Ndërtesa e Komunës së Pejës. Photo: Atdhe Mulla.

Telashet e Komunës së Pejës me borxhe dhe tenderë

Për periudhën katër vjeçare 2014-2017, Auditori i Përgjithshëm i ka dhënë Komunës së Pejës gjithsejt 71 rekomandime pas auditimit të pasqyrave financiare. Në vitin 2014, Auditori ia kishte dhënë Komunës së Pejës 15 rekomandime. Kurse, në vitin 2015, Komunës së Pejës i ishin dhënë 20 rekomandime nga ana e auditorit. Në vitin pasues i janë dhënë 18 rekomandime, kurse në vitin 2017 i janë dhënë 19 rekomandime. Vetëm 14 rekomandime komuna ka arritur t’i adresoj plotësisht prej 71 rekomandime sa kishte marrë gjatë katër viteve. Pjesërisht të adresuara, sipas Auditorit janë 20 rekomandime, ndërsa të padresuara mbeten 18 të tilla që janë dhënë nëpër vite.

Telashe me auditor të brendshëm e të jashtëm

Komuna e Pejës në vazhdimësi kishte telashe me auditorin e brendshëm dhe funksionimin e Komitetit të Auditimit.

Në raportin e vitit 2014, Auditori kishte ngritur shqetësimin e mos-adresimit të rekomandimeve të dhënë në vitin paraprakë, 2013. Auditori kishte kërkuar nga kryetari që të hartojë një planë konkretë për zbatimin e rekomandimeve, por ky rekomandim nuk ishte marrë parasysh.

Mos adresimi i rekomandimeve si çështje është përsëritur edhe në raportin e Auditimit të pasqyrave financiare për vitin e përfunduar në vitin 2015.

“Kryetari i komunës duhet të sigurojë që Komiteti i Auditimit  merr një rol pro-aktiv në mënyrë që të arrihet përfitimi maksimal nga sistemi i auditimit të brendshëm. Komiteti i Auditimit duhet t’i rishikojë në mënyrë kritike burimet, planet dhe rezultatet e Njësisë së Auditorit të Brendshëm dhe të kontribuojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit të komunës. Kryetari duhet të vendosë komunikim të rregullt me NjAB-në për të parandaluar gabimet dhe parregullsitë në sistemet financiare dhe operative të komunës”, thuhet në rekomandimi e Auditori që komuna nuk e adresoi në vitin 2015.

Edhe në raportin e vitit 2015, Auditori kishte gjetur mangësi sa i përket funksionimit të Auditorit të Brendshëm. Auditori i rekomandoi kryetarit që t’i rishikojë planet e auditimit të brendshëm dhe t’i propozoj masat për përmirësim.

Në raportin e fundit të auditimit, auditori kishte konstatuar se Komuna e Pejës i kishte zbatuar pjesën më të madhe të rekomandimeve të auditori të brendshëm, mirëpo kishte ngecje në Komitetin e Auditimit.

“Kryetari të siguroj funksionimin e plotë të Komitetit të Auditimit dhe NJAB për të arritur përfitimin maksimal nga shërbimet e auditimit të brendshëm”, thotë rekomandimi i vitit 2017.

Komuna nuk po mund t’i mbledh borxhet

Në raportin e viti 2014, Auditori një prej të gjetjeve ishte grumbullimi i borxheve ndaj Komunës së Pejës. Auditori kishte konstatuar se Komuna e Pejës kishte rritje sistematike të llogarive të arkëtueshme (borxheve ndaj komunës), të cilat kishin arritur në mbi 15 milionë euro. Këto borxhe ishin në tatimin në pronë, licenca, qiraja etj. Auditori kishte konstatuar se Komuna nuk kishte mekanizma për inkasimin e këtyre të hyrave dhe kryetarit i rekomandoi që të analizoi arsyen e nivelit të lartë të hyrave.

“Kryetari i Komunës duhet të iniciojë analizimin e arsyeve të nivelit të lartë të të arkëtueshmeve dhe t’i forcojë kontrollet për të parandaluar rritjen e tyre të mëtutjeshme. Një strategji dhe mekanizma adekuat duhet të prezantohen për të mundësuar mbledhjen e të arkëtueshmeve historike, përfshirë edhe veprimet ligjore”, thuhet në rekomandimin e dhënë në vitin 2014.

