Si votoi diaspora në dy palë zgjedhjet e fundit lokale dhe më 14 shkurt?

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka numëruar votat jashtë Kosovës, të cilat kanë ardhur përmes postës gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor, për Zgjedhjet Lokale 2021.

Sipas rezultateve të numërimit të votave jashtë Kosovës nga QNR-ja më 24 tetor, subjekti që më së shumti ka fituar vota në total të të gjitha komunave ishte Lidhja Demokratike e Kosovës me 3 mijë e 158 vota.

Pas LDK-së është renditur Lëvizja Vetëvendosje me 2 mijë e 692 vota, e treta sipas rezultateve del Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 1 mijë e 482 vota si dhe e katërta është renditur Partia Demokratike e Kosovës me 1 mijë e 198 vota.

Këto zgjedhje lokale e kanë ndryshuar renditjen e subjekteve politike në raport me zgjedhjet e parafundit lokale të 2017.

zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, Lëvizja Vetëvendosje renditej parta e parë me 1 mijë e 427 vota. Ajo pasohej nga LDK me 1 mijë e 331 vota, pastaj Partia Demokratike e Kosovës me 868 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 247 vota.

Lëvizja Vetëvendosje poashtu ka pësuar rënie edhe nëse krahasohet me përqindjen e votave të diasporës që kishte pasur në zgjedhjet e fundit lokale.

KALLXO.com, ka nxjerrë të dhëna edhe nga zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021, ku votat nga jashtë e përcaktonin LVV-në të parin në renditje.

Nga 56 mijë e 610 vota të aprovuara nga jashtë, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LVV kishte fituar 44 mijë e 252 vota. PDK kishte marr 5 mijë e 32 vota, LDK me 4 mijë e 294 dhe AAK me 1 mijë e 112 vota.

Votat e numëruara në raundin e parë të zgjedhjeve më 24 tetor 2021, të cilat kanë ardhur përmes postës, tregojnë që krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, pjesëmarrja në zgejdhje lokale të diasporës ka pasur rritje për 2 mijë e 875 vota.

Ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021 numri i votave jashtë Kosovës ishte 56 mijë e 610 vota që i bie rreth 47 mijë vota më shumë se në këto zgjedhje lokale.

KALLXO.com, ka siguruar të dhënat ndër vite të votave të aprovuara përmes postës.

Numërimi i votuesve nga diasproa për zgjedhjet lokale të 2021 është 9 mijë e 610 vota. Në vitin 2017 janë 6 mijë e 735. Në vitin 2013 janë 5 mijë e 677 fletëvotime ndërsa në vitin 2009 ishin 1 mijë e 306 vota.

KALLXO.com ka bërë krahasime të numrit të votuesve të regjistruar përmes postës edhe me zgjedhjet për Kuvend të Kosovës.

Në zgjedhjet parlamantere të 14 shkurtit 2021, nga diaspora kishin votuar 56 mijë e 610 qytetarë.

Numri i votave jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 2021, nuk e ka ndryshuar rezultatin e komunave për t’i shpëtuar nga balotazhi.

Sipas rezultateve të votave jashtë Kosovës, të cilat janë dërguar përmes postës në adresë të KQZ-së gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor, për Zgjedhjet Lokale 2021, në 15 komuna kryesojnë kandidatët e LVV.

Ndonëse LVV ka fituar më së shumti komuna, në votë totale, LVV renditet në vend të dytë, pas LDK-së.

LVV ka fituar nga votat e diasporës në këto komuna: Gllogoc, Prishtinë, Prizren, Malishevë, Ferizaj, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Kamenicë, Shtime, Vushtrri, Obiliq, Gjakovë, Gjilan, Kaçanik dhe Fushë Kosovë.

Në 7 komuna më shumë vota nga diaspora kanë kandidatët e LDK-së Dragash, Suharekë, Junik, Istog, Pejë, Lipjan, Novobërdë.

PDK dhe AAK-ja nga votat e diasporës kanë prirë nga tri komuna.

PDK-ja prinë në Viti, Skenderaj dhe Han i Elezit. Ndërsa, AAK-ja prinë në Rahovec, Deçan dhe Klinë.

KALLXO.com, ka shkruar për disa komuna të cilët janë dal të parat nga votat e diasporës.

Në Komunën e Gjilanit në bazë të rezultateve të këtyre votave, kandidati më i votuar nga ana e diasporës është kandidati i LVV, Alban Hyseni, me 199 vota. Ndërsa, kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri, ka marrë 99 vota.

Edhe Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë më së shumti vota nga ana e diasporës.

Sipas rezultateve të votave me postë, të cilat janë numëruar sot në QNR, Kusari-Lila ka marrë 289 vota. Pas Kusari-Lila, diaspora i ka dhënë 178 vota kundërkandidatit të saj, Ardian Gjini nga AAK. Ferdinand Kolaj nga PSHDK ka marrë 128 vota, kurse Teki Shala nga LDK 89 vota.

Lëvizja Vetëvendosje në Drenas ka marrë më së shumti vota nga jashtë Kosovës, të cilat janë dërguar përmes postës në adresë të KQZ-së, për zgjedhjet lokalet të 2021-es.

Kandidati për kryetar të LVV-së, Fejzi Kiqina, ka marrë 39 vota nga diaspora, ndonëse nga rezultatet e përgjithshme renditet i treti.

Në anën tjetër, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramiz Lladrovci ka 36 vota, Xhavit Drenori nga Iniciativa “Green për Drenas” mori 21 vota duke u radhitur i treti.

Nga mbi 9 mijë e 610 vota të aprovuara nga fletëvotimet e ardhura me postë, 80 prej tyre ishin për komunën e Fushë-Kosovës.

Dhe, nga këto 80 vota më së shumti ka marrë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Bajçinca, (49). Pas tij vjen Burim Berisha i LDK-së me 13, Rrahim Tërnava i PDK-së me 11 dhe Hasan Ismajli i AAK-së vetëm 2 vota.

Ndërsa, sipas rezultateve të KQZ-së për votat e rregullta Burim Berisha nuk ka arritur për 14 vota të fitojë zgjedhjet.

Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani 21 komuna do të shkojnë në balotazh.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme pritet të përfundoj numërimi i votave me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.