6 shtetasit turq të deportuar nga Kosova për në Turqi

Skandali: Eksperti amerikan konstaton se njëri nga turqit u ekstradua gabimisht

Shkelja më e rëndë e cila ka ndodhur në operacionin për deportimin e gjashtë shtetasve turq sipas ekspertit amerikan Tienmu Ma është se institucionet e Kosovës me vetëdije të plotë kanë deportuar gabimisht shtetasin Hasan Huseyin Gunakan në vend të Hasan Hysein Demir.

Hasan Huseyin Gunakan, i cili në kolegjin turk ‘Mehmet Akif’ ishte mësues i lëndës së Kimisë, më 29 mars 2018 u dëbua gabimisht në vend të Hasan Hysein Demirit.

Këtë gjë e konfirmon raporti i ekspertit amerikan Tienmu Ma, i cili është angazhuar nga Komisioni hetimor parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq marsin e vitit të kaluar.

Sipas tij, Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, si dhe zyrtari i AKI-së me vetëdije të plotë kanë deportuar gabimisht Hasan Hysein Gunakanin.

“Nëse rrëfimi i z. Sylejmanit del të jetë i vërtetë – është një provë me rëndësi të jashtëzakonshme sepse do të tregonte që ai bashkë me të paktën një zyrtar të AKI-së shkaktuan më dijeni të plotë dëbimin e një individi që nuk kishte pasur as vendim të ligjshëm për revokim të lejeqëndrimeve as urdhër të ligjshëm për largimin me forcë”, thuhet në raportin e ekspertit amerikan.

Në raportin e siguruar nga BIRN janë të përfshira pjesë të deklaratave të akterëve kyç të cilët me ‘vetëdije’ deportuan gabimisht shtetasin turk.

Si filluan paqartësitë në identifikimin e Hasan Hysein Gunakanin?

Sipas raportit të ekspertit amerikan Tienmu Ma  në mëngjesin e 29 marsit pikërisht në orën 8:00, grupi i dytë policor kishte arritur në Gjakovë. Njëri prej zyrtarëve të AKI-së kishte njoftuar ekipin policor përmes telefonit se tre personat e  kërkuar kishin hyrë në kolegjin Mehmet Akif në Gjakovë ku edhe punonin si mësimdhënës.

Zyrtari i AKI-së e urdhërori ekipin menjëherë të hynte brenda për t’i arrestuar. Mirëpo, vetëm njëri prej tre shtetasve turq kishte dokument identifikues me vete, ndërsa dy persona të tjerë të ndaluar, Karhamen Demirez dhe Hasan Husein Demir nuk kishin me vete dokumentet.

‘Te personi i tretë u shfaqen probleme me identifikimin për shkak se në materialet e përgatitura prej AKI-së lidhur me personin në fjalë, kishte dy foto të personave të ndryshëm”, thuhet në raportin  e ekspertit amerikan.

Paqartësinë në fotografi e kishte vërejtur Hamit Rukiqi, udhëheqës në sektorin për kontrollin e  të huajve në Drejtorinë për Migrim dhe Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, gjë të cilën e ka deklaruar gjatë intervistimit para Komisionit.

“Ishin dy fotografi, dy copë, një e turbullt, një më pak e kthjellët edhe ajo më dukej edhe mua edhe atij zyrtarit që e udhëhiqte atë grupin e Gjakovës se këtu nuk është një person i njëjtë, ky është tjetër, ky është tjetër’ ka deklaruar Sylejmani gjatë dëshmisë së tij.

Ndërsa Hamit Rukiqi kishte kërkuar sqarim nga zyrtarët e AKI-së sesi duhet të vepronin, ku edhe kishte marrë urdhrin që cilin person që e shihnin të parin ta arrestonin menjëherë.

