Arkiv

Top Aderimet në Politikë

Disa prej aderimeve që ndodhën në ditët e kaluara ishin befasuese dhe ngjallën reagime të mëdha në rrjetet sociale, e disa të tjera ishin më të pritshme.

Ka pasur edhe politikanë që veç kanë ndërruar anën.

“Gazeta Jeta në Kosovë” sjell emrat më të përfolur për aderimet në parti politike.

Aderimi më i komentuar ka qenë ai i Arbana Xharrës, ish-kryeredaktores së gazetës “Zëri”, e cila iu bashkua partisë së drejtuar nga Kadri Veseli. Krejt “zhurma” u bë për shkak të shkrimeve të saja, ku ajo kishte akuzuar disa herë për keqqeverisje partitë në pushtet. PDK-ja e Veselit është në pushtet qe 10 vjet.

“Nuk kam ardhur në PDK për asnjë pozitë konkrete. Kam ardhur pa asnjë kusht. Z. Veseli më ka kërkuar që jem ajo që kam qenë”, kishte thënë Xharra ditën kur kishte befasuar opinionin publik duke dalë përkrah Kadri Veselit në një konferencë në selinë e PDK-së, veç një ditë para se të rrëzohej Qeveria.

Aderimi i saj në PDK kishte shkaktuar një valë të reagimeve në rrjetet sociale nga gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm.

Disa ditë pas aderimit, Arbana Xharra ishte rrahur nga persona të panjohur në bodrumin e ndërtesës ku ajo banon. Sulmuesit ende nuk janë arrestuar.

Një aderim tjetër befasues ishte edhe ai i gazetarit dhe publicistit të njohur, Halil Matoshi, i cili iu bashkua partisë së Ramush Haradinajt, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Matoshi kishte qenë njëri ndër themeluesit e partisë së parë në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Me AAK-në jam për shkak të besimit dhe vetëm besimit që e kam në zotin Haradinaj dhe ekipin e tij”, ishte shprehur Matoshi.

Ai kishte qenë kolumnist i rregullt në gazetën “Koha Ditore” dhe analist në emisionin “Click” të Televizionit 21.

Matoshi më herët kishte qenë pjesë e Partisë Ora që drejtohej nga Veton Surroi.

http://kallxo.com/halil-matoshi-rikthehet-ne-politike-tash-me-aak-ne/

Aderimeve iu bashkua edhe ekonomisti dhe analisti tjetër, profesori Lumir Abdixhiku, i cili iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës. Emri i tij ishte përfolur që një kohë të gjatë për hyrje në LDK.

Ai është edhe drejtor ekzekutiv në Institutin Riinvest, ku bashkëpronar është edhe kryeministri në largim Isa Mustafa, njëherë edhe kryetar i LDK-së së bashku me Muhamet Mustafën, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga e njëjta parti.

“Kemi zhvilluar takime në përpjekje për të ndërtu një front të përbashkët, kemi gjetur mirëkuptim në të gjitha orientimet programore. Jam i lumtur që kemi gjetur një marrëveshje të tillë dhe jam i lumtur që nga sot jam pjesë e LDK-së”, kishte thënë në mes tjerash Abdixhiku në konferencën ku u zyrtarizua anëtarësimi i tij në LDK.

I njëjti kishte kritikuar ashpër hyrjen në PDK të Arbana Xharrës, duke e thumbuar se i është bashkuar të keqes të cilën e ka kritikuar dikur.

“Ju që bëni karrierë duke kritikuar të keqen, për t’iu bashkuar në fund të njëjtës së keqe. Të tillë s’i duheni shoqërisë këndej, keni gjetur vendin taman atje”, kishte shkruar Abdixhiku ditën kur Xharra iu bashkua PDK-së.

Pas aderimit të Abdixhikut në LDK, Xharra ia ktheu “hakun”.

“Lumir, abuzove nga pozita e një personi të rekrutuar nga një parti politike, për të më goditur nga shoqëria civile, për të ndërruar pozicionin tënd vetëm disa ditë me vonë”, kishte shkruar Xharra duke i thënë edhe kësisoj: “Ti ishe ne politike, edhe kur ishe ne biznes, e ishe ne biznes edhe kur ishe ne politike”.

Lidhjes Demokratike të Kosovës iu bashkua edhe analisti Driton Selmanaj. Ai ishte koleg i Matoshit në emision televiziv “Click” të RTV21.

