Thirrja për rifillim të dialogut, përballë zgjedhjeve dhe taksës
Thirrja e përbashkët e Qeverive të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që menjëherë të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ka hapur diskutime duke pasur parasysh gjendjen politike, pas rënies së Qeverisë së Kosovës, me rastin e dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Vendet e Quintit, të martën i kanë kërkuar Kosovës që të heqë taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë si “pengesë” për rifillimin e negociatave.
Lidhur me këtë, njohësit e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vlerësojnë se përkrahja ndërkombëtare për negociatat është evidente, ndonëse koha e kërkesës është diksutabile.
Për të tjerë, thirrja ndërkombëtare tregon se vendimi për tarifën doganore nuk është i qëndrueshëm dhe se i njëjti duhet të hiqet.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se është pozitive që ka një bashkërendim të pozicionit të Quintit lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Për ne është e rëndësishme që shtetet mike tona të mbështesin Kosovën në procesin e dialogut, por kjo patjetër që duhet të vijë në një kohë kur të jenë funksionale institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu siç e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese kur u dërgua Ligji për dialogun. Pra dialogu duhet të udhëhiqet nga kryeministri, në konsultim me presidentin dhe nën mbikëqyrjen e rregullt dhe të vazhdueshme të Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.
Krasniqi ka përmendur se për herë të parë, këto shtete e kanë një kushtëzim edhe për shtetin serb, ku kërkohet ndërprerja e fushatës për heqjen e njohjeve të Kosovës.
“Një gjë në reagimin e Quintit që vlen të theksohet është fakti që tash po e shohim që kanë përmendur një kërkesë apo një kushtëzim të shtuar drejtuar Serbisë, ku kërkohet që Serbia të ndalë fushatën e saj kundër shtetit të Kosovës, gjë që nuk e kemi parë më herët, kaq qartazi të artikuluar”, thotë ajo.
Ndërkaq, Lulzim Peci nga Instituti Kosovar për Zhvillim të Politikave (KIPRED), vlerëson se pas deklaratës së përbashkët të qeverive të vendeve të Quintit, është bërë e qartë se tarifa 100% është e paqëndrueshme.
“Çfarëdo qeverie që do të formohet në të ardhmen, ajo punën e parë që duhet ta bëjë është heqja e saj, dhe përfundimi i dialogut me Serbinë. Tani pasi jemi mbështetur për muri, kam frikë se e kemi humbur edhe rastin që të bëjmë pezullimin e kushtëzuar të tarifave”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Sipas Pecit, kryeministri i ardhshëm i Kosovës do ta ketë detyrën më të vështirë nga të gjithë kryeministrat e kaluar, pasi, sipas tij, do të jetë përgjegjës për arritjen e marrëveshjes me Serbinë dhe sigurimin e 2/3 të votave të deputetëve.
“Këto rrethana imponojnë një qeveri të gjerë, e cila vështirë se do të ketë kapacitet të zbatojë reformat më se të nevojshme për ecjen përpara të vendit tonë. Për këtë arsye, është shumë e mundshme që pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe zbatimit te konsiderueshëm te saj, do të kemi përsëri zgjedhje, dhe atë më së shumti pas dy viteve”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, Jeta Krasniqi (KDI), thotë se është e qartë se kushtëzimin e dialogut me taksën e ka bërë Serbia dhe jo Kosova.
“Kosova nuk e ka vendosur taksën kundër dialogut, por ky është realiteti ku ndodhemi sot, ku kemi nja dialog të bllokuar dhe esenca e tërë këtij diskutimi është kompromisi”, tha ajo për Gazetën JnK.
Krasniqi kushtëzimin me taksë, e ka ndërlidhur edhe me idenë për “korrigjim të kufirit”.
“Kemi pasur diskutime nga dy presidentët i Kosovës dhe Serbisë mbi atë që është quajtur korrigjimi i kufijve dhe kjo nuk është mbështetur nga shumica dërmuese e skenës politike në Kosovë apo edhe e qytetarëve dhe kjo ka bërë që procesi i dialogut të ndikohet drejtpërdrejt dhe tani të ketë një kamuflim me atë që quhet taksa dhe pengimi i dialogut”, shprehet ajo.
Sipas Krasniqit, Qeveria e ardhshme do të duhet të merret me dialogun dhe me gjitha çështjet që lidhen me dialogun dhe të cilat do ti ketë në tryezë.
“Janë çështje që do ti mbeten qeverisë për ti diskutuar, por për këtë duhet patjetër një konsensus politik sepse një marrëveshje eventuale duhet të votohet me 2/3 e Kuvendit të Kosovës”, përfundoi ajo për Gazetën JnK.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar pasi pala serbe i ka pezulluar bisedimet pas vendosjes së taksës 100 për qind vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.
Ndërkaq, aktualisht Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj një muaj më parë.