Ilustrimi: Kallxo.com

Sloganet si mjet propagandues politik para zgjedhjeve

Partitë politike në Kosovë kanë bërë publike sloganet e tyre në kohë para fushate, si metodë për të siguruar mbështetjen me votë të qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.

Subjektet politike shqiptare kanë zgjedhur fraza të ndryshme si synim për të arritur qëllimet politike bazuar në rrethanat politike, veprimtarinë e tyre dhe audiencën e synuar.

Njohës të komunikimit masiv dhe marrëdhënieve me publikun vlerësojnë se sloganet kanë qëllime propaganduese politike pa arsyetime apo veprime bazuar në programe qeverisëse, duke përdorur teknika sipërfaqësore komunikimi.

Profesoresha universitare e komunikimit masiv dhe analizës së diskursit, Lindita Tahiri, thotë për KALLXO.com, se sloganet u drejtohen më shumë ndjenjave sesa arsyes dhe i shfrytëzojnë teknikat bindëse të propagandës politike.

“Edhe në të folurit e përditshëm, nëse i themi dikujt ‘mos u shpreh me slogane’ nënkuptojmë mungesë sinqeriteti, formulime të konsumuara dhe manipuluese. Përmes strategjive të caktuara gjuhësore sloganet e synojnë tërheqjen e votuesve në mënyrë që ata të përcaktohen për një parti të caktuar politike”, shprehet ajo.

Tahiri vlerëson se mesazhet masive të cilat i drejtohen shumicës nëqoftëse punohen mirë arrijnë fuqi bindëse, prandaj siç thotë ajo, zakonisht angazhohen profesionistët dhe kompanitë që e analizojnë audiencën, dhe ashtu si dihet kohëve të fundit kjo analizë i shfrytëzon edhe gjurmët digjitale për ta profilizuar sa më mirë audiencën.

“Sot fushata politike ka huazuar shumë nga reklama, dhe ashtu si reklamohet shamponi, reklamohet edhe personaliteti, reklamohet partia apo shteti, si e patëm rastin me fushat e brendingut kombëtar Europianët e Rinj…”, tha profesoresha e Universitetit të Prishtinës.

Ndërkaq, Alban Kastrati partner menaxhues në “Republika Marketing Communications Agency” me seli në Prishtinë, thotë për KALLXO.com se në përgjithësi, përshtypja është se partitë nuk janë të përgatitura mirë për këto zgjedhje, sidomos me strategji të komunikimit.

“Mbase kjo edhe për shkak të rrethanave kufizuese të krijuara nga pandemia, e cila i ka nxjerrë ekipet e komunikimit në parti politike jashtë formatit të zakonshëm të implementimit të fushatës”, thekson ai.

Megjithatë, sipas Kastratit, me disa përjashtime, ajo që po e shihet aktualisht është sipërfaqësore, sepse siç shprehet ai, sloganet e prezantuara në pothuajse gjitha rastet po duken të pa-testuara dhe të bëra ad-hoc, pa përfillur shumë modelet e komunikimit.

“Në anën tjetër, kemi shembuj të kampanjave të jashtëzakonshme edhe prej zgjedhjeve të mëhershme në vendin tonë, por edhe nga rajoni e sidomos nga vendet e zhvilluara, të cilat na lënë të kuptojmë që kur një fushatë politike bëhet në mënyrë të planifikuar me strategji të bazuar të komunikimit dhe përçim të saktë të mesazheve, ndryshimi që e bën fushata dhe strategjia e komunikimit është kyçe për rezultatet finale”, tha ai për KALLXO.com.

Deshifrimi i sloganeve

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me sloganin “Krejt dhe drejt”, Lidhja Demokratike e Kosovës me “Shteti. Shtet.”, Partia Demokratike e Kosovës ka sloganin “Rimëkëmbje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me “Ramushi për President”, ndërsa Nisma Socialdemokrate ka sloganin “Me çlirimtarët!”.

Lidhur me këto përzgjedhje, profesoresha universitare, Lindita Tahiri jep një analizë diskursi për sloganet politike.

Sipas saj, PDK-ja e ka një slogan që nuk mundet me u brohoritë.

“’Rimëkëmbja”, nuk është fjalor i përditshëm dhe përdor fjalor më formal ndoshta për ta transmetuar tonin intelektual si transformim i mesazhit se kjo parti ka vetëm vlera lufte. Edhe hashtagu synon modernizëm dhe përfshirje të mediave të reja ndërsa kuptimi i rimëkëmbjes e nxit shpresën e përmirsimit”, thotë ajo.

Ndërkaq, sipas Tahirit, PDK-ja tradicionalisht ndërlidhet me vlerat e luftën “dhe mund të shtrohet pyetja se ky formulim a i josh vetëm votuesit potencialisht të rinj dhe si ndikon te ajo shtresë që tradicionalisht e ka përkrahë këtë parti, e që ndoshta edhe nëse nuk e din se çka është hashtag-u megjithate i duket si diçka e re”.

PDK në zgjedhjet e 14 shkurtit garon me Enver Hoxhajn kandidat për kryeminstër, i cili mori drejtimin e partisë, pasi ndaj Kadri Veselit është ngritur aktakuzë për krime lufte nga ana e Dhomave të Specializuara.

Ndërkaq, te “Shteti. Shtet.” i LDK-së, profesoresha theksonn se vlera e transmetuar është ajo e shtetit, “që në një mënyrë i thotë votuesit, shko kah të shkojsh, vetëm ne dijmë të bëjmë shtet”.