Selmanaj kishte qenë për një kohë të gjatë pjesë e Institutit Demokratik të Kosovës, KDI. Ai ishte largua nga KDI për të hapur organizatën tjetër Demokracia Plus.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje mori në gjirin e saj aktorin e njohur dhe deputetin e Kuvendit të 2 Korrikut 1990, kur u shpall Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, Adem Mikullovcin.

Në Vetëvendosje hyri edhe i zëshmi Xhevdet Qerirqi, të cilin e kemi parë shumë aktiv në organizimin e protestave për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve të UÇK-së.

Po ashtu, kësaj partie iu bashkua edhe ish-kandidati i pavarur në zgjedhjet komunale për kryetar të Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori, i cili humbi garën për të parin e Komunës. Ai vazhdon të jetë asamblist në Kuvendin komunal të Drenasit.

“Ende vazhdoj të mos pajtohem me disa veprime të VV-së, por vizioni i përgjithshëm për të ardhmen e qytetarëve tanë është shumë i përafërt”, shkroi Drenori në “Facebook”.

Edhe Driton Tali, i cili ishte deputet në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë, iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje. Tali ishte zgjedhur deputet i Aleancës Kosova e Re, por më vonë kishte kaluar si i pavarur.

Ish-botuesi i gazetës “Zëri”, Blerim Shala, iu bashkua PDK-së. Shala ka qenë deputet në legjislaturën e fundit. Ai kishte hyrë në Kuvend përmes listës zgjedhore të AAK-së, por në fund ishte larguar nga grupi parlamentar i kësaj partie duke dalë si deputet i pavarur. Ai ka folur rrallëherë në Kuvend. Ky ka qenë mandati i tij i vetëm si deputet i Kuvendit të Kosovës.

http://kallxo.com/blerim-shala-ne-pdk/

Po ashtu, Blerim Shala ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999 dhe koordinator i ekipit të Unitetit në bisedimet për status të Kosovës gjatë viteve 2005 – 2007.

“Vendimi im për të mbetur në politikë ka qenë i vështirë. Do të përpiqem të kontribuoj në mëkëmbjen e shtetit të Kosovës”, ishte shprehur Shala gjatë konferencës për media në selinë e PDK-së.

Milam Zeka është njëri nga emrat tjerë nga komuniteti i gazetarëve që i ka hyrë politikës. Ai e ka zyrtarizuar anëtarësimin në Nismën për Kosovë të Fatmir Limajt. Ai do të jetë kandidat për deputet nga radhët e Nismës në listën e koalicionit PDK-AAK-Nisma. Vendin në listë ia ka lëshuar kryetari i këshillit kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi.

Ai më herët përmes profilit të tij në “Facebook” e kishte quajtur Limajn “partizani antikorrupsion” për shkak të fjalimit të këtij të fundit në Kuvendin e Kosovës gjatë një debati për RTK-në.

“Nga sot jam në mbështetje absolute të Fatmir Limajt, Nismës dhe të Jakup Krasniqit”, tha gjatë një konferencë Milaim Zeka.

Partisë së Haradinajt iu bashkua edhe gazetari i njohur, Arbër Vllahiu. Ka punuar në BBC, Deutsche Welle, Radio Evropa e Lirë dhe gazetën “Koha Ditore”. Ishte këshilltar politik dhe marrëdhënie me publikun i ish-Presidentes Atifete Jahjaga.

“Unë kam parë këtu, në mes të Aleancës, shtëpinë dhe një adresë të duhur të ecim përpara drejt zhvillimit të vendit, ndërtimit të këtij vendi që e kemi shumë për zemër dhe konsideroj se kjo është adresa dhe rrugëtimi i jonë i përbashkët”, tha Vllahiu të premten në një konferencë për media ku u bë prezantimi i tij në AAK.

Para disa muajve në PDK u anëtarësua edhe Ibrahim Gashi, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës dhe gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ish-komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa, nga kalimet e mëhershme duhet përmendur edhe anëtarësimin e Dukagjin Goranit në Vetëvendosje.

“Gazeta Jeta në Kosovë” kishte shkruar në korrik të vitit të kaluar për merkaton e partive politike në vend.

Fituesit dhe Humbësit e Merkatos Politike Kosovare

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 11 qershor.