“Jemi ndal edhe deshëm me u sqaru si me vepru ne në këtë mënyrë, si të veprojmë, cili është personi adekuat që ju, nuk jepni sqarime, mandati jonë është i tillë që në momentin e parë cila fotografi të takohen, cila fotografi të haset prej këtyre dy fytyrave ju keni obligim ta ndaloni menjëherë, menjëherë … menjëherë drejt e në Aeroportin e Prishtinës”, kishte deklaruar Rukiqi në dëshminë e tij para Komisionit hetimor.

Mirëpo, pavarësisht paqartësive te fotografitë ishte zbatuar urdhri i zyrtarit të AKI-së dhe Hasan Hysein ishte arrestuar dhe ishte dërguar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’.

Dhe pikërisht me të arritur në Aeroport kishte filluar ‘lufta’ e Hasan Huseyin Gunakanit për t’i bindur udhëheqësit e operacionit se ai nuk ishte personi për të cilin kishin nxjerrë vendim për revokimin e lejeqëndrimit dhe urdhër për largimin me forcë.

Me të arritur në Aeroport ai i ishte drejtuar Rrahman Sylejmanit, drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare duke i thënë që në identifikimin e tij ka probleme.

Këtë gjë e ka konfirmuar edhe vetë Sylejmani në intervistimin e tij para Komisionit hetimor.

“Ka thënë jo unë zotëri s’jam ky… I’m not tha Demir Gunakan, diçka qeshte, s’jam tha”, kishte deklaruar Sylejmani.

Tutje Sylajmani thotë që e ka pyetur se a është personi në fotot e shpërndara nga AKI.

“Thash a është fotografia jote kjo, tha po. Fotografia është saktë e jemja… po të dhënat e mia janë këto. Kështu që vendimin nuk mund me e pranu”, ka thënë Sylejmani.

Sylejmani në dëshminë e tij para Komisionit hetimor ka thënë që pas kësaj bisede ka kërkuar nga Gunakan të rishkruante të dhënat në një letër.

“Thash të lutem, ia kam marr një letër të bardhë, thash shkruaje emrin tënd edhe drejt, me dokument, ku je i lindur… ditëlindjen tënde. E shkruajti njeri këtu, thash prit qaty”, ka thënë Sylejmani.

Menjëherë pasi që kishte marrë të dhënat Sylejmani kishte shkuar te zyrtari i AKI-së për t’u konsultuar për hapat e mëtutjeshëm.

“Jam dal te këta oficerët e AKI-së… Thash qata çka biseduam në zyrë, ky person thotë s’jam ky, tash a të veprohet në bazë të fotografisë , a në bazë të të dhënave?”, citohet të ketë thënë Sylejmani.

Tutje në rrëfimin e tij para Komisionit hetimor Sylejmani kishte thënë se pas insistimit të tij agjenti i AKI-së kishte biseduar me dikë në telefon dhe i kishte thënë që është vetëm një gabim teknik.

“Kolonel tha, personi në fotografi është qiky, qiky është qaj person që ka me shku. Këtu këndej është bërë një gabim teknik aty te emri, po këtë e korrigjojmë ndërkohë, tha ky shkon… Ky person është, me rëndësi që ky për njeri është të dhënat i korrigjojmë masandej”, ka thënë Sylejmani.

Rrahman Sylejmani në dëshminë e tij ka thënë që pavarësisht insistimit të tij urdhri është zbatuar.

“Unë me mundësitë e mia kam thënë ky person me këto të dhëna nuk është. Kemi bërë gabim shtypi vetëm në emër, kështu që mos u merr me emër. Ma kanë dhënë udhëzimin sepse unë u kam thënë shiko të paktën kur të shkojmë që të kthehemi prej aksionit ma dërgoni ju që ta ndajmë vendimin tani po atij s’mund t’i japim më se ai eci”, ka thënë Sylejmani.

Edhe Hamit Rukiqi udhëheqës në sektorin për kontrollin e  të huajve në Drejtorinë për Migrim kishte dëgjuar se Hasan Huseyin Gunakan ishte ndaluar gabimisht. Kështu kishte shkruar  ai në raportin e tij i cili mbanë datën e gjashtë prillit, pra tetë ditë pas operacionit.

