Ilustrim - FOTO: KALLXO
Siguria dhe shëndeti në punë, obligimet e punëdhënësit dhe të punësuarit
Në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE), Kosova duhet që ta reformoj edhe sektorin e sigurisë dhe shëndetit në punë. Tranzicioni i modelit ekonomik, nga ai centralist në atë kapitalist ka qenë vetëm njëra nga sfidat e shumta që e kanë ngadalësuar avancimin e këtij sektori. Megjithatë, ka patur lëvizje pozitive.
Në vitin 2013, përfundimisht miratohet një Ligj i veçantë për sigurinë dhe shëndetin në punë. Para tij, në zbatim kanë qenë rregullore të UNMIK-ut, udhëzime të ndryshme administrative, efekti i të cilave në terren ka qenë gati i pahetueshëm.
Ky ligj, që për model është marrë nga shtetet e rajonit, të cilat qëndrojnë më mirë se Kosova për nga zhvillimi i përgjithshëm shoqëror, përcakton detyra dhe përgjegjësi konkrete.
Me këtë ligj janë të përcaktuara qartë përgjegjësitë e Punëdhënësit në raport me sigurinë dhe shëndetin e të punësuarve: “Punëdhënësi detyrohet të ndërmarrë masat për siguri dhe shëndet në punë, përfshirë masat për parandalimin e rreziqeve profesionale, sigurimin e informatave, trajnimeve të të punësuarve për punë të sigurtë, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e makinerive, instrumenteve, pajisjeve dhe veglave të punës, masat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të punës…“.
Kontrollet shëndetësore për të punësuarit
Si rrjedhojë, Punëdhënësi kosovar është përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin e të punësuarve të tij.
Duhet që për secilin të punësuar të ketë raport mjekësor që dëshmon aftësitë e tij punuese. Këto kontrollime shëndetësore realizohen në Institucionet e Mjekësisë së Punës, të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë (MSH). Të tilla, në vendin tonë janë dy: Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë, dhe ai në Obiliq.
Rëndësia e realizimit të kontrollimeve shëndetësore konsiston në atë se secili i punësuar duhet që ta ketë një kronologji të shëndetit të tij, dhe në varësi të rezultateve të marra, bëhet sistemimi i të punësuarit në vendin e punës. Në lidhje me atë se në çfarë afatesh duhet të realizohen këto kontrolle, është i vlefshëm parimi se një vend pune i konstatuar me risk të lartë, duhet që çdo vit të realizoj kontrollimin shëndetësor, ndërsa një vend tjetër i punës, i konstatuar me risk të mesëm, apo të ulët, duhet që çdo tri vite të bëhet kontrollimi. E gjithë kjo, me qëllimin që të punësuarit të realizojnë të drejtën që të jenë në dijeni për ndikimin që vendi i tyre i punës ka në shëndetin e tyre.
Vlerësimi i riskut – rrezikut për secilin vend pune
Një tjetër obligim i Punëdhënësit është ai që për çdo vend pune duhet që ta ketë të hartuar Aktin e Vlerësimit të Riskut (Risku nënkupton gjasën për me ndodh një lëndim, apo aksident në vendin e punës…). Ky dokument që në menaxhimin e sigurisë dhe shëndetit në punë është një manual veprimi, përpilohet nga persona dhe institucione të specializuara. Akti i Vlerësimit të Riskut përbëhet nga disa etapa – secila prej tyre e rëndësisë së veçantë.
Fillimisht bëhet identifikimi i rreziqeve, dëmtuesve, ngarkesave dhe konstatohet prania e tyre në vendin e punës; pastaj bëhet konstatimi i mundësisë dhe pasojës për dhe ndaj rrezikut, krejt në fund rekomandohen masa për ngritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, përkitazi me të gjetjet që dalin nga vlerësimi i riskut.
Me miratimin e këtij dokumenti, Punëdhënësi obligohet që t`i njoftoj të punësuarit në lidhje me atë që është e dokumentuar – pra me rreziqet, dëmtuesit, ngarkesat. Krahas njoftimit, i njëjti është i obliguar që masat mbrojtëse dhe ato parandaluese të paraqitura në Aktin e Vlerësimit të Riskut të implementohen.
Përgjegjësitë e të punësuarve për punë të sigurtë
Ligjvënësi kosovar ka paraparë përgjegjësi edhe për të punësuarit: “Çdo i punësuar ka përgjegjësi të përkujdeset për sigurinë dhe shëndetin e vet dhe të personave të tjerë në punë, në përputhje me trajnimin dhe udhëzimet që i janë dhënë nga punëdhënësi…“.
