Skenari i ‘krizës humanitare’ i dëmshëm për qytetarët

E hëna dhe e marta e kësaj jave shënuan fillimin e një ‘krize humanitare’ në katër komunat veriore të Kosovës.

Dyqaneve dhe lokaleve në Komunën e Zveçanit, Zubin Potokut, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviqit iu ishin vënë dryrët në shenjë pakënaqësie kundër taksës 100 për qind të cilën Qeveria e Kosovës e ka vënë ndaj produkteve të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ndërsa në mëngjesin  e së mërkurës dyqanet dhe lokalet u hapën dhe filluan punën e tyre normalisht.

Të gjithë këtë, i pari i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj e kishte konsideruar një ‘skenarë’ për të cilin e kishte lutur presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq që të mos e zbatoj.

Ndërsa sipas organizatave joqeveritare në këto komuna, ky plan nuk ka qenë në kohën e duhur dhe qytetarët nuk kanë pasur asnjë përfitim, ndërsa bizneset kanë pësuar humbje.

Mobilizimi i Institucioneve kosovare për ‘krizën humanitare’

Qeveria e Kosovës kishte qenë në dijeni për këtë ‘skenarë’, por kishte paralajmëruar se nuk do të lejoj që të ndodhë diçka e tillë.

Në ditën e parë të ‘krizës humanitare’, qeveria e Kosovës në bashkëpunim me komunitetin e biznesit kanë organizuar hapjen e përkohshme të pikave shitëse në veri të Mitrovicës.

“Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Për ta ndalur këtë ‘skenarë’ u aktivizua edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e cila dërgoi një kontingjent të ushqimeve në këto komuna.

Ndërsa në ditën e dytë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që mos ta zbatojë skenarin e krizës humanitare në veri.

“I nderuar Vuçiq, ju inkurajoj të mos zbatoni skenarin tuaj të njohur mashtrues për të destabilizuar veriun në Kosovë. Kriza e rreme “humanitare” nuk do të shërbejë kurrë si një mburojë për qëllimet tuaja të destabilizimit dhe ju do të jeni përgjegjës”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Tëitter.

Për këtë çështje është deklaruar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, këtë ‘krizë humanitare’ e ka konsideruar si tentativë për ndarjen e pjesës së veriut.

“Kjo iniciativë ka qenë e organizuar jashtëzakonisht mirë nga qeveria e Serbisë, duke bashkëpunuar me krerët e Listës Serbe, pjesa kryesore e kësaj iniciative ka qenë që të ndahet pjesa e veriut”, ka thënë Bahtiri

Bahtiri në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që shpreson se iniciativa të tilla të mos ketë.

“Shpresojmë dhe do të lejojmë asnjëherë në asnjë minutë që Serbia të ndikon në Kosovë, sidomos në pjesën e Veriut. Gatishmëria e Qeverisë së Kosovës në këtë raste  ka qenë në nivelin e duhur”, theksoi ai.

Kriza humanitare ka humbur momentumin e organizimit të saj

Dusan Radakovic, drejtor i organizatës joqeveritare Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike (ACDC), në një prononcim për KALLXO.com, dy ditët e mbylljes së dyqaneve i ka konsideruar si një krizë, mirëpo ka theksuar se nuk ka qenë në kohën e duhur

“Arsyeja e organizimit të kësaj definitivisht ishte taksa edhe pse 6-7 muaj që ajo është vënë, nëse do të reagonim atëherë në rregull por tani edhe ndërkombëtarëve nuk iu bën përshtypje kjo dhe nuk janë të interesuar të reagojnë për këtë dhe mendoj se kjo e ka humbur momentumin”, tha ai.

Sipas Radakovic, mbrapa këtij ‘skenari’ qëndrojnë bizneset e mëdha në Veri të Mitrovicës

“mendoj se pas kësaj ishin bizneset e mëdha, që kanë dyqane të shumta sepse tashmë edhe policia e kufirit është ndërruar dhe ka më shumë shqiptarë dhe nuk është më aq e mundur që të fusin gjërat e tyre të nevojshme në mënyre ilegale”, theksoi ai.

Sipas tij qytetarët nuk kanë pasur asnjë përftimi nga kjo krizë humanitare ‘i vetmi përfitim është se kursyem para sot’

OJQ AKTIV: Duhet pasur parasysh humbjet e bizneseve

Caleb Waugh, zyrtar nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicën e Veriut në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që pa marrë parasysh se a ka qenë apo jo një ‘show’, ajo i ka pasur pasojat e vet tek bizneset.

“Për dy ditë biznesit privat nuk i kanë hapur dyqanet e tyre, që do të thotë se për këto dy ditë, njerëzit nuk kanë pasur qasje në gjëra ushqimore dhe barna. Mendoj që duhet pasur parasysh potenciali ekonomik dhe pasojat që janë shkaktuar nga ajo që ka ndodhur dhe humbjet që kanë pësuar bizneset e vogla pa përjashtim”, tha ai.

Duke komentuar në atë se a është kjo me të vërtetë diçka që qytetarët duan, Wangh tha se nuk mendon se kjo ka qenë dëshira e qytetarëve.

“Kjo ishte një protestë e nisur nga Shoqata e Tregtisë në përgjigje ndaj taksës 100% për mallrat nga Serbia dhe të tjera të ngjashme incidente dhe zhvillime gjatë gjashtë muajve të fundit. Unë nuk mendoj se qytetarët e komunave veriore dëshironin për të gjitha dyqanet dhe biznesi do të mbyllet për dy ditë”, theksoi ai.