në certifikatën e tij të lindjes.

Ministria e Shëndetësisë tha se kërkoi dëshmi të qarta të ndërhyrjes për ndryshimin e gjinisë para se të mund të miratonte një ndryshim të tillë.

X e sfidoi këtë vendim në nëntor të vitit 2011 në Maqedoni, e cila iu bashkua Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në vitin 1997, pasi kërkesa në regjistrin e gjendjes civile për të ndryshuar dokumentet dështoi.

X pretendoi – dhe Gjykata Europiane u pajtua – se Maqedonia nuk ishte e justifikuar të kërkonte që X t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për ndryshim gjinie para se të ndryshonte gjininë në mjetin e tij të identifikimit.

“Rrethanat e çështjes tregojnë mangësitë legjislative dhe mangësitë serioze që e lënë aplikuesin në një situatë shqetësuese pasigurie përballë jetës së tij private dhe njohjes së identitetit të tij,” thuhet në vendim.

Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Përfaqësuesja ligjore e X, Natasa Boskova, tha se qeveria në Maqedoni tani po rishikon Ligjin për Regjistrin Civil.

“Shpresojmë që ky vendim do ta përshpejtojë procesin e ligjit të ri në Maqedoni,” tha ajo pas dhënies së vendimit.

ILGA Europe, Rajoni Europian i Shoqatës Ndërkombëtare të Lesbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve, Transgjinorëve dhe Interseksualëve, e renditi Maqedoninë në vendin më të ulët në Ballkan në aspektin e ligjeve që mbrojnë komunitetin LGBTI në vitin 2018.

Ajo e renditi atë në vendin e 41-të nga 49 vendet në renditjen e vitit 2018. Ajo ndodhej para vendeve si Turqia, Rusia, Armenia dhe Azerbajxhani në lidhje me të dhënat e saj për të drejtat LGBTI.

Morina tha se mangësi të tilla i pengojnë individët transgjinorë që të kërkojnë ndryshime. “Histori të tilla, ku njerëzit transgjinorë refuzohen nga shteti dhe nuk kanë të drejtën e identitetit, kanë ndikuar negativisht në komunitet,” tha ai.

“Njerëzit transgjinorë në të gjithë vendin po luftojnë me gjykimin e shoqërisë, familjeve të tyre dhe madje edhe me veten e tyre, kështu që refuzimi nga shteti është shumë i tepërt,” shtoi Morina.

Situata komplekse në Kosovë

Udhëzimi administrativ i Kosovës mbi procedurat e ndryshimit të emrit thotë se njerëzit mund të ndryshojnë emrat e tyre në dokumentet e tyre të identitetit kur emri i tyre pasqyron identitetin e tyre gjinor. Megjithatë, nuk ka asnjë procedurë për të ndryshuar shënuesit gjinorë në këto dokumente.

Këshilli i Europës ka thënë se vendet duhet të sigurohen që kjo mundësi të ekzistojë.

“Rasti i Morinës ka treguar se për institucionet tona vendore nuk duket e mjaftueshme që identiteti gjinor të jetë një kategori ligjore e mbrojtur sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligjin për Barazi Gjinore,” tha Kika.

“Përcaktimi i procedurave të qarta për njohjen ligjore të gjinisë do ta bënte më të lehtë që institucionet tona vendase të kuptojnë dhe të përmbushin më mirë detyrimet e tyre ndaj të drejtave të njeriut të qytetarëve.”

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në një rezolutë në vitin 2015 u bëri thirrje vendeve të sigurojnë “procedura të shpejta, transparente dhe të qasshme” për ndryshimin e emrit dhe seksit të regjistruar të personave transgjinorë në të gjitha dokumentet e identitetit, “pavarësisht moshës së tyre, statusit, gjendjes financiare apo të dhënave të policisë”.

Rasti i fundit kundër Maqedonisë nuk është unik, sipas Kikës. Gjykata ka dhënë vendime në më shumë se 20 raste për identitetin gjinor nga e gjithë Europa. Në tetor 2018, ishin në pritje tetë vendime të tjera.

Ndërsa procedurat për ndryshimin e gjinisë në ID janë thelbësore, Kika tha se ato duhet gjithashtu të jenë në dispozicion për njerëzit transgjinorë të cilët nuk e kanë bërë dhe nuk kanë ndërmend t’i nënshtrohen një operacioni për ndryshimin e gjinisë.