Ky rekomandim ishte adresuar pjesërisht në vitin pasues, mirëpo Auditori serish kishte gjetur mangësi në mbledhjen e borxheve.

“Komuna ka të deklaruara shuma të konsiderueshme të llogarive të arkëtueshme nga tatimi në pronë, taksa biznesi dhe qiraja, në vlerë 14 milionë e 473 mijë euro, që për dallim nga viti i mëhershëm 14 milionë e 947 mijë euro ishin për 473,070€ më të ulëta”, thuhet në të gjeturën e auditorit. Auditori I rekomandoi kryetarit që të analizojnë gjendjen e këtyre llogarive.

“Kryetari duhet ta shqyrtoj gjendjen e këtyre llogarive, të analizoj arsyet për akumulimin e këtyre shumave të konsiderueshme dhe të ndërmerr veprime efektive për maksimizimin e shkallës së inkasimit. Procesi i monitorimit sistematik të masave dhe politikave për rritjen e inkasimeve, duhet të jetë gjithashtu pjesë e shqyrtimeve të rregullta të menaxhmentit”, thuhet në rekomandimin e pa adresuar

Në vitin 2016-të, auditori evidentoi se kishte mos barazim të llogarite të arkëtueshme me diferencë mbi 25 mijë euro.

“Kryetari duhet të siguroj se janë sqaruar diferencat ekzistuese dhe të dhënat që paraqiten në raportet financiare janë të plota dhe të sakta, si dhe përfshirë të gjitha vlerat të cilat e paraqesin gjendjen reale”, thuhet rekomandimin e adresuar gjatë 2017-ës.

Në vitin 2017-të, Komuna ka prezantuar llogari të arkwtueshme 16 milionë e 282 mijë e 160 euro. Borxhi i qytetarëve për tatimin në pronë arrin në 9 milionë e 415 mijë e 514, ngarkesa për afarizëm të bizneseve 6 milionë e 393 euro, kurse borxhi në emër të qirasë komunale arrin në 32 mijë e 540 euro, e pasuar nga çerdhja që ka një borxh 1 mijë e 897 euro kërkesat nga parkingu 27 mijë  euro, si dhe kërkesat nga paditë gjyqësore 411 mijë e 850 euro.

“Llogaritë e arkëtueshme të Komunës së Pejës krahasuar me vitin 2016 ishin rritur për 696,000€. Megjithatë, komuna nuk kishte ndonjë plan dhe nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim për arkëtimin e tyre”, thuhet në raportin e Auditorit për PFV të Komunës së Pejës për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2017.

Kryetarit të komunës iu rekomandu që siguroj që po shqyrtohen opsionet e mundshëm për rritjen e efikasitetit të mbledhjes së të hyrave

“Kryetari duhet te sigurojë që po shqyrtohen në mënyrë aktive të gjitha opsionet e mundshme, duke vendosur politika me qëllim të rritjes së efikasitetit në mbledhjen e të arkëtueshmeve. Po ashtu duhet shqyrtuar të gjitha masat në pajtim me ligjin, ndaj operatorëve të cilët nuk i përmbushin obligimet kontraktuale”, thotë rekomandimi i dhënë në vitin 2017.

Komunës i rriten borxhet, evidentohen mangësi në raportim

Komuna e Pejës as vet nuk ishte treguar shumë borxhli i mirë për palët e treta. Auditori kishte konstatuar se kësaj Komune u janë rritur borxhet çdo vit. Në 2014-ën borxhet ishin në shumën e 609 mijë eurove. Mbi 469 mijë euro borxhe të paguara furnitorëve dhe obligimet kontingjente të Komunës në 2014-ën kishin vlerën e 921 mijë  e 860 euro.

Detyrimet kishin shënuar rritje në 2015-të.

“Kryetari duhet të rishikoj gjendjen e detyrimeve të papaguara, për të përcaktuar masat e nevojshme për adresimin e çështjeve të identifikuara, dhe pagesat të bëhen në kuadër të limiteve kohore të përcaktuara me rregullat financiare. Për trajtimin e detyrimeve kontingjente në koordinim me avokatin komunal, duhet të ndërmerr një rishikim të gjendjes së detyrimeve, për të përcaktuar prioritetin e pagesave, për t’iu shmangur ekzekutimeve drektë nga MF dhe gjykatat”, thuhet në rekomandimin pjesërisht te adresuar.

