Regjisorja në sheshin e xhirimit me kastin e aktorëve të filmit “Shtëpia e Agës”. Foto: Atdhe Mulla.

Tkurrja e fondeve shtetërore frenon industrinë e filmit në Kosovë, e vlerësuar me çmime nëpër botë

Traumat e luftës në Kosovë janë kthyer në suksese të festivalit ndërkombëtar të filmit, anipse mungesa e ndihmës shtetërore po i kufizon temat që ata mund të mbulojnë,  ashtu edhe ruajtjen dhe shpërndarjen e tyre.

Në vitet e fundit, Kosova ka realizuar filma që trajtojnë çështje sociale që rezultojnë nga lufta e fundit, veçanërisht pasojat e lëna mbi individët dhe shoqërinë.

Këta filma, të cilët trajtojnë traumën individuale që rezulton nga dhuna kolektive e përjetuar nga popullata kosovare, përpiqen të pasqyrojnë historinë e luftës përmes pasojave njerëzore të saj.

Filmi “Zgjoi” i Blerta Bashollit, “Kthimi” i Blerta Zeqirit, “T’Padashtun”i Edon Rizvanollit dhe “Shtëpia e Agës” e Lendita Zeqiraj janë vetëm disa nga filmat që përqendrohen në trauma të tilla e të cilët kanë fituar çmime ndërkombëtare.

Por, përkundër suksesit të tyre ndërkombëtar, një mungesë kronike e fondeve po bënë që të dy palët edhe regjisorët dhe aktorët shpesh të mos paguhen shumë ose madje asgjë për punën e tyre.

 Një traumë e qëndrueshme e pasqyruar në filma

Aktorja kosovare Yllka Gashi, duke luajtur rolin kryesor në filmin fitues të çmimeve të Kosovës “Hive” nga Blerta Basholli; Fotografi: E huazuar nga producenti Yll Uka

Shumica e këtyre filmave përqendrohen në efektet afatgjata të luftës në fund të viteve 1990 dhe çfarë po bëhet drejt pajtimit.

Sociologu Shemsi Krasniqi tha për BIRN se shoqëria kosovare “nuk është çliruar ende nga trauma e luftës dhe trauma e luftës është një realitet edhe sot, e pasqyruar në film”.

Krasniqi thekson se trauma të tilla si humbjet, dhunimet, vuajtjet, dhimbjet, pikëllimet etj., shndërrohen në strese dhe trauma të pasluftës dhe mënyra më e përshtatshme që të bartet historia tek brezat e rinj është përmes artit.

“Filmi dhe arti në përgjithësi është mënyrë e shprehjes së realitetit, e pasqyrimit, por edhe e ndryshimit të tij” thotë ai.

Producenti dhe drejtori i DokuLab i festivalit vjetor të Kosovës DokuFest, Eroll Billibani, thotë se filmi është një mënyrë e mirë për të adresuar pasojat e luftës dhe për të kërkuar të vërtetën.

“Ky proces mund të riparojë dëmin e thellë që periudha e padrejtësisë u ka bërë traditave tona, kohezionit shoqëror dhe veçanërisht marrëdhënieve ndërmjet brezave”, shpjegoi Billibani.

Filmat me tema të tilla i tregojnë botës anën tjetër të historisë e  të ngjarjeve që kanë lënë shenja të thella mes të mbijetuarve dhe që për fat të keq, kalojnë nga një brez në tjetrin.

Ai bërjen e filmave që trajtojnë pasojat e luftës e sheh si një mënyrë për të kundërshtuar filmat propagandues të Serbisë të cilët tentojnë të krijojnë një narracion të pavërtetë për luftërat në rajon.

“Filmi mund të ndikoj në tregimin e ngjarjeve të parrëfyera, për të cilat gjeneratat e reja informohen vetëm përmes mitizimeve dhe glorifikimeve të betejave apo individëve gjatë luftës, duke harruar plotësisht viktimat e heshtura të luftës” thotë ai.

Sipas tij, filma të tillë kanë ndihmuar në hapjen e një dialogu si një mënyrë për të adresuar të kaluarën.

Billibani tha se tendenca për të bërë filma të tillë po vazhdon, pasi që edhe në shkollën e tyre të filmit, DokuLab, shumica e studentëve të rinjë kanë zgjedhur tema që temat që trajtojnë pasojat e luftës tek të rinjët e lindur paslufte.

“Kjo tregon që shoqëria dhe institucionet tona duhet urgjentisht të fillojnë të merren me procesin e ballafaqimit me të kaluarën, duke e adresuar atë në mënyrë pragmatike nëse, si shoqëri, duam të kemi një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme,” shtoi Billibani.

Mbështetje e vogël për fillim dhe asgjë më tej


Aktorët e Kosovës Adriana Matoshi dhe Alban Ukaj duke luajtur rolet kryesore në filmin ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri; Fotografi e marrur nga traileri i filmit “Martesa”

Regjisorët nga Kosova shpesh marrin shumë pak fonde nga Qendra Kinematografike e Kosovës për të nisur karrierën e tyre, që rezulton në filma të cilët pushtojnë ekranet e festivaleve ndërkombëtare, por pastaj ata lihen më vete.

“Unë jam mbështetur vetëm një herë për filmin Martesa. Financimi ishte 150,000 euro dhe ende po pres këstin e fundit të pagesës, edhe pse filmi është prej 2018-s” regjisorja Blerta Zeqiri tha për BIRN.

Zeqiri gjithashtu mori 50,000 euro nga Qendra Kinematografike e Shqipërisë për filmin Martesa.

Prindërit e personazhit kryesor në këtë film janë ndër personat e zhdukur në luftë dhe ajo po kërkon për mbetjet e tyre, përtej problemeve në shtëpi me burrin homoseksual i cili është i dashuruar me shokun e fëmijërisë.

