Të rinjtë marrin në dorë fatin e tyre

Në shtetin e ri ku mundësitë e karrierës janë të kufizuara, të rinjtë e Kosovës janë duke provuar të zhvillojnë karrierën dhe të jenë shembull për rrethin dhe shoqërinë.

Për rininë e shtetit të ri orientimi në karrierë është njëra nga sfidat më të mëdha për shkak të mungesë së vendeve të punës dhe planeve se nga të zhvillohet shkollimi.

Me shumë pengesa në disa prej komunave kanë nisur aktivitete të cilat japin qasje tjetër dhe mundësi të reja për nxënësit e shkollave të mesme.

 Modeli i Ferizajt

Ferizaj është qyteti i tretë më i madh në Kosovë. Komuna për një kohë të gjatë është mbajtur në këmbë për shkak të punës sezonale që qytetarët e kryejnë në bazat amerikane në Afganistan dhe Irak ku pagat kanë garantuar mirëqenie të mirë për shumë familje të këtij qyteti.

Por ëndrra për punë në baza është duke u zbehur për shkak të shkurtimeve ndërsa të rinjtë kanë nisur të krijojnë përvoja dhe të angazhohen në tregjet botërore.

Joneta Bytyqi, vetëm 22 vjeçare tashmë është bërë një mentore për adoleshentë nga Ferizaji që ndjekin trajnim në kompaninë e saj të dizajnit “Bylko Desings”.

Katër punëtorë paguhen nga kompania e Bytyqit përderisa ajo ofron kushte të vazhdueshme për nxënës të interesuar në fushën e dizajnit që është treguar profitabil në treg.

Disa nxënës që mësojnë në shkollat e mesme të Ferizajt, madje edhe në drejtime si mjekësia kanë zgjedhur të mësojnë nga Joneta për të siguruar mundësi pune dhe stabiliteti financiar, në kohën kur papunësia në vend vazhdon të jetë e madhe.

Historinë e Jonetës e solli në dritë një tjetër vajzë e re nga Ferizaji, Ermona Leskovci.

Nxënësja e gjimnazit “Shaban Hashani” u bë pjesë e projektit për gazetari dhe botoi artikullin e parë në platformën rinore KALLXORinia.

Disa kilometra më larg, në Prizren, disa të rinjë të tjerë kanë vendosur të mos presin përfundimin e shkollës për tu angazhuar  duke punuar në hobit dhe pasionin që synojnë t’i kthejnë në karrierë.

Edis Mamusha nxënës i gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren tashmë ka filluar të financojë veten me punën e tij në dizajnin grafik.

Ndërsa Gentrit Kastrati,shok klase i Edisit tashmë është autor i një filmi dokumentar lidhur me bullizmin.

Për ta shkroi nxënësja që aspiron të bëhet gazetare, Mirlinda Zyberi.

Sipas të dhënave në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në Kosovë në vitin e fundit shkollor u numëruan 125 shkolla të mesme të larta.

Ky nivel arsimor paraqet pikën determinuese për nxënësit në kuptimin e orientimit në karrierë dhe punësimit.

81 mijë e 41 nxënës ishin të regjistruar në shkolla të mesme të larta në vitin shkollor 2018/2019.

Në të njëjtën kohë, sipas statistikave të fundit të papunë në nivel vendi nga mosha 15 deri 64 vjeç ishin gjithsej 176, 743 persona, përkatësisht 123,052 burra dhe  53,692 gra.

Modele pozitive të angazhimit 

Shpat Syla, një nxënës nga gjimnazi “Frang Bardhi” në Mitrovicë angazhohet mbi 10 orë në ditë me shkollën dhe karrierën e tij në basketboll.

Ai thotë se ky angazhim është i lodhshëm por ia vlen nëse e sjell më afër ëndrrës së tij për sukses në këtë sport.

Qyteti prej nga vjen Shpati ishte cilësuar si vatër e ekstremizmit të dhunshëm hulumtimet treguan se 10% e personave të dënuar për indoktrinim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste janë nga kjo komunë. Një grup i madh të rinjsh të kësaj komune ranë viktima të propagandës ekstreme e cila u shpërnda  në këtë zonë në mes viteve 2005 dhe 2012.