Gjatë viti 2016-të, komuna kishte bërë raportim jo të plotë të obligimeve si dhe kishte vonesa në pagesat e obligimeve. Auditorit rekomandoi kryetarit që departamenti i financave do t’i kontrolloi dhe raportoj dhe paguaj të gjitha obligimet brenda afateve.

Sipas raportit të auditimit, pasqyra e prezantuar obligimeve ndaj furnitorëve në fund të vitit 2017- 1 milionë e 585 mijë e 892 euro.

“Detyrimet kontingjente ishin trajtuar, mirëpo mbetet sfidë raportimi i plotë i obligimeve dhe pagesa vonesat në pagesën e obligimeve”, thuhet raportin e Auditimit.

Dobësi në subvencione dhe transfere

Subvencionet dhe transferet në komunën e Pejës janë shoqëruar me dobësi për shkak të mungesës së rishikimeve efektive dhe rregullores së brendshme të komunës.

“Kryetari i komunës duhet të sigurojë një rishikim për ndarjen e subvencioneve dhe t’i forcojë ato për të siguruar që të gjitha shpenzimet për subvencione janë në pajtim me rregulloren e brendshme dhe kontribojnë në arritjen e objektivave të komunës. Të gjithë përfituesit duhet të bëjnë raportime kthyese në komunë për të siguruar vlerën për paranë dhe për të shmangur mundësinë e mashtrimeve. Kryetari duhet të sigurojë se rastet e mundshme të konfliktit të interesit do të shmangen dhe nuk do të përsëriten në të ardhmen”, thotë rekomandimi I vitit 2014-të.

Rekomandimi i Auditorit për subvencionet në vitin 2014, u adresuar vetëm pjesërisht në vitin pasues.

Problemet me subvencione janë shfaqur edhe në vitin 2015-të, komuna kishte evidentuar kritere të mangëta të rregullores dhe mungesë të raportimit nga përfituesit e subvencioneve.

Auditori thotë se mangësitë në menaxhimin dhe dhënien e subvencioneve rrisin rrezikun se fondet të mos shpenzohen në pajtim me qëllimet e dedikuara dhe për  këtë duhet kryetari të vendos kritere të qarta.

“Kryetari duhet të vendosë kritere të qarta lidhur me përfitimin/refuzimin e kërkesave për subvencione. Të sigurohet që me rastin e subvencioneve te lejuara te kërkohen që të përpilohen raporte përshkruese bashkangjitur me dëshmi dhe fatura për arsyeshmërinë e shpenzimeve dhe të përcillen aktivitetet për te cilat është lejuar subvencioni”, thuhet në rekomandimin e dhënë në vitin 2015.

Ky rekomandim u adresua pjesërisht në vitin 2016, pasi serish kishte dobësi në kontrolle dhe subvencione.

“Kryetari të siguroj se janë respektuar kërkesat ligjore në lidhje me pagesën e subvencioneve, dhe se janë ofruar dëshmi relevante që arsyetojnë qëllimin e subvencionit. “, thuhet në rekomandimin e Auditori.

Në vitin 2017-të, Auditori evidentoi se përfituesit e subvencioneve nuk kishin kthyer raporte financiare siç parashihet me rregulloren e komunës.

“Në dy raste përfituesit e subvencioneve në vlerë totale 25 mijë euro, nuk kishin përgatitur raporte financiare dhe raportet narrative, të cilat do të dëshmonin se subvencioni është shfrytëzuar për qëllimin e dhënë. Përfituesit kishin ofruar vetëm disa fatura dhe dëshmi të transfereve bankare në të cilat vërehej se mjetet ishin shpenzuar për qëllime tjera në raport me qëllimin për të cilin janë dhënë. Rregullorja Komunale (K.PE) Nr.01/2017 për subvencione, përcakton që përfituesi i subvencionit duhet të dorëzojnë raportet financiare dhe narrative me dëshmitë e dokumentuara si kërkohet ne projekt propozim”, thuhet në të gjeturën e raporti të auditimit.

Auditori rekomandoi se kryetari duhet të sigurojë se përfituesit e subvencioneve raportojnë për mjetet e shfrytëzuar.

“Kryetari duhet të sigurojë se përfituesit e subvencioneve raportojnë për mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve, dhe në rastet kur mjetet nuk shfrytëzohen për qëllimin e dhënë të ndërmerren masa ligjore ndaj përfituesve të subvencioneve“, thuhet në rekomandimin e vitit 2017-të.

