Thatësia përgjysmon sipërfaqen e mbjellë me grurë, Kosova rrezikon bukën për vitin e ardhshëm

Mungesa e reshjeve të shiut në muajt e fundit në Kosovë ka ndikuar që sipërfaqja e të mbjellave me grurë të zvogëlohet dukshëm në krahasim me vitin e kaluar.

Kultivuesit e grurit kanë filluar rreth një muaj më parë mbjelljen, por ankohen se kanë arritur që të mbjellin vetëm gjysmën sa kanë planifikuar.

Bujku Halim Hashani në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se këtë vit ka mbjellë vetëm 4 hektarë, në krahasim me vitin e kaluar që ka mbjellë 8 hektarë.

“Ka qenë problem i madh thatësia e madhe. Shumë dobët ka filluar këtë vit mbjellja e grurit pasi që kanë ndikuar kushtet klimatike. Është mbjellë një sipërfaqe shumë e vogël. Në krahasim me vitin e kaluar përgjysmë e kam bërë reduktimin. Secilin vjet po mbjellim më pak. Sivjet i kam 4 hektarë e vitin e kaluar 8, viteve më herët i kam pasur 20 deri 25”, tha ai.

Gjithashtu, sipas tij, për shkak të thatësisë, bujqit po përballen me shumë shpenzime shtesë.

“Po ndikojnë edhe faktorë të tjerë, siç është çmimi i lartë i naftës, i farës dhe i plehrave. Edhe ajo farë që e kemi është shumë shtrenjtë dhe jocilësore, vjen e dorës të tretë tek ne, nuk vjen e dorës së parë kurrë në Kosovë, i shkruan që jep rendiment, por nuk e jep kurrë atë rendiment”, deklaron Hashani.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Bujqve në Kosovës, Tahir Tahiri, shprehet për KALLXO.com se të mbjellat e sivjetme do të dështojnë më shumë se në vitin që lamë pas.

Ai deklaron se për shkak të thatësisë nuk do të mund të arrihet që të mbillen sipërfaqet të cilat janë planifikuar.

“Mbjelljet e sivjetme vjeshtore me gjasë do të dështojnë më keq se vitin e kaluar për shkak të thatësisë që po dominon në krejt Kosovën pa përjashtim. Kaloi tetori kur është dashtë të mbillen krejt sipërfaqet e planifikuara (rreth 50.000 hektarë) ngase bujqit nuk kanë mujtë me përgatitë arën për mbjellje, por edhe disa që kanë arritur me i bërë përgatitjen kanë hezituar me hedhë farën nga frika e zgjatjes së thatësisë edhe në nëntor dhe t’ju prishet fara në arë pa lagështi”, u shpreh ai.

Si pasojë e kësaj, Tahiri thotë se Kosova do të jetë e varur nga importi, pasi që sipas tij, nuk është arritur të sigurohen më shumë se 15 për qind nevojat e bukës.

“Zakonisht kur fillojnë të reshurat vjeshtore në nëntor nuk lënë hapësirë dhe mundësi që bujku të futet në arë për t’i mbjellë sipërfaqet e planifikuara dhe kësisoj edhe vitin e ardhshëm do të mbesim të varur nga importi për ta siguruar bukën për popullin e Kosovës, ngase deri më sot nuk janë mbjellë më shumë se 10% e arave të planifikuara. Me gjasë nuk do të arrihet me i mbjellë më shumë se 20.000-30.000 hektarë”, deklaroi Tahiri, duke shtuar se është ulur numri i bujqve të interesuar që të kultivojnë këtë rendiment.

Në anën tjetër, drejtori i politikave bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Isuf Cikaqi, deklaroi për KALLXO.com se deri më tani është mbjellë 60 për qind e sipërfaqes së planifikuar për këtë vit.

Cikaqi thotë se procesi i realizimit të të mbjellave të rendimentit të grurit ka filluar me kohë por që sipas tij, për shkak të mungesës së reshjeve për disa ditë, ka pasur ngadalësim në realizimin e tyre.

‘Ne vitin 2018 kishte të mbjella me grurë rreth 50.000 hektarë, ndërsa tani për vjeshtën e vitit 2019 janë te planifikuar sipas fermerë që të mbillen rreth 70,000 deri 75,000 hektarë vetëm me kulturën e grurit, por këto janë shifra sipas planifikimit e tani ta shohim se sa do te realizohet ky planifikim dhe pastaj do te përgatisim informacion zyrtar se sa sipërfaqe me grurë është mbjellë në vjeshtën e vitit 2019”, u shpreh Cikaqi.

“Thatësia apo mungesa e reshjeve atmosferike ne fenofazat e caktuara të bimëve kur është e nevojshme normalisht se ka efekt negativ tek secila kulturë bujqësore e po ashtu edhe tek kultura e grurit, si në rritjen dhe zhvillimin normal të bimës dhe në fund edhe ne rendimentin mesatar te secilës kulturë bujqësore”, shtoi ai.

Pavarësisht kësaj, ai shprehet se këtë vit ka pasur rendiment mesatar më të lartë të kultura e grurit në raport me vitin 2018, që sipas tij, kjo nënkupton se nuk është vetëm thatësia faktor që ndikon në rendimentin mesatar por janë edhe një mori faktorësh të tjerë që kanë ndikim secili prej tyre në arritjen e rendimentit mesatar.