S'ka 'sinjale' për dalje nga kriza pas rënies së Qeverisë

Ka nisur java e dytë që nga dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ende nuk ka asgjë konkrete për daljen nga kriza aktuale politike në vend.

Kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, sot në konferencë për media në Qeverinë e Kosovës ka thënë se ende nuk kanë marr ftesë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për konsultime, ndonëse ky i fundit ka paralajmëruar se këtë javë do të thërrasë në takim përfaqësuesit e subjekteve politike.

Në anën tjetër, partitë politike në Kosovë po vazhdojnë deklarimet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përderisa as nga ana e tyre nuk është ndërmarrë ndonjë iniciativë.

Të njëjtit kanë paralajmëruar tash e disa herë se do të mblidhen për shpërndarjen e Kuvendit, veprim ky që do të obligonte presidentin të shpallte datën e zgjedhjeve brenda 45 ditëve.

Mirëpo, njohës të proceseve politike në vend, vlerësojnë se nuk po shohin ndonjë sinjal nga asnjëra palë për zhbllokim të kësaj gjendjeje.

Ndërkohë, kur subjektet me ngulm po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve, kryeministri në largim Haradinaj të hënën bëri të ditur se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të marr një interpretim lidhur me kompetencat e tij pas dorëheqjes, pasi javën e kaluar mbledhja e ekzekutivit në dorëheqje dështoi pikërisht për shkak të konfuzitetit rreth kompetencave qeverisëse.

“Unë kam dorëzuar në Gjykatë kërkesë për një interpretim të dorëheqjes sime, se a nënkupton kjo dorëheqje apo jo një vazhdim të kujdestarisë së kryeministrit. Megjithatë për me qenë në anën e ligjit sot i kam dërguar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë”, ka deklaruar Haradinaj para gazetarëve.

Haradinaj shtoi se nuk do ta lërë vendin në kaos për shkak dorëheqjes së tij.

Lidhur me këtë, deputetë opozitarë dhe shoqëria civile shprehin mundësinë që kjo situatë të ndikojë në zvarritje të procesit drejt zgjedhjeve, si dhe thonë se Kushtetuesja nuk do të duhej të vononte përgjigjen.

Ismajl Kurteshi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se ende nuk kanë marrë ftesë nga presidenti për konsultime.

Kurteshi ka shtuar se nëse partitë politike e kanë seriozisht, do të duhej të shpalleshin zgjedhjet.

“Nëse partitë e kanë seriozisht atëherë presidenti edhe nuk mund të mandatojë dikë pa pëlqimin e atij mandatarit, prandaj nëse vërtetë partitë që janë deklaruar e kanë seriozisht, do të duhej të shpalleshin zgjedhjet, në të kundërtën nëse dikush prej PAN-it është i interesuar me marr mandatin, po ashtu është detyrë e presidentit t’ia japë mandatin”, tha ai.

Ka qenë Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila pas dorëheqjes së Haradinajt ka paralajmëruar se në rast të vonesës së presidentit, do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Por, deputeti Kurteshi thotë se nuk është në dijeni nëse ka iniciativë nga partia e tij për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për thirrje të seancës dhe shpërbërje të legjislativit.

“Ne jemi të gatshëm kurdo që bëhen nënshkrimet e mjaftueshme për një seancë të jashtëzakonshme dhe vullnetit të deputetëve sepse një gjë të tillë s’mund ta bëjmë vetëm ne si Vetëvendosje pasi nuk i kemi numrat e duhur. Do të duhej që 61 deputetë të votojnë për këtë iniciativë. Sa i përket VV-së, ne i kemi nënshkrimet për të tjerët nuk jam i informuar”, theksoi ai për Gazetën JnK.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh kryeministër në largim Ramush Haradinaj ka thënë se  ka kërkuar nga grupi parlamentar i partisë së tij të nisë konsultimet për shpërndarjen e Kuvendit.

“Unë kam kërkuar prej grupit tonë parlamentar, prej nënkryetarit Ahmet Isufi qe të fillon konsultat me grupet e të tjera për shpërbërjen e Kuvendit”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se nuk ka asnjë sinjal as nga presidenti, por as nga partitë politike për dalje nga kriza.

“Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, ne nuk kemi asnjë sinjal që presidenti i ka mbledh ose i ka ftuar liderët e partive për konsultim për datën e zgjedhjeve. Në anën tjetër, përkundër faktit se partitë politike janë shprehur të gatshme dhe të interesuara për zgjedhje të jashtëzakonshme asnjëra prej tyre nuk ka marr asnjë hap konkret për ta thirrur një seancë dhe për ta shpërbërë Kuvendin”, tha ajo.

