Infografika: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

‘Tepër vonë’ për ta ndalur katastrofën demografike të Serbisë

Deri në vitin 2050, Serbia pritet të humbasë thuajse çerekun e popullsisë së saj teksa të rinjtë dhe njerëzit e kualifikuar emigrojnë në kërkim të vendeve të punës.

 

Vladimir Nikitoviq, një demograf në Institutin e Shkencave Sociale në Beograd, e konsideron veten si një person optimist, por jo kur bëhet fjalë për parashikimet e popullsisë në Serbi.

“Është tepër vonë!”, tha ai. Nuk është se është tepër vonë tani. shumë vonë ka qenë edhe 20 vjet më parë.”

Nikitoviq ka studiuar shifrat demografike për Serbinë dhe ato janë tepër të zymta.

Paraardhësit e tij, duke punuar në të njëjtën ndërtesë si ai sot, madje e kishin paralajmëruar Josip Broz Titon, liderin e Jugosllavisë që vdiq në vitin 1980, në lidhje me atë që po ndodhte. Rënia demografike e Serbisë ka qenë e qartë për demografët të paktën që nga vitet 1970.

Pastaj erdhi shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat e viteve 1990, “dhe gjërat u përkeqësuan”, tha Nikitoviq.

Popullsia e Serbisë ishte 6,96 milionë banorë në fillim të vitit 2019, sipas Zyrës Serbe të Statistikave. Kjo shifër përjashton Kosovën, edhe pse Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj.

Në vitin 2018, pati gjithsej 63,975 lindje dhe 101,655 vdekje, pa marrë parasysh se sa u larguan nga vendi gjatë kësaj periudhe, popullsia e Serbisë ra me 37, 680 banorë.

Infografika: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

Kjo ishte shifra më e keqe në një dekadë, në të cilën rënia mesatare e popullsisë ishte 35,125 në vit.

Në gjuhën e thatë të Zyrës së Statistikave, “shkalla e rritjes natyrore” të popullsisë së Serbisë në dekadë ishte -5.4 për qind. Në gjuhë të thjeshtë, kjo do të thotë rënie.

Në periudhën jugosllave ajo që po ndodhte në Serbi ishte e paqartë për jo-specialistët. Arsyeja për këtë ishte se kishte ndryshime të mëdha rajonale në të gjithë vendin.

Sot, gratë serbe lindin mesatarisht 1,48 fëmijë, shumë më pak se 2,1 që nevojiten për të ruajtur popullsinë e një vendi.

Por numri i ulët i lindjeve midis serbëve nuk është diçka e re. Serbia, pa përfshirë Kosovën, ra nën nivelin e zëvendësimit që në vitin 1956.

Infografika: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

“Ne jemi një nga rajonet në Europë i cili ishte i pari që u përball me fundin e periudhës së bumit lindjes së bebeve dhe kjo na goditi shumë në vitet 1990”, tha Nikitoviq.

Megjithatë, para shpërbërjes së Jugosllavisë, norma e lindjeve mbeti e lartë në rajone të varfra dhe kjo shërbeu për të maskuar atë që po ndodhte në Serbi, ku shkalla e lindshmërisë ishte gjithashtu shumë e ndryshme nëse përfshihej Kosova dhe ku gratë kishin një mesatare prej 7,6 fëmijësh në vitin 1950 dhe 5,6 në vitin 1972.

Por norma e lindjeve nuk ishte e vetmja arsye pse drama e asaj që po ndodh sot në Serbi nuk ishte e qartë për shumicën e njerëzve.

Një arsye tjetër ishte se në tre regjistrimet e popullsisë të vitit 1971, 1981 dhe 1991, zyrtarët kërkuan t’i rregullonin shifrat për të maskuar shifrat e mëdha të njerëzve që punonin jashtë vendit për shkak të mungesës së punës në shtëpi.

Zyrtarisht në vitin 1991 në Serbi kishte 7,82 milionë banorë minus Kosovën.