Realizimi i buxhetit

Komuna e Pejës ka arritur që të përmirësojë dukshëm ekzekutimin e buxhetit. Derisa në vitin 2014-të, komuna kishte një ekzekutim të ulët të buxhetit në shkallën 84 për qind të investimeve kapitale dhe Auditori kishte dhënë rekomandim, kjo nuk ndodhi në vitin 2017. Auditori në raportin e fundit për Pasqyrat Vjetore Financiare për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2017 nuk ka dhënë fare rekomandime për PFV, pasi nuk kishte hasur në dobësi.

Ndërkohë, Komuna e Pejës kishte telashe në inkasim të të hyrave dhe planifikimin e tyre. Në vitin 2014-të, ZKA evidentoi dobësi në planifikimin, inkasimin dhe raportimin e të hyrave. Komuna kishte planifikuar 1.27 milionë euro të hyra përderisa inkasimi ishte 1.40 milionë. Sipas auditorit kjo nuk paraqet një pasqyrë reale pasi që inkasimi është më i lartë se planifikimi.

Auditori i rekomandoi kryetarit se duhet të iniciojë një analizë për arsyet e mospërputhjeve domethënëse në mes planifikimit, inkasimit dhe faturimit të të hyrave.

Probleme me të hyra kishte edhe në dy vitet pasuese, 2015 dhe 2016. Gjatë viti 2016-të, Komuna nuk kishte planifikuar të mbledhë të hyra nga: lejet e ndërtimit, qiratë, taksat e pajisjet motorike dhe licencat. Vlera e inkasimeve të pa planifikuar ishte 381 mijë euro.

“Kryetari duhet të siguroj që gjatë planifikimit fillestar të buxhetit, të hyrat janë përfshirë sipas të gjitha llojeve dhe shumave të përafërta që pritën të inkasohen, si dhe të siguroj se do të bëhet verifikimi i 1/3 të pronave për tatimin në pronë”, thuhet në rekomandimin e pa adresuar.

Komuna kishte vonesa në arkëtimin e tw hyrave nga qiraja.

“Kryetari të siguroj një menaxhim efektiv të kontratave të qiradhënies dhe të vendos mekanizma efikas për realizimin e të hyrave konform kushteve të kontraktuara, përkatësisht zbatimin e afateve për arkëtimin e mjeteve nga qiraja”, thuhet në rekomandimin e dhënë në vitin 2016. Ky rekomandim nuk është adresuar fare.

Gjatë vitit 2017 u evidentua se komuna nuk kishte verifikuar 1/3 e territorit të saj, mos aplikimin e cilësisë së objekteve në vlerësimin dhe tatimin në prone, si dhe mos menaxhim jo adekuat të pronave komunale të dhëna me qira. Duke rezultuar me tri rekomandime për tu adresuar

“Komuna nuk ka bërë verifikimin e 1/3-ës të pronave, sipas kërkesave të Udhëzimit Administrativ nr. 03/2011 nenit 13. Nga 39,563 prona të evidentuara në bazën e të dhënave mbi tatimin në pronë, komuna ka arrit të verifikoj vetëm 203 prona aktuale të regjistruara, ose vetëm 0.51%. “, thuhet në të gjeturën e auditorit,

Kryetari iu rekomandua të siguroj verifikimin e pronave sipas rregullave.

“Kryetari duhet të siguroj se verifikimi i pronave të paluajtshme për tatimit në pronë duhet të bëhet sipas rregullave, në mënyrë që të integrohen të gjitha ndryshimet eventuale në bazën e të dhënave për pronat ekzistuese me qëllim të përcaktimit të taksave sipas barrës reale për të gjitha objektet në territorin e komunës”, rekomandon auditori.

Tutje Auditori gjen se komuna nuk ka marrë parasysh cilësinë e objekteve për vlerësimin dhe tatimin në pronë.

“Zyra Komunale e Tatimit në Pronë nuk ka marrë parasysh cilësinë e objekteve me rastin e kalkulimit të ngarkesës tatimore. Në bazë të UA nr.03/2011 mbi mbledhjen dhe regjistrimin e informatave mbi pronën dhe tatimpaguesit duhet të klasifikohet gjendja e objekteve sipas faktorit të cilësisë se ndërtimit e shprehur në koeficient, e cila varësisht prej gjendjes së objektit (shumë e dobët, e dobët, mesatare, e mirë dhe e shkëlqyeshme) rritë apo e zvogëlon ngarkesën tatimore). Sipas zyrtarëve të tatimit në pronë aplikimi i cilësisë së objekteve do të filloj në vitin 2018”, thotë e gjetura e auditorit.