Sipas Tahirit, ky është një pozicion supremaci, “shteti është shtet vetëm kur  jemi ne, pra ne jemi shteti, dhe përsëritja e përforcon kuptimin, dhe nuk lë mundësi për dyshim, sepse e ka vendos pikën do të thotë as që diskutohet ky fakt. Ky slogan formulohet me një formë të prerë, vendimtare, një deklaratë përfundimtare dhe me shumë vetëbesim”, thotë tutje ajo për KALLXO.com.

Avdullah Hoti ka marr sërish besimin e LDK-së që të synojë pozitën e kryeministrit, ndonëse vota vendimtare për qeverinë e tij të votuar në qershor të 2020-ës, u shpall e pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, e cila kërkoi shkuarjen në zgjedhje të reja.

Në anën tjetër me sloganin “Krejt dhe drejt” të LVV-së, profesoresha e analizës së diskursit, Lindita Tahiri vlerëson se synimi është gjithpërfshirës, dhe i drejtohet shumicës, “prandaj dhe e ka shfrytëzuar rimën, sepse mbahet mend lehte dhe kuptohet nga gjithkush, pra ka nuanca populliste”.

“Nuk e ka pretendon supremacinë shtetërore të sloganit të LDK-së, as nuk e ka atë tendencën me u modernizu si PDK, por e ka një frymë popullore dhe synon të duket e sinqertë dhe moralisht superiore. Fjala ‘drejt’ është dykuptimshëshe, si orientim njëdrejtimësh që nuk e ndrron kahjen, apo si drejtësi. Dhe nëse është drejtësi, shtrohet pyetja se a është drejtësi ‘t`i kesh krejt. Këtu del një paradoks sepse po thuhet drejtësi por po pretendohen të gjitha për vete”, thotë ajo.

Sipas Tahirit,  edhe fjala “krejt” mund të interpretohet me më shumë kuptime, jo vetëm si synim për t’i pasur krejt, por për të bërë gjithcka drejt.

“Ky slogan është një apelim gjithëpopullor në krahasim me gjithë të tjerat. Vetëvendosje e ka shfrytëzuar mllefin e popullatës ndaj korrupsionit dhe normalisht e ka përdore fjalën ‘drejt’, në një mjedis ku drejtësia është zhdukë jo vetëm nga shpesa por edhe nga ëndërrat”, shprehet ajo.

Lëvizja Vetëvendosje po shihet si pretendente për të fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, edhe pse pesë kandidatëve të saj për deputetë përfshirë kreu i partisë Albin Kurti, nuk janë certifikuar për të marr pjesë në zgjedhje për shkak të problemeve me ligjin.

Sa i përket sloganit të Nismës Socialdemokrate “Me çlirimtarët!” , Tahiri thotë se ai e reflekton pamundësinë e tyre për të qenë bashkë me PDK-në dhe përplasja që po shhet haptazi në publik është shndërruar në një garë se e kujt i përket tradita dhe vlera e luftës.

“Këto të dy parti po përpiqen ta joshin publikun duke e paraqitur veten si sinonimi dhe shembëlltyra e vërtetë e vlerave të luftës dhe të çlirimit”, tha ajo për KALLXO.com.

Ndryshe prej partive të tjera politike, AAK-ja në këto zgjedhje do të garojë me kandidaturën e Ramush Haradinajt për president, edhe pse zgjedhjet janë parlamentare.

Slogani i AAK-së është “Ramushi për President”, e që sipas Lindita Tahirit (UP), ky është tipik për “menalitetin fisnor, maskulinist, autoritar dhe konservativ që lidhet për një lider ndaj të cilit duhet të nënshtrohet individi”.

Sipas saj, slogani e përcon mesazin se “ne s’jemi kurrkushi, është ai dhe vetëm ai i plotfuqishmi atje lart më i forti prandaj nuk ke çare pa e pranu edhe t`i i vogli e i padukshmi”.

Krejt këto slogane thotë Tahiri, tregojnë dicka shumë të dhimbshme.

“Se agresivisht përpiqen t’ia lajnë jo vetëm trurin por edhe shpirtin votuesit të zhgënjyer të Kosovës, i cili po voton me ndjenja dhe mllef, dhe këto slogane apelojnë me koncepte shumë thelbësore për jetën tonë, si ‘liria’, ‘shteti’, ‘drejtësia’, ‘ardhmëria’, dhe fushata ka filluar paligjëshëm para ditës zyrtare, gjë që nuk po përmendet nga askush”, thotë ajo për KALLXO.com.

Profesoresha universitare, Lindita Tahiri ka kritikuar politikanët edhe për mos respektim të masave anti-COVID-19.

“Gjithashtu nuk po përmendet se ‘parafushata’ po e rrezikon jetën e njerëzve duke mos i respektuar normat shëndetësore të cilat vetë këta qeveritarë i kanë shpallur e që sipas shifrave të ditëve të fundit po rezultojnë në rritjen e numrit të të vdekurve. Përpos që po luhet me jetën dhe me fizikun tonë në kohën e pandemisë, me këto teknika manipuluese luhet edhe me shpresat dhe ndjenjat e njerëzve, të cilët si kukulla lecke po përpiqen t’i shqyejnë nga të gjitha anët”, përfundoi Tahiri.