Zeqiri ka aplikuar çdo vit për fonde nga Qendra Kinematografike por nuk ka përfituar më.

Mungesa e parave ua vështirëson regjisoreve të Kosovës për të shkuar përtej përshkrimit të traumave individuale, të shkaktuara nga lufta, dhe stigmave apo paragjykimeve shoqërore.

“Arsyeja kryesore pse nuk bëjmë filma me luftë dhe fushëbeteja është që nuk kemi buxhet për to… çka na mbetet përveç një traume? … Zgjedhim tema të vogla e njerëzore dhe i trajtojmë si i kuptojmë” thotë Zeqiri.

Sociologu dhe profesori i Universiteti të Prishtinës, Shemsi Krasniqi, gjithashtu konsideron që mungesa e filmave me histori të lidhura drejtpërdrejt me beteja dhe luftën është pasojë e mungesës së fondeve.

“Në mungesë të fondeve, zgjidhen tema që janë më pak të kushtueshme por që gjithsesi reflektojnë situatën emocionale dhe sociale të krijuar si rezultat i traumave dhe eksperiencave në luftë” thotë ai.

Antoneta Kastrati, regjisorja e filmit Zana, i cili trajton traumën e një gruaje vajza e vetme e të cilës u vra në luftë, tha për BIRN që ajo përfitoi rreth 130,000 euro nga QKK për të bërë filmin.

“Në film, edhe pse nuk ndodh gjatë luftës, kemi patur skena që përshkruajnë luftë (ëndrra dhe kthime mbrapa në formë kujtimesh) të cilat i kemi bërë me efekte e që nuk ishte aspak e lehtë me atë buxhet” thotë ajo.

Kastrati shpjegon që iu desh të aplikonin për shumë grante të tjera dhe morën edhe një shumë të vogël nga Qendra Kinematografike e Shqipërisë dhe gjithashtu bënë një fushatë IndiGo.

“Personalisht, nuk jemi paguar; madje u futëm në borxh” shpjegon ajo.

Blerta Basholli, regjisorja e filmit Zgjoi, i cili u bazua në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, burri i së cilës është i zhdukur në luftë por ajo e ndërton jetën e saj pavarësisht rrethanave patriarkale në Kosovë, gjithashtu i pati thënë BIRN që financimi i disponueshëm nga QKK shpesh nuk është i mjaftueshëm.

Filmi Zgjoi fitoi tre çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sundance, në shkurt 2021.

Duke theksuar rëndësinë e vëmendjes që po i sjellin Kosovës filmat që po fitojnë çmime ndërkombëtare, Basholli tha që buxheti i shteti “nuk është rritur mjaftueshëm” dhe fondet për aktivitete kulturore nuk janë të mjaftueshme dhe as të qëndrueshme, sepse alokohen me baza vjetore.

Në katër vitet e fundit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka alokuar rreth 10 milion euro per QKK-në. Buxheti nuk është rritur, përkundrazi, është zvogëluar gjatë viteve.

Në vitin 2021, rreth 800,000 euro ishin alokuar për QKK, më pak se 810,000 euro që ishin alokuar në 2020-n. Në vitin 2019, buxheti ishte 1.2 milion euro, kurse në 2018-n, rreth 1.4 milion euro. Këto fonde përfshijnë produksionin e filmave dhe pagat e punëtorëve.

BIRN kontaktoi QKK dhe Ministrinë e Kulturës për komente por nuk mori asnjë përgjigje deri në datën e publikimin të këtij artikulli.

Zeqiri pretendon që gjetja e financimeve private është e vështirë sepse bizneset besojnë që mund të kenë fitime më të mëdha duke sponsorizuar një event sportiv, për shkak të reklamimit të menjëhershëm dhe më të madh, dhe sepse paguajnë më pak taksa për fitime.

Kastrati shpjegon që shpesh është e pamundur për të aplikuar për grante ndërkombëtare sepse Kosova nuk është pjesë e shumicës së platformave ndërkombëtare.

Një zë për shtetin e vogël “Europian”


Skena nga regjisorja kosovare Antoneta Kastrati, filmi “Zana” Foto: Antoneta Kastrati

Pavarësisht që industria e filmit të Kosovës është kthyer në zërin e shtetit më të ri të Evropës, artistët kanë frikë se puna e tyre do të harrohet për shkak të mungesës së një arkive shtetërore.

“Ajo për të cilën kinematografia dhe trashëgimia kulturore në Kosovë ka urgjentisht nevojë është mbledhja dhe ruajtja apo arkivimi” Zeqiri tha për BIRN duke shtuar që “Ne prodhojmë e prodhojmë dhe pastaj i hedhim në bërllok”.

Duke mos patur një arkiv shtetërore për referim, studentët e filmit në Kosovë  mund t’i përfundojnë studimet e tyre pa parë asnjëherë një film të një nga regjizorëve të parë të Kosovës, për shkak se filmat gjenden në Serbi; por as nuk shohin filmat e prodhuar së fundmi, edhe nëse shteti ka investuar në prodhimin e tyre.

“Ne po prodhojmë për asgjësend, po bëjmë gjëra që humbasin menjëherë” thotë Zeqiri duke theksuar që nëse filmat e saj si Martesa apo Kthimi nuk do të ishin në banesën e saj, ato mund “të mos shiheshin më kurrë”.

Kastrati bie dakord që “një arkiv shtetërore është shumë e rëndësishme sidomos duke qenë se ka filma të vjetër që nuk i kemi parë”.

Sipas Zeqirit, vetëm rreth 200,000 euro, buxheti i zakonshëm i një filmi të prodhuar në Kosovë, do të ishin të mjaftueshme për “të rikthyer të gjithë filmat që janë në Serbi”.