Kosova ishte një vend i izoluar ndërsa të rinjtë nuk kishin motiv të merreshin me sportin e kulturën. Federatat dhe klubet nuk njiheshin nga federatat botërore dhe kjo kishte krijuar klimë ku interesimi për të bërë famë në sport ishte i ulët.

Pranimi i vendit në FIFA,UEFA,FIBA dhe federatat e tjera hapi rrugë të reja për të zhvilluar karrierë.

Mitrovicasit e rinj sot kanë nisur të angazhohen në aktivitete të ndryshme

Shpati është angazhuar në sport ndërsa Bledion Fazliu është angazhuar të shkruaj artikuj për sportistë të suksesshëm të qytetit.

Nxënësi që shkroi për Shpatin, thotë se promovime të tilla u duhen nxënësve që po punojnë përkundër se jetojnë në një vend me pak perspektivë.

Mungesa e edukimit cilësor dhe mungesa e perspektivës në punësim po konsiderohet njëra nga arsyet që mund të çojë në radikalizmi të dhunshëm.

Jehona Gjurgjeala, Drejtoreshë e organizatës “Toka” që ka në fokus edukimin, foli për KALLXO.com lidhur me  dëmet që shkakton mungesa e edukimit të mirëfilltë.

“Padyshim se kualiteti i dobët i edukimit në Kosovë ndikon në mos zhvillimin e duhur të mendimit kritik. Kur nuk je mësuar se si t’i dallosh faktet nga opinionet, apo ‘lajmet e rrejshme’ natyrisht se do të ndikohesh më lehtë, shpesh për të keq”, thotë ajo.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e angazhimit të të rinjve në vetëpunësim.

“Ne tregun e sotëm të punës, diploma nuk mjafton. Aktivizimi i nxënësve në çdo moshe ndikon në zhvillimin e shkathtësive tejet të rëndësishme në punësim- siç janë komunikimi, puna ekipore, aftësia e zgjidhjes së problemeve etj.”, shpjegon ajo.

“është shumë thjeshtë,” thotë Gjurgjeala- “sa më herët që fillon t’i zhvillon këto shkathtësi, aq më përpara bashkëmoshatarëve të tu do të jesh. Të gjitha këto shkathtësi janë shumë të kërkuara nga punëdhënësit, edhe do të rezultojnë në punësim më të lehtë, si dhe në vetëpunësim”

Një shans edhe për fëmijët viktima të radikalizmit

74 fëmijë janë ri-atdhesuar në Kosovë nga luftërat e huaja në mes të prillit vitit.

Nëntë nga ta janë fëmijë të cilët nuk kanë asnjërin prind ndërsa fëmijët e tjerë janë rikthyer me nënat e tyre.

Të gjithë këta fëmijë për vite të tëra kishin qenë në luftëra të huaja dhe u kishte munguar arsimimi.

Komunat e Kosovës kishin pasur një barrë për parandalimin e ekstremizmit, ndërsa vende të rrezikuara si Hani i Elezit u ankuan se nuk patën mundësi e as ndihmë për tu përballur me këtë fenomen.

Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë po ashtu kishte thënë se kanë marrë masa për edukimin e fëmijëve të rikthyer.

“Në bazë të të dhënave qe i kemi marre nga Ministria e Punëve te Brendshme të kthyer në Kosovë janë 74 fëmijë prej tyre 26 të moshës parashkollorë. Pjesa më e madhe e fëmijëve do te integrohen ne arsim përmes formës se arsimit te përshpejtuar”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Tuje në përgjigjet e MASHT-it thuhet se janë identifikuar nevojat e fëmijëve të rikthyer.

“Sigurisht që kemi identifikuar edhe nevojat e tyre dhe ditëve në vazhdim do të kemi edhe një takim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, në mënyrë që të harmonizojmë veprimet sepse këtë e parasheh edhe Udhëzimi Administrativ ‘Përcaktimi i kritereve dhe procedurave për organizimin e  mësimit plotësues për nxënësit e riatdhesuar“, thuhet tutje në përgjigjet e MASHT-it drejtuar Gazetës “Jeta në Kosovë”.