Ura e Ibrit, Foto: Shkodrane Dakaj, KALLXO.com

"Simboli i normalizimit”: Fati i Urës së Ibrit i varur nga dialogu në Bruksel

Urat rëndom i lidhin dy anët që i ndan një lum. Por kjo nuk mund të thuhet edhe për urën mbi Ibër. Qe një çerekshekulli kjo urë është kthyer në simbol të ndarjes së qytetit të Mitrovicës- në jug dhe veri. Mbi të mund të kalojnë qytetarët në këmbë, por jo edhe me makina. Në dy anët e saj, qëndrojnë të stacionuar karabinierët në kuadër të trupave paqeruajtëse të KFOR-it.

Sa herë që hapet tema për hapjen e kësaj ure, hapen edhe debatet politike dhe të sigurisë sesi mund të ndodh diçka e tillë. Kjo temë u aktualizua së voni nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe më pas u ngrit edhe në nivel të Qeverisë.

Hapja e urës “i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”- tha kryeministri Albin Kurti, më 18.07.2024, një ditë pas takimit që mbajti me ambasadorët e QUINT për këtë çështje.

Për të parin e vendit, hapja e tërësishme e urës për qarkullim është “simbol i normalizimit”.

Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, ndan të njëjtin mendim me Kurtin, që hapja eventuale e urës, do të jetë e mirë për tregtinë, ekonominë dhe bashkëpunimin.

Njerëzit më afër urës dhe përgjegjësit për sigurinë publike duhet ta bëjnë thirrjen për hapjen e urës, vlerëson Serwer për KALLXO.com.

Sidoqoftë, profesori amerikan thotë se nuk sheh ndonjë arsye që hapja e urës të mos diskutohet në dialog, nëse Prishtina apo Beogradi duan ta bëjnë këtë.

“Por, [ura] është në territorin e Kosovës, ku vendimet i merr qeveria e saj e zgjedhur në mënyrë demokratike. Nuk e imagjinoj se Beogradi do ta lejonte Prishtinën të vendoste për hapjen e një ure në Serbi”- shprehet Serwer.

Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian, tha që rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog. 

“Diskutimet janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë”- tha Stano për KALLXO.com.

Meqë rast, BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.

“Të gjitha marrëveshjet e Dialogut, duke përfshirë edhe Urën, duhet të zbatohen plotësisht”- shtoi ai.

Në anën tjetër, Gëzim Visoka, profesor i asociuar i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Dublinit, thotë se në rrethana normale dhe në përputhje me marrëveshjet paraprake, hapja e Urës së Ibrit nuk do të duhej të riaktualizohej si temë e ndjeshme politike.

Megjithatë, ai beson se duke marr për bazë dinamikat paraprake me çështjen e targave dhe dinarit, ka gjasa që në një moment të caktuar të bëhet si nëntemë në kuadër të diskutimit, rishikimit dhe sekuencimit të zbatimit të marrëveshjeve aktuale dhe atyre paraprake.

“Por, në masë të madhe kjo varet nga BE-ja dhe SHBA-ja, nëse duan që të politizojnë si çështje në kuadër të politikës së tyre të disiplinimit të palës kosovare, atëherë mund të dërgojnë sinjale që nxisin rezistencë dhe incidente lokale kundër hapjes së urës”- thotë Visoka.

Në bazë të së drejtës ndërkombëtare (dhe nëse duam edhe Rezolutës 1244 mbi të cilën vepron KFOR-i në Kosovë) dhe ligjeve vendore dhe dakordimeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Visoka vlerëson se liria e lëvizjes duhet garantuar në gjithë territorin e Kosovës.

“Prandaj, ura e Ibrit duhet hapur si veprim i matjes së besimit ndëretnik dhe shenjë e normalizimit të situatës në veri. Çdo pengesë në lëvizjen e lirë do të inkurajonte tutje vonim të normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike”- shton ai për KALLXO.com.

Sa i përket çështjes së arritjes së një pajtimi për hapjen e urës, Visoka thotë se është dëshmuar se bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar të marr masa të guximshme në zbatim të lëvizjes së lirë në atë pjesë të Kosovës.

Çfarëdo progresi që ka ndodhur- duke u nisur nga veprimet e Kosovës për hapje të pikave kufitare në veri në vitin 2011 e gjerë më tani, profesori i studimeve të paqes dhe konfliktit, thotë se kanë ndodhur si veprime këmbëngulëse vendore për ndryshim të status-quos.

“Edhe në këtë rasti, kryeministri Kurti duket se është duke ndjekur të njëjtën logjikë të veprimeve të pavarura nga bashkësia ndërkombëtare që kanë për qëllim tejkalimin e pengesave për integrim, funksionalizim dhe përparim të Kosovës”- thekson Visoka.

Qëndrimi i Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë mbetet se Ura e Mitrovicës duhet të hapet sipas procesit të përshkruar në marrëveshjet përkatëse të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Ne mbetemi të hapur për të diskutuar se si mund të arrihet kjo me qeverinë e Kosovës”- shkruan në përgjigjet e ambasadës për KALLXO.com.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në ambasadat e vendeve tjera të QUINT-it, por ato nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Më 31.05.2024, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Mirëpo, kryetari i Kuvendit komunal, Nexhad Uglanin, kishte thënë se zbatimi i vendimit për çështje të urës u takon autoriteteve lokale.

“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Kuvendit komunal, Skënder Sadiku, ka thënë se ura nuk është nën juridiksionin e Kuvendit komunal dhe as nuk ruhet nga ai, por nga karabinierët e KFOR-it.

“Fati në fatkeqësi është që kjo urë nuk varet vetëm nga ne, por kjo çështje është edhe e institucioneve të sigurisë. Ne, si Kuvend, kemi bërë pjesën tonë. Duhet të hapemi me njëri-tjetrin” – kishte thënë Sadiku.

Kundër hapjes së urës kishte dalë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë. Hapja e urës për automjete, sipas kësaj partie, është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh, ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.

Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.

Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në urën e Ibrit disa barrikadat si kundërshtim ndaj autoriteteve të Kosovës. Ndërsa dy vite më pas, më 2013, më saktësisht duke u bazuar në ligje të Kosovës, u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe me pemë.

Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi që u largua në vitin 2015.

E derisa ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve, karabinierët qëndrojnë në të dy anët e saj të “përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt”.