Në fakt, kjo shifër u rrit nga 283,000 njerëz që nuk ishin aty. Në këtë kohë, rreth 1 milionë qytetarë jugosllavë jetonin jashtë, kështu që regjistrimi i popullsisë për Jugosllavinë dhe pjesët përbërëse të saj i fryu shifrat e popullsisë.

Infografika: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

Në vitin 2002, Serbia iu rikthye normës ndërkombëtare duke numëruar vetëm ata që jetonin në të vërtetë në vend.

Duke marrë parasysh gjithë këtë, popullsia e Serbisë është zvogëluar me 8.42 për qind që nga rënia e Jugosllavisë.

Banka Botërore parashikon që në tendencat aktuale do të jenë 5,79 milionë banorë deri në vitin 2050, që do të nënkuptojë një ulje prej 23.81 për qind në të njëjtën periudhë.

Serbia nuk vuan vetëm nga një shkallë e ulët lindjesh. por popullsia e saj është e moshuar. Mosha mesatare e Serbisë është 43 dhe mesatarja e BE-së është 42.6. Megjithatë, Serbia, ndryshe nga shumica e vendeve perëndimore, nuk ka imigrim për të kompensuar punëtorët e humbur.

Kjo nuk do të thotë se në vend s’po vjen të jetojë askush. Emigrimi neto është 15,000 deri në 20,000 në vit. Kjo do të thotë e ndërkohë që 40,000 deri 50,000 largohen çdo vit, 30,000 ose diçka e tillë kthehen, tha Nikitoviq.

Ndërsa të kthyerit përfshijnë ata që shkuan jashtë vendit vetëm për një periudhe të shkurtër kohe, ata gjithashtu përfshijnë një mesatare prej rreth 10,000 deri në 15,000 pensionistë në vit, ish-gastarbeiters që tani dalin në pension, por fëmijët e të cilëve rrallë kthehen me ta.

Luftërat e viteve 1990 gjithashtu i shtrembëruan shifrat.

Serbët që erdhën nga Kosova nuk figurojnë në statistikë pasi tashmë ishin shtetas të Serbisë, por rreth 600,000 refugjatë që erdhën nga Bosnja dhe Kroacia po.

Megjithatë, vetëm 375,000 deri 400,000 nga refugjatët qëndruan ndërsa të tjerët përfundimisht u kthyen në shtëpi ose shkuan gjetkë, tha Nikitoviq. Por afërsisht i njëjti numër njerëzish gjithashtu u larguan nga Serbia gjatë luftërave.

Efekti demografik nuk ishte i favorshëm pasi ishin kryesisht të rinjtë që u larguan nga Serbia ndërsa ktheheshin familje dhe të moshuar. Rezultati ishte se “nëse shikoni strukturën e moshës, është më keq sesa ishte para shpërbërjes së vendit”, tha Nikitoviq.

Autoritetet e Serbisë janë të vetëdijshëm për krizën demografike, mungesat e fuqisë punëtore që po fillon të krijojë kjo gjë dhe problemin e vazhdueshëm që krijon për sistemin e pensioneve një popullsi së sa vjen e bëhet më e moshuar.

Në vitin 2021, sipas Zyrës së Statistikave, Serbia do të ketë më shumë pensionistë sesa njerëz në moshë pune.

Po kështu, emigracioni i njerëzve të rinj, të aftë dhe punëtorë thjesht do të përkeqësohet.

Në të kaluarën ishte pranimi në BE që hapi vërtet dyert emigrimit të njerëzve në moshë pune. Tani Gjermania dhe vendet e tjera i kanë lehtësuar rregullat, që do të thotë se është më lehtë se kurrë që serbët të punojnë jashtë vendit në mënyrë të ligjshme.

Për sa kohë që Serbia mbetet një vend jo tërheqës për emigrantët e mundshëm, popullsia e saj do të vazhdojë të plaket dhe të bjerë, një perspektivë që gjithashtu do të thotë se e bën edhe më të vështirë arritjen e ritmit të shërbimeve shëndetësore dhe standardeve të jetesës të vendeve perëndimor, gjë e cila do të thotë se këto vende mbeten një magnet i fortë për emigracionin nga Serbia.