“ Gjatë kalimit në pjesën VIP shtetasi sipas të dhënave Hasan Hysein Demir i lindur më 10.05, 1976 … kam dëgjuar nga një distancë duke njoftuar se nuk është Hasan Huseyin Demir por Hasan Huseyin Gunakan. Njoftimi është bërë ende pa kaluar pikën e kontrollit të dokumenteve dhe pasi që koloneli ishte prezent aty është marrë me çështjen dhe pas pak kohe na ka njoftuar se është në rregull dhe ka kërkuar që të deportohet edhe ky”, ka shkruar Rukiqi në raportin e tij.

Para Komisionit hetimor ka dëshmuar edhe drejtori i inspektimeve, Bekim Pira, i cili pohon se edhe në video incizime shihet se Hasan Huseyin Gunakan ka insistuar se është duke u dëbuar gabimisht.

“Kur e kanë çuar këtë në Aeroport ai (Gunakan) shihet në sekuenca që thotë unë nuk jam ky. Ky… thotë nuk jam unë, mirëpo aty tani një pjesë nuk e rrokin filmimet edhe shihet që del një komunikim mes drejtorit të Divizionit për të Huaj dhe Migrim (Sylejmani) bisedon me dikë… Ai thotë unë nuk jam ky mirëpo shihet që përmes një komunikimi thuhet që edhe ky duhet të dëbohet”, ka thënë Pira.

A janë shkelur të drejtat e njeriut sipas ekspertit amerikan Tienmu Ma ?

Përveç deklaratave të akterëve kyç në deportimin e gjashtë shtetasve turq raporti i ekspertit amerikan Tienmu Ma thotë që me rastin e deportimit  gabimisht të Hasan Huseyin Gunakanit janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Shkelja jo vetëm e ligjit por edhe të drejtave të njeriut ka qenë dëbimi i një personi, pa kurrfarë vendimi të ligjshëm për dëbimin e tij. Dëbimi i një personi në rrethana të tilla paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 55 i cili thotë se të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë mund të kufizohen vetëm me ligj”, thuhet në raport.

Tutje në raportin e tij eksperti amerikan Tuenmu Ma ka thënë që një dëbim i tillë paraqet edhe shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut si dhe konventave të tjera.

“Një i huaj me qëndrim të rregullt në territorin e një shteti nuk mund të dëbohet veçse në zbatim të një vendimi të marrë në përputhje me ligjin dhe nenit 13 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile Politike, një i huaj mund të dëbohet nga ai shtet vetëm sipas vendimit të marrë në bazë të ligjit”, thuhet në raport.

Po ashtu, sipas ekspertit Ma organet kompetente nuk kanë ndjekur as udhëzimin administrativ të MPB-së në rastet kur një person deportohet gabimisht.

“Shteti kërkues do të rimarrë çdo të huaj të kthyer, brenda gjashtë muajve nga dita e transferimit të tij, nëse vërtetohet se kushtet për kthim nuk janë plotësuar në momentin kur ka ndodhur kthimi. Institucion përgjegjës në raste të tilla është Divizioni për Riparim dhe Kthim. Mirëpo Komisioni nuk ka marrë prova që tregon se ky Divizion deri më sot ka bërë ndonjë kërkesë për rimarrjen e Gunakanit”, thuhet në raport.

https://kallxo.com/deshmite-se-aki-planifikoi-per-17-dite-arrestimin-e-gylenisteve-ne-kosove/?fbclid=IwAR0On4LNUOrpmahXbmULIumk6msI_bTUFmf2VzzuBgvJgMR4sfMi97P7IFg

 

https://kallxo.com/aki-pushtoi-zyren-e-policise-per-deportimin-e-shtetasve-turq/?fbclid=IwAR0XiOTCt74UopT8fBf9plGLG52WoU0LSEpWX5IcozM4licCOCVvMUMU1wA

www.kallxo.com