Maketi i skulpturës së Kadri Zekës nga Agon Qosa dhe maketi i skulpturës së Kadri Zekës nga nga skulptori Sabri Shaqiri
Shtatorja e Kadri Zekës, anëtarët e komisionit zgjodhën fitues kolegun e tyre
Skulptori Agon Qosa, një nga kandidatët konkurues për ndërtimin e skulpturës së Kadri Zekës, e cila do të vendoset në Gjilan, pretendon se Komisioni vlerësues është gjendur në konflikt interesi kur ka bërë përzgjedhjen e fituesit.
Kompania fituese për ndërtimin e skulpturës së Kadri Zekës është “Onix” Sh.p.k me skulptor Sabri Shaqiri me ofertën në vlerë 70 mijë euro.
Por, Qosa pretendon se Komisioni Vlerësues me përbërje të trë profesorëve të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, skulptori Adem Rusinovci, piktori Mehmet Behluli dhe dizajneri Genc Rezniqi, kanë përzgjedhur fitues projektin e Sabri Shaqirit, i cili po ashtu është profesor dhe koleg i tyre në Fakultetin e Arteve.
Maketa e profesorit të qeramikës në Fakultetin e Arteve, Sabri Shaqiri është shpërblyer me vendin e parë me 99.95% nga anëtarët Komisionit vlerësues. Ndërsa maketa e skulptorit Agon Qosa është shpërblyer me vendin e tretë me 52.98%.
Qosa tha për KALLXO.com që edhe pse ka përmbushur të gjitha dimensionet ndërkombëtare, punimi i tij është poentuar pak dhe nuk është përzgjedhur fitues i këtij projekti.
“Kadri Zeka është vrarë në moshën 29 vjeçare, ndërsa skulptura që ka marrur votën maksimale është në moshën 60 vjeçare”, tha Qosa.
Kryetari i Komisionit Vlerësues, Adem Rusinovci tha se zgjedhja e kolegut të tij, Sabri Shaqirit si fitues nuk përbën konflikt interesi pasi ajo ka përmbushur standardet e kërkuara.
Por, sipas tij nëse do të ishte konflikt interesi edhe përzgjedhja e Agon Qosës si fitues do të përbënte konflikt interesi pasi edhe ai ka qenë student i tyre në Fakultetin e Arteve.
“Agoni ka qenë student tek ne edhe ne kemi qenë një juri shumë profesionale. Kështu që kemi dhënë poentimin dhe vlerësimin. Secili prej nesh ka vlerësuar në mënyrë shumë të pavarur. Me shumë përgjegjësi them se boceti që është përzgjedhur ka qenë më e miri dhe unë qëndrojë prapa poentimit dhe vlerësimit që kemi bërë”, tha Rusinovci.
Rusinovci tha se maketa e Qosës nuk ka përmbushur kriteret artistike dhe se ajo ka qenë mbi dimensionet që kërkoheshin.
“Agoni është dashur ta analizoj proporcionalisht. Ne e kemi poentuar duke marrë parasysh shumë kritere si në qëndrim, karakter edhe në lëvizje dhe shumë faktorë tjerë që të determinojnë të japësh vlerësim”, tha Rasinovci.
Sabri Shaqiri ka konfirmuar për KALLXO.com se është profesor në Universitetin e Prishtinës dhe i ka kolegë profesorët të cilët kanë qenë anëtarë të komisionit. Por, ai ka mohuar që kolegialiteti mes tyre të ketë ndikuar në përzgjedhjen për të punuar shtatoren e Kadri Zekës.
“Absolutisht jo, ajo është punë që shihet dhe nuk kemi shumë çka diskutojmë në atë. Komisioni është kompetent, është punë që shihet, buceta. Nuk është punë që mund të fshihet dhe besoj që gjithçka është ok. Unë kam 13 vjet që punojë në Fakultetin e Arteve”, ka thënë Shaqiri.
Ndërsa, Izet Kurteshi, drejtor i Prokurimit në komunën e Gjilanit ka thënë se komuna nuk e ka përgjegjësi vlerësimin artistik pasi komisioni profesional i ka vlerësuar ata në këtë aspekt.
Përveç kësaj kompania fituese me skulptorin Sabri Shaqiri kishte dorëzuar ofertën më të shtrenjtë krahasuar me dy kompanitë e tjera ofertuese.
Oferta e skulptorit Sabri Shaqiri kishte vlerën 70,000 euro, oferta e Agon Qosës kishte mijë 69,900 euro ndërsa e Lumjetë Havolli-Blakçori me vlerë 69,850 euro.
Në vendimin e komunës së Gjilanit për kompaninë fituese thuhet se tenderi i Sabri Shaqirit është zgjedhur fitues pasi ishte ekonomikisht më i favorshëm, edhe pse oferta e tij ishte më e shtrenjtë se dy ofertat e kandidatëve të tjerë.
“Kemi kënaqësinë të iu njoftojmë se ju keni dorëzuar TENDERIN EKONOMIKISHT ME TË FAVORSHËM si përgjigje ndaj njoftimit të kontratës për aktivitetin e prokurimit te lartcekur”, thuhet në vendimin e komunës së Gjilanit për fituesin e projektit për ndërtimin e skulpturës së Kadri Zekës.
Me ligjin e Prokurimit Publik është e përcaktuar që fituese të jetë kompania që është e përgjegjshme dhe ofron çmimin më të ulët.
Në rastin e “Ndërtimi i skulpturës së shtatores kushtuar Heroit kombëtar Kadri Zeke Gjilani” fitues është zgjedhur kompania që kishte ofruar çmimin më të shtrenjtë edhe pse në garë kishte dy kompani tjera të përgjegjshme të cilat kishin ofruar çmimin më të lirë se kompania fituese “Onix’ Sh.p.k.
Dy ofertat më të lira për ndërtimin e shtatores së Kadri Zekës të ofruara nga Atele e skulpturës momentale Agon Qosa dhe Lumjetë Havolli Blakçori B. I., nuk ishin shpallur fituese të projektit me arsyetimin se nuk ishin të favorshme në aspektin artistik të shtatores.
“Me keqardhje iu njoftojmë se tenderi i paraqitur nga ana e juaj nuk ka qenë i suksesshëm, nga se tenderi i juaj nuk qe i favorshëm në aspektin artistik të shtatores”, thuhet në vendimin e komunës së Gjilanit.
Maketi i Lumjetë Havolli Blakçorit është vlerësuar me vendin e dytë duke fituar 3 mijë euro, ndërsa atelea e skulpturës momentale e Agon Qosajt është vlerësuar me vendin e tretë me 1 mijë euro.
Agon Qosa është ankuar në vendimin e Komisionit vlerësues për përzgjedhjen e maketës së Sabri Shaqirit si fituese, por ankesa e tij është vlerësuar si e pabazë.
Ai ka paralajmëruar se do të ankohet edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.