“Kryetari i komunës duhet të siguruar se janë ndërmarr veprimet e nevojshme për kalkulimin e drejtë të ngarkesave tatimore ndaj taksapaguesit duke aplikuar kriterin e cilësisë se objekteve në përputhjeje me koeficienteve e përcaktuar nga ligjvënësi”, thuhet rekomandimin e dhënë nga Auditori.

Komuna e Pejës, sipas auditorit, i ka lëshuar pronat ma qira pa konkurrencë, siç e parasheh ligji.

“Komuna, në vitet paraprake ka dhënë me qira 25 objekte komunale për shfrytëzim të përkohshëm. Megjithatë gjatë testeve tona identifikuam se në katër raste mungonin kontratat dhe dokumentacioni për shfrytëzim të objekteve, ndërsa në tri raste tjera, kontratave u kishte kaluar afati. Për këto raste komuna nuk kishte zhvilluar procedurat për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim afatshkurtër, realizohen përmes konkurrencës së hapur publike”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kryetarit iu rekomandua të analizohen arsyet për menaxhim jot ë duhur të pronës komunale

“Kryetari duhet të analizoj arsyet për menaxhimin jo të duhur të pronës komunale dhe siguroj se dhënia në shfrytëzim e pronës së paluajtshme komunale të bëhet vetëm atëherë kur janë plotësuar kërkesat ligjore konform rregullave”, rekomandon auditorit.

Auditori ka evidentuar mangësi edhe në raportim menaxherial, në vitet 2015-të dhe 2016-të.

Në 2015-ën, raportimet e ndaj menaxhmentit nuk ishin nuk ishin të formalizuara në mënyrë të kënaqshëm andaj Auditori i rekomandoi kryetarit një rishikim të rregullimeve ekzistuese.

“Kryetari duhet ta bëjë një rishikim të rregullimeve ekzistuese të llogaridhënies dhe të kërkesave për raportim të vendosura mbi drejtoritë e komunës dhe të implementojë aranzhime më të mira për arritjen e objektivave të specifikuara dhe për të përmirësuar qeverisjen e mirë në të gjithë komunën”, nuk është adresuar.

Shkeljet sistematike nëpër tender

Komuna e Pejës vazhdimisht kishte telashe me tender. Bazuar në raportet e Auditimit të Pasqyrave financiare del që kjo komunë kishte bërë shkelje që nga faza e planifikimit të prokurimit, për të vazhduar në atë të vlerësimit të ofertave, nënshkrimi i kontratave e deri tek zbatimi i kontratave.

Gjetjet e auditorit flasim për shkelje sistematike që janë bërë në prokurim. Sado që disa prej rekomandimeve janë adresuar, shkeljet vazhdojnë të ndodhin dhe ato janë të pranishëm në çdo raport të prokurimit.

Në vitin 2014-të, Auditori evidentoi se komuna shmangi procedurat e prokurimit, për t’i ikur konkurrencës duke zhvilluar 128 procedura përmes kuotimit të çmimeve për furnizime me vlerë minimale (55,025€) dhe furnizime me vlerë të vogël (397,514€).

Gazmend Muhaxheri, LDK, Pejë. Foto: Atdhe Mulla

“Komuna kishte bërë 15 pagesa me vlera minimale në shumë 12 mijë e 751 euro për mirëmbajtjen e shkollave përderisa ekzistonte një kontratë (235 mijë e 112 euro) për punë të tilla të realizuar me procedurë të hapur; dhe Shtatë (7) kontrata ishin lidhur përmes kuotimit të çmimeve (në vlerë totale prej 47 mijë e 844 euro) për renovim, suvatim dhe ngjyrosje të objekteve. Katër prej tyre, ishin lidhur me operatorin e njëjtë ekonomik”, thuhet në të gjeturën e auditorit.

Kreut të Komunës ishte rekomanduar që të përmirësohet planifikimi dhe realizimi i prokurimit.

