Tash, Rezultatet

Medalje të artë nga lojërat olimpike qysh në debutim, anëtarësimi i futbollit në FIFA e UEFA, ndeshja e parë historike e përfaqësueses së Kosovës në futboll e shumë ngjarje të tjera sportive e kanë përcjellë këtë vit.

Kosova për herë të parë në histori të saj mori pjesë në Lojërat Olimpike që u mbajtën në Rio dhe u kthye me medalje të artë. Xhudistja pejane, Majlinda Kelmendi, që nuk ka lënë medalje pa sjellë në Kosovë, e ka mbushur sirtarin e shtetit edhe me medalje olimpike.

Në muajin gusht, Kosova u njohë veç për shkak të Majlindës. Lotët e saj gjatë marrjes së medaljes, flasin për dëshirën, sakrificën dhe punën e madhe që e kishte bërë ajo, e arta Majlindë, për ti sjellë Kosovës një imazh të tillë.

Në lojërat olimpike gjithashtu morën pjesë edhe 7 garues të tjerë, të cilët nuk arritën të marrin ndonjë medalje olimpike.

Para se të nisnin lojërat olimpike, sporti kosovar e kaloi edhe një sfidë goxha të gjatë: anëtarësimin e futbollit në arenën ndërkombëtare, FIFA e UEFA.

Në fillim të muajit maj, Kosova me shumë vështirësi, vetëm për një votë më shumë u bë anëtarja më e re e UEFA-s, ndërsa pak ditë më vonë edhe anëtare e FIFA-s, me të drejta të plota.

Ky anëtarësim për Kosovës do e sjellë edhe ndeshjen e parë zyrtare për eliminatore të botërorit “Rusa 2018”. Në shtetin e Finlandës, Kosova arriti pikën e parë historike, duke barazuar 1 me 1, me golin e mesfushorit Valon Berisha nga penaltia.

Pas kësaj ndeshje, të tjerat ishin për t’u harruar, duke pranuar plotë 11 gola dhe duke mos shënuar asnjë tjetër.

Për shkak të mungesës së stadiumit me standarde të UEFA-s, përfaqësuesja e Kosovës u detyrua që ndeshjet t’i zhvillojë në Shqipëri. Në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Kosova u mund 0-6 nga kroatët.

Në futbollin vendor klubi nga Drenasi, KF “Feronikeli” fitoi për dytën herë me radhë titullin e kampionit.

Ndërsa kupën shtetërore e fituan kryeqytetasit ndaj Dritës me rezultatin 2:1.

Sipas rregullores së UEFA-s dhe në bazë të ranglistës që ka Kosova në UEFA, fituesi i kampionatit siguron pjesëmarrjen në eliminatoret e Ligës së Kampionëve për kalim në fazën e grupeve, ndërsa fituesi i kupës shtetërore siguron pjesëmarrjen në eliminatoret e Ligës së Europës.

Mirëpo K.F “Feronikeli” dhe K.F “Prishtina”, nuk qenë fare pjesë e këtyre garave, për shkak se zyrtarë të UEFA-s e kishin parë që asnjë stadium nuk i plotëson kushtet minimale për zhvillim të ndonjë ndeshje të tillë. Andaj ata kishin “ndëshkuar” këto klube me mospjesëmarrje, megjithatë prapë se prapë i kishte shpërblyer ato me fonde.

Në anën tjetër edhe përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka zhgënjyer në eliminatoret për kampionatin europian. Nga 6 ndeshje të zhvilluara, Kosova nuk ka arritur asnjë fitore. Bashkë me Kosovën në grup ishin dhe Sllovenia, Ukraina dhe Bullgaria.

Megjithatë nderin e basketbollit kosovar e kishte ruajtur K.B Prishtina që e kishte fituar për dytën herë titullin e kampionit në Ligën Ballkanike, duke e mposhtur në finale klubin “Mornar” nga Mali i Zi.

Edhe boksierja e re Donjeta Sadiku kishte arritur që në kampionatin europian për boks në Turqi të stoliset me medaljen e artë.

Sporti kosovar pengesën e parë tashmë e ka përmbyllur, duke u njohur pothuajse në krejt organizatat e ndërkombëtare sportive.

Nëse deri dje sportistëve kosovarë iu mbyllej dera, sa herë që provonin rrugën drejt Europës, ata tashmë e kanë tejkaluar këtë sfidë.

Modelin Majlindë, duhet ta marrin të gjithë sportistët. Punë, përkushtim dhe sakrificë, pastaj edhe medaljet do të vijnë.