Bekim Jashari. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Telashet e zëshme në komunën e kryetarit të heshtur 

Në një ndërrim të befasishëm në udhëheqje, Skenderaj, komunë tradicionalisht e PDK-së votoi një kandidat të pavarur për ta udhëhequr për katër vite.

Bekim Jashari erdhi në krye të Skenderajt edhepse ishte fjalë pak në fushatë dhe refuzoi të dalë në debate publike për të bërë publike premtimet ndaj qytetarëve të tij.

Megjithëse të rralla, KALLXO.com me platformën e verifikimit të fakteve KRYPOMETRI arriti të mbledhë dhe të masë disa prej premtimeve që Jashari kishte bërë në tubime.

Tri vite pasi mori udhëheqjen e komunës, Jashari pranoi që të shfaqet në debatin komunal “Jeta në Komunë” për tu përballur me performancën e tij të matur nga hulumtimi në teren, matja nga niveli qëndror si dhe llupa e opozitës e shoqërisë civile.

Në emisionin “Jeta në Komunë” që u transmetua të hënën, Jashari u përballë më shqëtësimet e qytetarëve të kësaj komune.

Në debat u bë e ditur se në këtë komunë ka ende probleme të ujit, kanalizimit e infrastrukturës.

Jashari u përball me premtimin e tij se do të shtonte barazinë gjinore në pozita udhëheqëse në komunë. Kryetari në një tubim me gratë e Skenderajt u premtoi atyre se do të jenë pjesë e stafit të tij 30 për qind.

Ky standardi nuk është përmbushur plotësisht. Nga 11 drejtori të Komunës së Skenderajt vetëm 3 udhëhiqen nga gratë, apo 27%. Ndërsa numri i grave të punësuara në Komunën e Skenderajt është 56, apo rreth 25 për qind.

Lidhur me këtë, Jashari përballë Jeta Xharrës u arsyetua duke thënë se e ka pasur të vështirë që t’i emëronte edhe ato gra  që i ka nëpër drejtori.

“Kur unë i kam bë 3 gra drejtoresha kanë qenë vetëm 9 drejtori. Aktualisht i kemi 11, por që gra i kemi edhe në pozita udhëheqëse që është udhëheqësja e auditimit, prokurimit, zyrës ligjore edhe kryesuesja e kuvendit që është hera e parë në komunë. Sa i përket si drejtori janë tri, edhe ndoshta nuk ma marrin për të keq po, edhe këto tria i kam pas vështirë më i bë, më është dashtë me bë lutje e biseda për këto”, tha Jashari.

Kur jemi të gratë, kjo komunë ka një klub të vajzave që janë kampione në volejboll të Kosovës.

Të dhënat shpalosen se kjo komunë i ka nda 5,500 euro vitin e kaluar, kurse gjatë këtij viti u janë ndarë 2,500 euro. Krahas kësaj, klubit të burrave në futboll ekipit të Drenicës vitin e kaluar u janë nda 109 mijë euro ndërsa këtë vit 38 mijë e 500 euro.

Për këto të dhëna, Jashari u arsyetua me faktin se klubi i vajzave nuk i ka shpenzimet e njëjta me atë të futbollit.

 “Nuk kanë mungu asnjëherë subvencionet për asnjë klub. Por dallojnë për nga shpenzimet mes klubit të volejbollit të vajzave që janë të jashtëzakonshme, na e kanë zbardhë fytyrën si qytet. Ne i kemi mbështetë më shumë së çdo herë tjetër, por klubi i futbollit ka shpenzime shumë të larta”, tha i pari i Skenderajt.

Në anën tjetër, gjatë emisionit u diskutua edhe për projektin e Parkut të Biznesit në fshatin Marinë, që ngjalli reagime edhe nga asamblistët opozitar të pranishëm në debat.

Asamblistët dhe Shoqëria Civile gjatë debatit “Jeta në Komunë”

Ndonëse në vitin 2018, Jashari kishte paralajmëruar aktivizimin e këtij projekti, dy vite pas ende nuk kanë filluar punimet. Ai fajësoi ‘burokracinë’ e nivelit qendror, pasi që sipas tij, i është dashur që të marrë pëlqimin e të gjithave ministrive.

 “Po shpresoj që me këtë vit do ta mbyllim këtë burokraci e gjithë këto letra, në tjetrin vit me fillu me infrastrukturë të brendshme”, theksoi ai.

Ndërlidhur më këtë ka reaguar asamblistja nga radhët e PDK-së, Besarta Meha. Ajo deklaroi se raporti nga Ministria e Pushtetit Lokal e ka konsideruar të kundërligjshme.  

“Ministria e Pushtetit Lokal e ka vërtetu atë, e kam me vete edhe raportin e ministrisë ku e ka kontestu të kundërligjshme”, tha Meha.

Sa i përket hapjes së vendeve te punës, Jashari nëpër disa paraqitje publike, Jashari kishte thënë se “ i ka vdek nana haraçit në Skenderaj”, duke aluduar se po ua hap dyert investitorëve vendorë dhe të huaj.  