Rastet kundër Francës dhe Italisë në dy vitet e fundit konfirmuan se e drejta për të ndryshuar gjininë në dokumentet e identitetit duhet të vihet në dispozicion të atyre që nuk i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për ndryshimin e gjinisë.

“GJEDNJ po i dërgon një mesazh të qartë palëve nënshkruese të Konventës për të Drejtat e Njeriut se është një detyrim pozitiv i shtetit të vendosë procedura që janë të qasshme dhe efikase për njohjen gjinore,” tha Kika.

Gjykata në rastin e X-it konstatoi se pavarësisht këmbënguljes së Maqedonisë për të kundërtën, ajo nuk kishte përcaktuar kërkesa të qarta për nevojën e ndërhyrjes së plotë për ndryshimin e gjinisë para se kjo e fundit të mund të ndryshohej në certifikatë. Kika tha se situata ishte e njëjtë edhe në Kosovë.

“Në rastin e Blert Morinës, Agjencia e Regjistrimit Civil hodhi poshtë kërkesën e tij për të ndryshuar emrin dhe gjininë për arsye se ai nuk kishte ofruar provë mjekësore që vërtetonin se kishte kryer ndërhyrje kirurgjikale për ndryshim gjinie dhe e konsideroi kërkesën e tij si “të paarsyeshme”,” tha Kika.

Mungesa e procedurave nuk është e vetmja pengesë

Mungesa e procedurave të qarta është vetëm një nga problemet e njohjes transgjinore në Kosovë, tha Arben Sejdaj nga Qendra Europiane për Çështjet e Pakicave në Kosovë, ECMI.

Ai tha se proceset e gjata gjyqësore dhe mungesa e kapaciteteve janë pengesa të tjera.

“Problemi me rastet në gjykatën e Kosovës është se ato kërkojnë shumë kohë për të procesuar raste,” tha Sejdaj. “Kjo është arsyeja pse të drejtat e njeriut nuk merren aq në konsideratë sa duhet.”

Dokumenti i ECMI-së për vitin 2018, Zbatimi i traktateve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të përmendura në kushtetutën e Kosovës, vuri në dukje se rastet gjyqësore në Kosovë mund të zgjasin deri në mesatarisht tetë vjet e gjysmë.

“Është gjithashtu një rezultat i mungesës së kapacitetit,” vazhdoi Sejdaj. “Ky bëhet një problem ciklik. Gjyqtarët nuk janë të trajnuar për t’u marrë si duhet me këtë çështje, por një pjesë e arsyes për këtë është se ata duhet të merren me shumë raste të tjera.”

Akademia e Drejtësisë, e cila trajnon gjyqtarët, prokurorët dhe stafin gjyqësor të Kosovës, ka pranuar kufizimet e saj në lidhje me vëmendjen që i kushton ligjeve për të drejtat e njeriut, tha Sejdaj, dhe i jep përparësi ligjit të brendshëm.

“Ndërtimi i mëtejshëm i kapaciteteve dhe zhvillimit lihen mënjanë dhe ligjet jo-vendore nuk shihen si prioritet,” tha ai.

Edhe pse Kosova në teori i ka integruar të drejtat e njeriut në ligjin e saj të brendshëm, vazhdoi Sejdaj, arsyetimi pas kësaj nuk është zbatuar kurrë.

“Mungon personeli në sektorin gjyqësor që do të kryente rishikimet edhe analizën e këtyre problemeve,” tha ai.

“Gjykatat e Kosovës detyrohen të ndjekin jurisprudencën e GJEDNJ-së, por ndjekja e precedentit në fakt nuk bëhet. Për këtë nuk mund të bëhet asgjë, pasi njerëzit në Kosovë nuk mund të dërgojnë një ankesë në Strasburg,” vuri në dukje ai.

Fakultetet juridike në universitetet e Kosovës gjithashtu nuk përqendrohen në trajnimin praktik për studentët e jurisprudencës, kështu që ata nuk janë shumë të ekspozuar ndaj ligjit të të drejtave të njeriut gjatë studimeve të tyre.

“Ata mësojnë ligjin e të drejtave të njeriut për një semestër, tre orë në javë dhe është një kurs shumë teorik,” tha Sejdaj. “Disa thonë se kjo nuk mjafton, por është e qartë që kjo duhet të mësohet në praktikë.”