Kryetari i komunës duhet të analizojë arsyeshmërinë e një numri kaq të lartë të kuotimeve, me theks të veçantë në rastet kur për shpenzime të njëjta ekziston kontratë me procedurë të hapur. Kryetari duhet të forcojë kontrollet në planifikimin dhe realizimin e prokurimit duke siguruar që për shpenzimet e natyrës së njejtë do të përdoren procedurat e hapura për të arritur vlerën më të lartë për paranë e paguar”, thuhet në rekomandimin e dhënë në vitin 2014. Ky rekomandim ishte adresuar pjesërisht të adresuar nga komuna në vitin vijues.

Kjo nuk ishte dobësia e vetme në prokurim. Auditori kishte gjetur se Komuna e Pejës ka pranuar certifikata jo-valide, oferta jo-valide dhe kishte paguar fatura të panënshkruara.

“Kryetari i komunës duhet të sigurojë forcimin e kontrolleve të prokurimit gjatë vlerësimit të tenderëve dhe pranimit të punëve dhe furnizimeve për të siguruar që pagesat e bëra janë vetëm për punët/furnizimet e pranuara që plotësojnë kërkesat e cilësisë. Asnjë kontratë nuk duhet t‟i ofrohet operatorëve që nuk plotësojnë kriteret e tenderit”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për prokurim. Ky rekomandim është adresuar pjesërisht gjatë vitit 2015.

Shkeljet në prokurim nuk ishin ndalur, mirëpo Auditori kishte gjetur shkelje të natyrave të ndryshme.

Komuna kishte lejuar që të tejkaloheshin projektet e kontraktuara për shtrim të ujësjellësit, duke i paguar 172 mijë euro shtesë pa lidhur kontratë me kontraktorin.

“Kryetari duhet t’i shqyrtoj arsyet pse kanë ndodhur dështimet lidhur me zbatimin e kontratës, dhe të propozoj hapat që duhet ndiqen deri në finalizimin e kësaj kontrate. Gjithashtu, kontrollet e çertifikimit duhet të forcohen dhe të gjitha pagesat të bëhen vetëm pas konfirmimeve të pozicioneve të parapara në kontratë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit të dhënë në raportin e auditimit të pasqyrave financiare për vitin që përfundon me 31 dhjetor 2015.

Një rast eklatant është gjetur në vitin 2015 nga Auditori në Komunën e Pejës. Në kontratën për furnizim me material administrativ, Auditori ka gjetur se janë tejkaluar deri në 500% sasitë e parapara për disa lloje të produkteve. Shembull, komuna i ka kërkuar gjithsejtë 48 lloje të tonerëve. Prej tyre janë porositura vetëm katër lloje të tonerëve që kishin vlerë më të shtrenjtë, deri në 40 euro. E katër lloje të tonerëve që ishte ofertuar prej 1 cent copa, nuk është porositura asnjëherë.

“Në katër lloje të tonerëve me çmimin më të lartë ishte tejkaluar sasia e kontraktuar 520% për Toner LBP 600B me çmim 41€/copë, 124% për Toner 12A me çmim 33€/copë, 485% për Toner 35A me çmim 35€/copë dhe 280% për Toner 85A me çmim 4.10€/copë. Derisa, katër prej 48 lloje të tonerëve të kontraktuar me çmim prej 0.01€ nuk ishin furnizuar asnjëherë (TN 2 16Y; TN 2 16R; TN 2 16C dhe TN 2 16K). Komuna nuk ka qenë në gjendje të na dëshmoj nëse ka në përdorim aparate printimi për 48 lloje të Tonerëve“, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2015.

Ilustrim

Auditori u rekomandoi kryetarit që të bëhet një vlerësim reaI i nevojave me rastin e hartimit të planit vjetor të prokurimit.

“Dobësitë e identifikuara më lartë lidhur me këto furnizime duhet të rishikohen dhe kryetari duhet të siguroj që me rastin e hartimit të planit vjetor të prokurimit, nga të gjitha njësitë kërkuese është bërë një vlerësim real i nevojave dhe që të gjitha kontratat të lidhen vetëm për materialet dhe sasinë e nevojshme“, thuhet në rekomandimin, që sipas Auditorit ishte adresuar në vitin vijues nga komuna.

Auditori i kishte dhënë edhe dy rekomandime për kontratën për furnizim me naftë, pasi kishe shkelje gjatë ekzekutimit e edhe pas përfundimit të saj.

“Kryetari duhet të siguroj se kontrollet e çertifikimit do të forcohen, dhe se pas konfirmimit se të gjitha furnizimet janë kryer përmes raporteve të qarta të pranimit dhe në pajtim me kushtet e kontratave, mund të procedohet me pagesa. Në të kundërtën, pagesat nuk duhet të çertifikohen“, thuhet në rekomandimin pjesërisht të adresuar.

