Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL/Courtesy Photo

Të gjesh një zgjidhje të drejtë

 

Vetëm një marrëveshje në të cilën Serbia e njeh Kosovën dhe pranon të zbatojë të gjitha 33 marrëveshjet nga dialogu i Brukselit mund të zgjidhë konfliktin.

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë do ta vizitojnë Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, dhe ndërmjetësimi amerikan mund të rezultojë me një marrëveshje historike me njohje të ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve mes rivalëve të armiqësuar të Ballkanit. Diplomacia është me shumë rëndësi. Në Kosovë, mungesa e konfliktit të dhunshëm nuk do të thotë që konflikti ka përfunduar.

NATO ka ndërhyrë për të parandaluar spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga forcat e armatosura të Serbisë dhe banditët paramilitarë në vitin 1999. Qysh atëherë, Kosova është lënë në harresë. Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe u njoh nga 111 vende. Legjitimiteti i deklaratës së saj u konfirmua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Sidoqoftë, Serbia refuzon të pranojë që e ka humbur Kosovën. Ajo ka zhvilluar një fushatë tinëzare për të minuar qeverinë e Kosovës dhe për të penguar përpjekjet e saja për të fituar njohje më të madhe në nivel global.

Tani, ka ardhur koha që të varrosen fantazmat e Ballkanit. Pas më shumë se 20 vitesh armiqësi, paqja e qëndrueshme mund të arrihet duke ndërmarrë hapat e mëposhtëm:

Serbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës si një shtet sovran dhe të pavarur brenda kufijve të saj aktual. Duhet të braktisë përpjekjet për të bllokuar njohjen e Kosovës nga vendet e tjera, si dhe organizatat ndërkombëtare. Bashkëpunimi ekonomik rajonal përmes tregtisë, udhëtimeve dhe infrastrukturës do ta konsolidonte progresin.

Serbia duhet ti zbatojë plotësisht dhe në mënyrë të verifikueshme 33 marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Komisioni Evropian si masa për mirëbesim. Duhet të ofrojë përgjegjësi të plotë për personat që u vranë ose u kapën gjatë Luftës. Për më tepër, Serbia duhet të sigurojë kompensim për asetet e shkatërruara ose të marrura gjatë konfliktit.

Marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës duhet të normalizohen. Pesë shtetet anëtare të BE te cilat refuzojnë ta njohin Kosovën duhet të heqin dorë nga kundërshtimet e tyre, duke e vendosur Kosovën – si vend kandidat për anëtarësim në BE – në rrugën e duhur për integrim në strukturat evropiane. Rusia duhet të heqë veton e saj, duke i dhënë mundësi Kosovës të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, KB.

Të dy vendet duhet ti japin prioritet të drejtave të pakicave. Serbia duhet të zbatojë të drejtat e pakicave për shqiptarët etnikë që jetojnë në Luginën e Preshevës, e cila sot është pjesë e Serbisë. Paralelisht, Kosova do të implementojë vetëqeverisjen lokale duke siguruar beneficione për pakicën e saj serbe, në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Ahtisaarit të cilat rregullojnë të drejtat e pakicave.

Përfitimet do të bëheshin në të dy shtetet. Anëtarësimi i Serbisë në BE do të shënonte progres. Investimet do të mundësonin lidhjen ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, duke mundësuar përfitime për të dy vendet.

Ajo që është me rëndësi, Serbia duhet të zhveshet nga statusi i saj non-grata. Njolla e spastrimit etnik të Millosheviçit në Bosnje dhe e masakrimit të shqiptarëve të Kosovës duhet të hiqet vetëm atëherë kur Serbia të zbatojë marrëveshjen.

Këto marrëveshje janë të vështira, mirëpo janë të zbatueshme. Pyetja e madhe: A do ta ia dalë diplomacia e administratës Trump të arrijë një paqe të qëndrueshme apo do të përcaktohet drejt një rregullimi të shpejtë në formë të ndarjes.

Trump dëshpërimisht është në kërkim të suksesit në arenën botërore, marrë parasysh problemet rrënuese nga brenda SHBA-së. I dërguari i tij, Richard Grenell, duket se ka gjetur një partner të guximshëm në Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili promovon shkëmbimin territorial si qenësor për arritjen e paqes.

Grenell thotë se delegacionet po vijnë në Uashington për ti diskutuar çështjet ekonomike. Pse aq shumë do të udhëtonin në SH.B.A. për të biseduar në lidhje me autostrada dhe hekurudha? Kemi të bëjmë këtu me diçka tjetër. Shumë dyshojnë se axhenda e vërtetë ka të bëjë me shkëmbim territoresh.

Ndarja është një ide e keqe. Në vend të një ilaçi gjithëshërues (marrëveshjeje të plotë), rregullimi i kufijve do të shpërthente një Kuti Pandore me plot probleme. Ndarja paraqet përmbushjen e projektit të Millosheviçit për të krijuar shtete etnikisht të pastra në Ballkan, duke i mundësuar Serbisë të arrijë në tavolinën e bisedimeve atë që Millosheviqi nuk mundi ta arrijë në fushëbetejë. Mos cenimi i kufijve do të pengonte mundësinë e një fluksi të popullsisë i cili pastaj mund ta provokojë një konflikt të dhunshëm të përtërirë.

Administrata Trump ka dërguar sinjale të përziera rreth ndarjes. Zyrtarët amerikanë thonë se ata do të mbështesin çfarëdo marrëveshje që arrihet nga negociatorët kosovarë dhe serbë. Një marrëveshje që përfshin shkëmbimin territorial mund ti jap vetëm një shkëlqim afatshkurtër letrave kredenciale të Trump. Sidoqoftë, kjo do të shpiente në armiqësi të ripërtërira midis Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu rrezikon të destabilizojë shtetet e tjera të brishta multietnike në Ballkanin Perëndimor.

Për më tepër, ndarja kundërshtohet ashpër si nga shqiptarët e Kosovës ashtu edhe nga serbët e Kosovës. Shqiptaro-amerikanët, të cilët janë të shumtë në shtetet me përkrahje të lëkundura në SH.B.A. – Michigan, Pennsylvania, Illinois dhe Texas – gjithashtu kundërshtojnë me forcë rivizatimin e kufijve.

Shumë njerëz vdiqën në vitet 1990 për ta mbajtur në jetë konceptin e shteteve multi-etnike. Sovraniteti, pluralizmi dhe të drejtat e njeriut mbeten parimet themelore të zgjidhjes së konflikteve.