Sinonimi i Ndotjes

Obiliqi është bërë sinonim i ndotjes në Kosovë, por jo vetëm. Operimi i dy termocentraleve të vjetra dhe puna që bëhet në dy mihjet për nxjerrjen e qymyrit e ka shndërruar Obiliqin si pikë të zezë në hartën e Kosovës për nivel të lartë të ndotjes. Komuna si e vetme nuk mundet të përballet me telashet që i sjell industria energjetike vendbanimeve për rreth, por mund të kujdeset për mirëqenien e 21 mijë banorëve. Këta të fundit përballen me sëmundje të ndryshme që vijnë nga operimi i termocentraleve, sidomos sëmundje të ndryshme të frymëmarrjes.

Deri më tani, Obiliqi është përballur me gjithë ndotjen që i shkakton KEK-u, por nuk ka përfituar asgjë në kthim. Vitin e kaluar, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar ligjin për këtë qytet, i cili i jep shumë përparësi banorëve që jetojnë në afërsi të industrisë energjetike. Në të ardhmen, Obiliqi do të ketë më shumë buxhet për ta shpenzuar për investime kapitale që ia ndreqin jetën qytetarëve. 20 për qind e rentës minerare që e paguan KEK-u do t’i kthehet Obiliqit, apo në mes të 4 dhe 6 milionë euro shtesë, shumë që ndryshon në vartësi të punës në nxjerrjen e qymyrit.

Sikur të mos i mjaftojë halli që kanë pasur me KEK-ut, në territorin e Obiliqit derdhen të gjitha mbeturinat e rajonit të Prishtinës, duke rrezikuar një katastrofë ekologjike në deponinë e Mirashit. Pas vitesh të keqmenaxhimit, deponia më e madhe e plehrave në Kosovë paraqet një katastrofë mjedisore dhe mund të shkaktojë ndotje të pakthyeshme të ujit.

Bërllog tek lagjja e komunitetit rom || Foto: Kallxo.com

Obiliqi ka telashe edhe me deponi ilegale të mbeturinave dhe me mungesë të kanalizimeve dhe me lumenj shumë të ndotur. Nëpër territorin e Obiliqit kalon Lumi Sitnica i cili është shndërruar në kolektor të ujërave të zeza të disa qyteteve.

Fshati pa dyqan ushqimor 

Sa i takon ujërave të zeza dhe deponive ilegale të mbeturinave, edhe pse komuna ka thënë se është në vazhdimësi duke punuar për t’i mbyllur ato. Gjatë hulumtimit, KALLXO.com ka vërejtur se ka deponi të mbeturinave në shumë vende të kësaj komune. Sipas komunës sa i përket pastrimit të lumenjve ka lidhur kontratë për Lumin Sitnica dhe është në procedurë me lumin Llap.

Rreth ujërave të zeza sipas kësaj komune problemet janë në disa pjesë të territorit të Obiliqit. Sipas Komunës së Obiliqit, rreth 80%  e territorit është i përfshirë në sistemin e ujërave të zeza.

Disa fshatra kanë probleme elementare që lidhen me operimin e KEK-ut. Në të kaluarën, janë zhvendosur disa lagje të fshatit Hade, mirëpo një pjesë e fshatit vazhdojnë të mos zhvendosen. Për shkak se shumë familje janë zhvendosur nga Hadja, për shkak të vështirësimit të jetës, në këtë fshat kanë mbetur një numër i vogël i banorëve. Ata kanë probleme elementare: nuk kanë transport publik, nuk kanë shkollë, e madje as market. Në një gjendje të vështirë janë edhe fshati Shipitullë, banorët e të cilit pritet të zhvendosen së shpejti, dhe fshatrat Sibovc e Grabovc që preken nga puna e mihjeve.

Rruget e prishura || Foto: Kallxo.com

Në fshatrat Sibovc, Shipitull, Hade, janë rrugët e dëmtuara, sidomos nga lëvizja e automjeteve të rënda, ndërsa në disa pjesë ka mungesë të trotuarëve dhe dritave.

Ankesa për çerdhe dhe nevoja për strehim

Edhe kjo komunë ka telashe me arsimin. Në mandatin e fundit është ndërtuar një shkollë në fshatin Lajthishtë dhe tre anekse shkollore në Kozaricë, Mazgit i Ulët dhe Plementin. 9 shkolla nga 21 sa janë punojnë në dy ndërrime dhe 21 shkollat nuk kanë laboratorë. Obiliqi ka një çerdhe publike. E çerdhja tjetër e kësaj komune, edhe pse është investuar në të, është jofunksionale dhe e mbyllur.

Komuna e Obiliqit, ka familje të cilat kanë probleme me strehim. Sipas Komunës së Obiliqit janë 112 familje që kanë bërë kërkesa për strehim. Gjatë këtij mandati, Komuna e Obiliqit nuk ka ndërtuar asnjë qendër kolektive të banimit pavarësisht kërkesave të mëdha që ka pasur. Sipas hulumtimit të KALLXO.com, janë ndërtuar tri objekte të bashkësive lokale në Obiliq gjatë viteve 2009-2011. Deri më tani asnjëra nuk është funksionalizuar. Nga koha që janë ndërtuar këto objekte vetëm janë demoluar.

Në fshatin Plemetin banojnë edhe pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali e egjiptas. Sipas hulumtuesve të KALLXO.com, para disa kohësh edhe pse komuna u ka ndërtuar banesë komunitetit, pjesa e tavanit të banesës është kapluar nga zjarri dhe komuna ende nuk ka ndërmarrë masa që ta rregullojë.

Banesa e Djegur e Komunitetit RAE || Foto: Kallxo.com