Takimi i Berlinit, ‘fillimi i fundit’ për dialogun Kosovë-Serbi

E hëna e 29 prillit do të mbledhë krerët shtetërorë të Ballkanit Perëndimor në Berlin të Gjermanisë, në të cilin samit në fokus pritet të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, proces ky i pezulluar nga ana serbe pas vendosjes së tarifës doganore nga ekzekutivi kosovar.

Liderët e shtetit të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, do të nisen për në Berlin me qëndrime të kundërta sa i përket negociatave me Serbinë, e veçanërisht kundrejt idesë për “korrigjim të kufijve”.

Ndërkohë, deputetë të Kuvendit të Kosovës nga pozita dhe opozita, si dhe ish-zyrtarë qeveritar shpresojnë që ky samit t`u jap fund ideve për “ndarje të Kosovës”, ndonëse vlerësojnë se politikanët duhet të flasin me një zë në takime të tilla të nivelit të lartë ndërkombëtar.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se shpreson që takimi i Berlinit  t’i jap fund idesë për ndarje të Kosovës.

“Shpresoj që takimi i Berlinit t`u jap fund spekulimeve, ideve të ndarjes së Kosovë. Qofshin ato të kamufluara përmes korrigjimit, përmes demarkacionit, shkëmbimit të territoreve. Cilido emërtim që deri më tash ka dal në publik, në esencë sheh ndarjen e Kosovës”, theksoi ai.

Duke komentuar kundërshtime mes krerëve institucional, presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, Sherifi shtoi se Kosova ka vetëm një qëndrim.

“Nuk ka qëndrime të kundërta. Kosova e ka një qëndrim, ju e dini që mendimet personale të askujt qoftë presidentit, qoftë të cilitdo bartës të institucioneve nuk e obligojnë Kosovën. Kosova ka një qëndrim dhe ai është i 17 shkurtit të vitit 2008. Të gjitha të tjerat janë qëndrime individuale personale dhe jo qëndrime të Kosovës”, vlerëson Sherifi.

Ndërsa, deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Dukagjin Gorani, i cili njëherësh është anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, se është e paqartë se çfarë mund të ndodhë në takimin e 29 prillit këtë vit.

“Çfarëdo që njeriu përpiqet të parasheh mund të gabojë për vetë faktin që mbetet e paqartë nëse takimi mbahet kryekëput vetëm për çështjen e procesit politik të vendit apo çështja e procesit të dialogut do të jetë temë e margjinave të takimit. Ajo që mund të spekulohet është që takimi i Berlinit mund ta inkurajoj një proces politik i cili e merr parasysh realitetin aktual në terren ose integritetin territorial”, shtoi ai.

Sipas Goranit, qëndrimet e kundërta të cilat shprehen në Prishtinë, shumë lehtë përafrohen sa herë që bëhet fjalë për ndonjë presion ndërkombëtar.

“Nëse do të ketë në Berlin ndonjë kërkesë, presion ose ndonjë insistim ndërkombëtar karshi zgjidhjes politike mendoj që këto qëndrime të kundërta në sferën e brendshme lokale politike shumë shpejtë do të përhumben dhe do të afrohen”, vlerëson ai për Gazetën JnK.

Sipas deputetit opozitar, Samiti i Berlinit do të jetë njëra ndër përpjekjet për të avancuar pak më shumë një proces që është futur tashmë në “qorrsokak”.

Në anën tjetër, ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni vlerëson se qëndrimet e ndryshme të përfaqësuesve të shtetit në takime ndërkombëtare, do ta dëmtonin keq Kosovën.

“Është çështje tjetër debati i brendshëm që bëhet qoftë midis krerëve të institucioneve qoftë midis forcave politike pozitës-opozitës. Por, është çështje krejt tjetër si dilet në tavolinë. Aty është e domosdoshme të dilet me një zë të unifikuar dhe unë këtu kujtoj që e kanë për obligim dhe e kanë borxh nacional, e kanë përgjegjësi nacionale të gjitha forcat politike dhe të gjithë bartësit e institucioneve që të ndërtojnë një qëndrim të unifikuar”, shtoi ish-ministri për Gazetën JnK.

Hyseni ndër të tjerash potencoi se Kosovës i duhet një konsensus nacional i domosdoshëm dhe siç tha ai të gjitha forcat politike në Kosovë duhet të flasin me një zë kur ka të bëjë me dialogun me Serbinë.

“Unë nuk pres shumë nga ky takim, sepse vetë historia e dialogut me Serbinë është histori e dështimeve të njëpasnjëshme. Po flas që nga Rambujeja e këndej dhe kjo gjithnjë për shkak të papërgjegjësisë dhe obstruksioneve që i ka bërë pala serbe në vazhdimësi. Prandaj kjo më bën jo shumë optimist që do të ketë ndonjë zhvillim”, u shpreh ish-ministri.

Sipas tij, më e pakta që mund të ndodhë në Berlin është që çështja e dialogut me Serbinë do të marr një drejtim.

Sa i përket temës së shumë përfolur për “korrigjimin e kufijve” gazeta e njohur austiake, “Der Standard” javë më parë ka parashikuar që kjo ide mund të marr fund me 29 prill në kryeqytetin gjerman.