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Skenderajt, Hysni Mehani po ashtu ngriti çështjen e haraçit në Skenderaj.

“Sa baballarë i ka harraqi në Skenderaj? Kjo është më e rëndësishme se po më duket që kjo logjika patriarkale na ka qu gabim me gjyku nanën. Unë mendoj që harraq ka, edhe baballartë e kanë fajin”, u shpreh ai.

Jashari u kundërpërgjigj duke kërkuar nga asamblisti që të flasë me raste specifike.

“Le të përmend, nanën, babën e babagjyshin e katragjyshin. Le të tregon një rast të vetëm qoftë edhe një kafe e 0.50 centëve që kushton në Skenderaj që e kemi kerku…Le të del një njeri prej lloqi le të marojnë që thojnë se Bekimi ia ka lyp ni kafe dikujna”, tha ai.

Një projekt madhor tjetër është ai i Pendës së Kuqicës që i mundëson Skenderajt dhe komunave të tjera ujë të pijes. Fshatrat që nuk po arrijnë kyqjen në ujësjëllës i kanë vendosur shpresat për ujë në këtë digë që është përmendur një dekadë më parë.

Jashari ka premtuar aktivizimin e saj vite më parë por në debatin “Jeta në Komunë” fajësoi nivelin qendror duke thënë se ky projekt kushton sa 3 kilometra autostradë.

“Kam arritë me fut në listën e prioriteteve të ministrisë. Jemi në rrugë të mirë, por pa përkrahjen e ministrisë, ne si komunë nuk mund të ecim tutje. Është një projekt i fizibilitetit që kap vlerën e 31 milionë, që për Qeverinë janë 3 kilometra autostradë”, u shpreh kryetari Jashari.

Krahas saj, gjatë debatit qytetarët paraqiten shqetësimet e tyre për mungesën e ujit në fshatin Kuqicë, Izbicë dhe Llaushë. Jashari deklaroi se këtë vit do t’u mundësohet kyçja individuale në ujësjellës.

E për këtë vit, Jashari u premtoi edhe banorëve të rrugës “Dëshmorët e Burojës” në Burojë dhe atyre të rrugës “Sami Geci” në Llaushë se do t’ua shtrojë më asfalt. 

Disa muaj pasi mori timonin e komunës së Skenderajt, Bekim Jashari preu shiritin për kompleksin memorial në Marinë në të cilën prehen 158 dëshmorë, e që për këtë projekt kishte marrë meritat. 

Por, hulumtimi i KALLXO.com shpalosi se emrat e dëshmorëve kanë filluar të fshihen. Jashari deklaroi në mirëmbajtja nuk është kompetencë e komunës së tij.

“E di shumë mirë qysh janë. Kjo është përgjegjesi e komisionit për memoriale në Kosovë të cilën e udhëheqë Bislim Zogaj. Unë të vetmin kusht që e kam pas të Qeveria Haradinaj në atë kohë, që ky kompleks të mirëmbahet siç mirëmbahet kompleksi “Adem Jashari…Këto ende nuk ka përfundu gjithçka, emra të fshim e disa janë shkru edhe gabim datat”, deklaroi Jashari.

Jeta në Komunë, Skenderaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Një tjetër çështje që u shtrua është edhe banimi social. Ndonëse komisioni kishte kryer vlerësimin e gjendjës së personave që jetojnë banesat e socialit në Skenderaj, komuna nuk e ka shqyrtuar as pas një viti. Sipas rregullave në këto banesa nuk duhet të jetojnë familje ku ka të punësuar. 

Kjo komunë ende nuk ka asnjë zgjidhje. Siç deklaroi Bekim Jashari në debat do të punojë në këtë drejtim “me letra pa u gut, mirë”, duke shtuar se nuk mund t’i nxjerrë në rrugë banorët e vendosur aty.

Në anën tjetër, Jashari u pyet edhe për mungesën e mjekëve pasi të dhënat që KALLXO.com ka siguruar tregojnë se nga 26 mjekë familjarë sa do të duhej të ishin janë vetëm 7 si dhe për mungesën e gjinekologëve që ka rezultuar me mbylljen repartit. 

Jashari deklaroi se ka të vështirë që të rris stafin mjekësor pasi që siç thotë ai, po largohen për pagë më të mirë.

“Mjekët s’mundem me i prodhu vet, çka varet nga ana ime unë kam kry kushte dhe rregullë. Unë nuk mundem më i shti me zor, hajde bonu mjek në Skenderaj, mos rri në Prishtinë. Ata krejt po kanë qef me ardhë në Prishtinë edhe me dal jashtë Kosovës krejt se po paguhen më mirë”, tha ai.

 E krejt në fund, kryetari që i hyri politikës në vitin 2017 tha se ka ndërmend që të garojë prapë për kryetar të Skenderajt, megjithëse nuk tregoi nëse do të vazhdojë të jetë i pavarur.

KALLXO.com më 1 shtator kishte publikuar edhe një hulumtim të gjatë për problemet e qytetarët të Skenderajt nën qeverisjen e Bekim Jasharit.

Ndërkaq, ky është emisioni i plotë i “Jeta në Komunë”