GJEDNJ gjithashtu e ndarë për të drejtat e transgjinorëve

Një mungesë e vullnetit institucional për t’i dhënë përparësi mbrojtjes së të drejtave të njeriut për personat transgjinorë nuk është e përhapur vetëm në Europë, por edhe vetë në bankën e Gjykatës Europiane.

Dy gjyqtarë në rastin e X-it votuan kundër vendimit. Ata thanë se vendimi ishte një largim i paarsyeshëm nga gjykimet e mëparshme për çështje të ngjashme.

“Nuk është në përputhje me mandatin e një organi gjyqësor të nxisë ose përforcojë ndryshimet shoqërore nëpërmjet një “interpretimi evolutiv” të Konventës,” thanë gjykatësit që kundërshtuan vendimin.

Megjithatë, marrja parasysh e ndryshimit të opinionit shoqëror nuk është diçka e padëgjuar në gjykimet e GJEDNJ-së.

Rasti i Christine Goodwin, e cila doli para gjykatës në vitin 2002, përcaktoi të drejtën e përgjithshme të njerëzve transgjinorë për njohje ligjore, në rastin e saj të drejtën për t’u martuar.

Gjykata tha se mungesa e konsensusit në vendet e Këshillit të Europës për të drejtat e personave transgjinorë për njohje ligjore nuk nënkupton se gjyqtarët duhet të shpërfillin prirjen drejt mbrojtjes së tyre të mëtejshme ligjore.

Gjykata përdori atë që ajo e quajti “provë e qartë dhe e pakontestueshme” e një “tendence të vazhdueshme ndërkombëtare në favor jo vetëm të pranimit social në rritje të transeksualëve, por të njohjes ligjore të identitetit të ri seksual të transeksualëve post-operativë” për të deklaruar se Mbretëria e Bashkuar kishte shkelur thelbin e së drejtës së Goodwin për t’u martuar duke mos njohur disavantazhet praktike që mund të paraqesë mosmarrja e dokumenteve të identifikimit.

Qendra për Mbështetje LGBTI në Maqedoni ka theksuar se ligjet që mbrojnë njerëzit transgjinorë nga disavantazhe të tilla praktike ende nuk ekzistojnë në vend.

“Në Maqedoni ende nuk ka ligj mbi njohjen ligjore të gjinisë dhe njerëzit transgjinorë janë ende të ekspozuar ndaj ngacmimeve dhe situatave të pakëndshme çdo ditë kur kanë nevojë të përdorin një dokument identifikimi personal në të cilin gjinia në të nuk përputhet me gjininë që duket,” tha ai.

“Miratimi i një ligji të tillë do të kontribuojë në përmirësimin e ndjeshëm të statusit dhe qasjen në të drejtat e njerëzve transgjinorë në vend dhe pranimin e diversitetit gjinor.”

Raporti i ILGA Europe për vendin tha se Maqedonia ka bërë progres në mbrojtje të të drejtave LGBTI që nga viti 2017.

“Një ligj i ri kundër diskriminimit që ofron mbrojtje gjithëpërfshirëse mbi baza të shumëfishta, i kërkuar prej kohësh nga komuniteti, u hartua pas konsultimit me OJQ-të LGBTI,” thuhet në raport.

“Ministria e re e arsimit është e angazhuar të rishikojë tekstet shkollore dhe kurrikulat mësimore për të hequr materiale që shprehin fobi ndaj LGBTI-së,” shtoi ajo, duke iu referuar qeverisë së re të qendrës së majtë të Zoran Zaevit.

Megjithatë, ligji i anti-diskriminimit i prezantuar në parlamentin e Maqedonisë në maj të vitit 2018 ende nuk është miratuar.

Edhe pse ligji i Kosovës i mbron njerëzit nga diskriminimi në bazë të gjinisë apo orientimit seksual, ai ka bërë shumë pak për të ë përmirësuar të drejtat e individëve transgjinorë, tha aktivisti i LGBTI-së në Kosovë Lendi Mustafa.

Mustafa, i cili protestoi kundër dështimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të shqyrtuar rastin e Morinës në shtatorin e kaluar, tha se institucionet vendore dhe shoqëria duhet të ofrojnë mbrojtje dhe respekt ndaj komunitetit transgjinor.

“Mungesa e njohjes së identitetit gjinor në Kosovë është një shkelje e të drejtave themelore, më saktësisht një shkelje e të drejtës për privatësi dhe një jetë dinjitoze, dhe shteti nuk ofron mbrojtje kundër diskriminimit për njerëzit transgjinorë,” tha Mustafa.