Kështu për të gjitha masat mbrojtëse, përfshirë këshillat, njoftimet, të cilat i ka ndërmarrë punëdhënësi, të punësuarit janë të obliguar që t`i zbatojnë. Të punësuarit, gjithashtu kanë për obligim që t’i bartin Pajisjet Personale Mbrojtëse (PPM), dhe Pajisjet Kolektive Mbrojtëse (PKM). Përveç përdorimit të tyre ata obligohen që t’i mirëmbajnë këto pajisje dhe për përdorimin apo jo të tyre ata janë përgjegjës vetë.
Përmes këtij gërshetimi detyrash dhe përgjegjësish për të dy akterët që e përbëjnë marrëdhënien e punës, pra punëdhënësit dhe të punësuarit, legjislacioni kosovar, synon që të krijoj ambient të sigurtë pune, dhe mundësi minimale të aksidenteve në vendet e punës.
Secili vend pune ka specifika të caktuara dhe përkitazi me ato specifika duhet ndërmarrë masat mbrojtëse.
Punët që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, masat e domosdoshme për të miniminizur rrezikun
Sektori i ndërtimtarisë, që është sektor i përcaktuar me rrezikshmëri të lartë, duhet që krahas masave mbrojtëse të përgjithshme që janë përdorimi i Pajisjeve Personale Mbrojtëse, aftësimi i të punësuarve për kryerjen e punëve në mënyrë të sigurtë, etj, të aplikohen edhe masa të veçanta, që vlejnë ekskluzivisht për atë vend pune e që mund të jetë caktimi i një Koordinatori për Siguri dhe Shëndet në Punë në atë vendpunishte.
Ky Koordinator që caktohet nga punëdhënësi ka rol të dyfishtë: Përmes pranisë së tij të rregullt në vendpunishte koordinon punët e secilit operator në vendpunishte – gjë kjo me rëndësi të veçantë për mbrojtjen e sigurisë së të punësuarve dhe gjithashtu ndalon në mënyrë direkte moszbatimin e masave të sigurisë, duke marrë masa ndaj secilit punëmarrës që nuk i respekton masat e caktuara mbrojtëse (Duke e gjobitur dhe larguar nga vendpunishtja këdo që është përgjegjës për mosrespektimin e masave të nevojshme mbrojtëse për siguri dhe shëndet në punë).
Kriteret minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë janë të përcaktuara me rregullore të veçantë. Këto kritere janë të natyrës teknike, siç janë: vendosja e kthinave të veçanta për siguri dhe shëndet në punë, vendosja e kthinave të veçanta për dhënie të ndihmës së parë, furnizimi me aparate kundër zjarrit, shenjëzim vertikal dhe horizontal, etj., kriteret e natyrës organizative siç janë: Trajnimi i secilit të punësuar, caktimi i personave përgjegjës për secilin operator të vendpunishtes, mbajtja e mbledhjeve ditore/javore/mujore me qëllimin që të bëhet koordinimi i tyre, etj.
Një tjetër sektor i rrezikshëm për punë është ai i industrisë prodhuese. Fabrikat në vendin tonë duhet që të i përmbahen rregullave mbi ekspozimin e të punësuarve ndaj dëmtuesve, siç janë: zhurma, pluhuri, dridhjet, etj. Këta dëmtues duhet që paraprakisht të shqyrtohen nga persona profesionist dhe laboratorë të specializuar, duhet që gjithashtu të sinjalizohen me shenja të dukshme. Ndaj zhurmës për shembull, duhet që të aplikohen masa teknike: izolim i burimit të zhurmës, masa organizative: të ketë më shumë të punësuar që kryejnë punën e njëjtë, në mënyrë që kryerja e punëve t’i ndahet më shumë të punësuarve, përdorimi i pajisjeve personale mbrojtëse: pajisja e të punësuarve me kufje.
Kontrolli i gjendjes teknike të makinerive me të cilat operojnë të punësuarit
Në lidhje me makinat punuese, punëdhënësi obligohet që për secilën prej tyre të ketë të dokumentuar rregullsinë. Rregullsia e makinës punuese është e përcaktuar me standard ndërkombëtare dhe me rregullore vendore. Si kritere minimale për rregullsinë e tyre janë stabiliteti i saj, qëndrueshmëria e mbështjellësit, aspekti elektrik, pasja e pajisjes që mënjanon ekspozimin e gjymtyrëve të trupit në të, shenjëzimi, etj.
Angazhimi i personit/ve përgjegjës për siguri dhe shëndet në punë në një kompani
Një tjetër përcaktim ligjor, me qëllimin që të rritet efekti i sigurisë në punë është i ngarkuari për punë të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Secila kompani kosovare që punëson mbi 50 të punësuar obligohet që të caktoj personin e ngarkuar me detyra të sigurisë dhe shëndetit në punë. Ky i punësuar duhet të aftësohet në Qendrat Trajnuese të licencuara në Republikën e Kosovës, dhe të vazhdoj të kryej detyra brenda kompanisë ku punon.