E në vitin 2016, Auditori kishte gjetur se komuna e Pejës kishte lidhur kontrata jashtë planit të prokurimit, që së bashku kishin një vlerë prej 1 milion e 431 mijë euro.

“Kryetari duhet të siguroj se plani i prokurimit është hartuar pas një analize të hollësishme të të gjitha njësive kërkuese dhe ka përfshirë sipas prioriteteve të gjitha projektet, për të cilat janë siguruar fondet e duhura buxhetore“, thuhet në rekomandimin që komuna e ka adresuar në vitin vijues.

E gjetura tjetër në prokurim në 2016-ën kishte të bënte me kontraktim të operatorëve që nuk i plotësonin kërkesat e dosjes së tenderit. Ndërsa në një rast mos plotësim të kërkesave dhe ndarje jot ë duhur të detyrave.

“Kryetari duhet të siguroj se me kontratë shpërblehen vetëm OE që plotësojnë kërkesat e parapara në dosje të tenderit, si dhe me rastin e ndarjes së detyrave të zyrtarëve për aktivitetet të caktuara, të jetë në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë që të shmanget mundësia e konfliktit të interesit”, thuhet në rekomandimin e Auditorit. Ky rekomandim nuk është adresuar nga Komuna e Pejës gjatë vitit 2017.

Në vitin 2017-të,  nga auditori evidentohet mangësi në përgatitjen e paramasës dhe paralogarisë. Auditori kishte gjetur se paramasa dhe parallogaria ishin bërë paushall dhe në kundërshtim me rregullat dhe udhëzuesin operativ për prokurimit publik.

“Në dy pozicionet dominante çmimet ishin rritur mbi 100% pa ndonjë arsyetim”, thuhet në të gjeturën  e auditorit në tenderin për rrënim të objekteve. “Kryetari duhet të forcojë kontrollet e brendshme të cilat sigurojnë se paramasa dhe parallogaria përgatiten nga njësia kërkuese në mënyrë që furnizimet të jenë në përputhje me nevojat reale të institucionit, dhe se përllogaritja e vlerës së kontratës do të bëhet në pajtim me kërkesat e LPP-së”, rekomandon auditori.

Auditori gjen mos respektim të parimeve për ndarjen e detyrave sipas ligjit të prokurimi publik.

“Tek aktiviteti i prokurimit “Rrënimi i objekteve të ndërtuara pa leje në pronat private dhe publike” në Komunën e Pejës zyrtari i njëjtë i cili ka përgatitur specifikimet teknike ishte caktuar kryetar i komisionit të vlerësimit duke anashkaluar parimet për ndarjen e detyrave”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori i rekomandoi kryetarit të respektohen parimet siç i parasheh ligji për ndarjen e detyrave me rastin e formimit të komisioneve të ndryshme.

Auditori evidenton se janë bërë pagesa pa dëshmi të mjaftueshme

“Në dosjen e pagesës të datës 27/04/2017 në vlerë 6,441€ për shërbime të transportit kemi vërejtur se në kuadër të kësaj pagese fatura në vlerë 1,968€ ishte për pjesëmarrjen e drejtorëve të shkollave dhe profesorëve në seminarin e organizuar në Vlorë, megjithatë nuk kishte ndonjë kërkesë të aprovuar apo listë të stafit që kishte marrë pjesë në këtë seminar”, thuhet në raportin e auditorit për vitin 2017.

“Kryetari duhet të sigurojë se me rastin e udhëtimeve paraprakisht do të aprovohet lista e pjesëmarrësve për të siguruar që shpenzimet do të bazohen në dëshmi adekuate dhe të mjaftueshme”, rekomandon auditori.

Auditori ka gjetur se shkollat nuk mbajnë shënime për sasinë e druve që janë furnizuar që nga viti 2014. Institucionet e furnizuara, shkollat nuk posedojnë fletëdërgesa apo ndonjë dëshmi që vërteton sasinë e druve të pranuara gjatë sezonit 2016/2017 në këto institucione.

“Kryetari duhet të sigurojë se në pranimin e furnizimeve përfshihet edhe stafi i institucioneve relevante për të siguruar dëshmi dhe informata mbi sasinë e furnizimeve të kryera”, rekomandon Auditori.