Loxha shton se presidenti për ta mandatuar  dikë tjetër për kryeministër, koalicioni qeverisës duhet të propozojë një emër të ri, gjë që nuk ka ndodhur.

“Ne nuk po shohim që koalicioni ka ardhur me një iniciativë të tillë. Në anën  tjetër, presidenti është i obliguar t’i ftojë në konsultime liderët e partive politike por gjithmonë mbetet edhe alternativa tjetër që partitë politike me e thirrë një seancë dhe të shpërbëhet Kuvendin, gjë kjo e cila e detyron presidentin ta caktojë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve”, shtoi Loxha.

Ndikimi i pritjes së interpretimit të Kushtetueses 

Kërkesa e kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për interpretim të dorëheqjes së tij, po vlerësohet të jetë me ndikim në afatin kohor drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, thotë se në këtë situatë Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta vononte përgjigjen për Haradinajn.

“Varet shumë nga vullneti i bartësve të pozitave të ndryshme nëpër institucioneve për ta shpejtuar ose mundësuar që çështja e zgjedhje të shkojë në rrjedhë normale, por ka mundësi që kjo të zvarritet për ndonjë ditë”, u shpreh deputeti për Gazetën JnK.

Por, sipas Kurteshit, zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme.

“Prandaj do të ishte mirë që të mos humbim kohë sepse kështu humb vendi në përgjithësi kur jemi në një situatë me një qeveri në dorëheqje, e cila edhe ashtu kompetencat e i ka të kufizuara”, tha ai.

Kurse, Arbëresha Loxha (GLPS), thekson se ndikimi i kësaj çështjeje varet edhe nga qasja e presidentit.

“Nga kjo do të ketë zvarritje dhe varet se deri kur merr përgjigje prej Kushtetueses kryeministri, ani se nuk duhet të ketë vonesa, sepse është situatë e jashtëzakonshme dhe Kushtetuesja do të duhej të reagonte më shpejtë në mënyrë që të qartësohet gjendja”, tha ajo për Gazetën.

Megjithëkëtë, Loxha ka dhënë disa sqarime dhe shembuj se cila është natyra dhe karakteri i qeverisë në dorëheqje.

“Ne konsiderojmë që qeveria e cila është në dorëheqje mund të qëndrojë vetëm si qeveri kujdestare, por nuk guxon me marr asnjë vendim përveç atyre që hynë në kategorinë e funksionit minimal dhe domosdoshëm shtetëror. Kjo nënkupton që qeveria thjesht mund të intervenojë vetëm atëherë kur është e domosdoshme të mirëmbajë veprimtarinë shtetërore”, thotë ajo.

Kjo ndër të tjerash, sipas Loxhës nënkupton që ekzekutivi “nuk guxon” të ketë prokurime të reja, as emërime të reja në poste publike, të jap grante për ndonjë sektor ose mbajtjen e qëndrimit politik i cili ka karakterin ditor të qeverisjes.

“Çka mund të bëhet është procedimi i pagave, vendosja e afateve të fillimit të vitit shkollor, administrimi i listës së barnave esenciale, në qoftë se caktohet një datë për zgjedhje të jashtëzakonshme, t’i transferohet fondi KQZ-së, për shkak se nuk është vit zgjedhor dhe nuk është paraparë që me iu nda fondi për zgjedhje KQZ-së”, sqaron më tej ajo.

Ndërsa, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj tha se kërkesa e tij nuk ka të bëjë me ndërhyrje në afatet kohore drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Jo, nuk bëhet fjalë të ndërhyrje në afatet kohore për zgjedhje, por të krijohet shembull për hera të tjera se si të veprohet në situata të tilla kur ka dorëheqje”, tha Hardinaj të hënën në Qeverinë e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ashtu siç ka njoftuar të enjten e kaluar, këtë javë pritet të nis konsultimet me partitë politike për daljen nga gjendja e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinajt.

Edhe pse të gjitha subjektet politike në Kosovë kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Zyra e Presidentit gati një javë pas rënies së qeverisë, ka theksuar se do t’i mbledh partitë/koalicionet “për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar…”.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e udhëheqësit të Qeverisë, pas ftesës që kishte nga Gjykata Speciale, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.