Personi i ngarkuar është përgjegjës për kontrollimin e zbatimit të masave për siguri në punë. Ky person kontrollon secilin të punësuar se a i është nënshtruar rregullave të sigurisë në punë duke i trajnuar/njoftuar me rreziqet, duke e dokumentuar aftësinë e tij punuese me kontrolle mjekësore, duke dhënë rekomandime për mënyrën dhe kohën e aplikimit të masave, etj.
Veprimtaria e personit të ngarkuar për siguri dhe shëndet në punë është komplekse dhe si e tillë përbën konsekuenca ligjore. Mjafton për ta lexuar nenin 358 (2) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për ta kuptuar përgjegjësinë e tij: Kushdo që është përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës dhe i cili nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve ose shkakton dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Masat mbrojtëse kundër zjarrit, ndihma e parë
Kompanitë kosovare duhet që gjithashtu ta kenë të përcaktuar një politikë të brendshme në lidhje me Ndihmën e Parë dhe Mbrojtjen nga zjarri.
Çdo i dhjeti i punësuar duhet që të jetë i trajnuar për ofrimin e Ndihmës së Parë dhe intervenimit në rast zjarri. Në ato ambiente pune, duhet të ekzistoj një kthinë e veçantë në të cilën do të jenë të vendosura mjetet esenciale për dhënien e ndihmës së parë, dhe mjetet tjera zjarrfikëse.
Efekti i zbatimit të këtij standardi vjen në shprehje në rastet kur një punëtor lëndohet në vendin e punës. Praktika ka dëshmuar që intervenimi i shpejtë shpëton jetë njerëzish. Përveç reagimit, kërkohet njohuri në përdorim të pajisjeve medicinale: fasho, mjete dezinfektuese, jodizuese, përdorim i rregullt i shtratit mobil për zhvendosjen e të lënduarit/ve, etj.
Siguria / shëndeti në punë – Roli i Inspektoriatit të Punës
Implementimi i dispozitave të Ligjit për shëndet dhe siguri në punë shpeshherë ka qenë i vështirë.
Përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së këtij ligji është Inspektorati i Punës. Përmes inspektimeve në terren, Inspektorati i punës vlerëson zbatimin e masave mbrojtëse, dhe në rast se konstaton parregullsi, shqipton gjoba, të cilat mund të jenë të dedikuara për punëdhënësit dhe për të punësuarit. Për shkak të mungesave kadrovike dhe problemeve tjera burokratike, Inspektorati i Punës e ka patur të pamundur të inspektoj secilin vend pune në Kosovë, andaj jemi dëshmitarë që në vendin tonë, për shkak të mos-marrjes së masave mbrojtëse kanë ndodhur shumë aksidente në vendin e punës, përfshirë të tilla që kanë sjellë edhe vdekjen e të punësuarve.
Për ngritje të efektivitetit të sigurisë në punë kërkohet një trajtim më serioz i këtij sektori. Është e domosdoshme që numri i Inspektorëve të Punës dhe numri i specialistëve të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë të rritet.
Si fazë e parë prioritare do të duhej të ishte sensibilizimi i punëdhënësve dhe të punësuarve kosovarë mbi përgjegjësitë dhe konsekuencat ligjore në lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë.
Si fazë e dytë duhet të jetë edhe stimulimi i mjekëve që të specializojnë në mjekësinë e punës – si një domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori.
Duhet të ndiqen praktikat evropiane mbi sëmundjet profesionale apo sëmundjet e lidhura me punën, dhe të miratohet një listë nacionale e cila do t`i përmbante të gjitha këto sëmundje.
Do të duhej që të krijoheshin institute të sigurisë dhe shëndetit në punë, të cilat përmes hulumtimeve do të jepnin alternativa më të mira për zbatim dhe do të ofronin ekspertizën e tyre profesionale.
Në fund, do të duhet të përçohej mesazhi i qartë se kemi të bëjmë me një nga hallkat më humane të shoqërisë. Siguria dhe shëndeti janë të drejta natyrore për njeriun, si të tilla ato duhet të mbrohen në të gjithë akterët: Punëdhënësit, Profesionistët, Institucionet.
Shkruajnë: Naim Bajraktari, Ekspert i Sigurisë dhe shëndetit në punë & Lirik Veselaj, Jurist. Autorët janë të angazhuar në trajnimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve për siguri dhe shëndet në punë.