Shtatë 'çuditë' e Kosovës: Historia e koalicioneve të pasluftës

Koalicionet paszgjedhore në Kosovë kanë ditur shpesh herë ta befasojnë ‘sovranin’. Madje në disa raste ishin bërë bashkë kundërshtarët më të mëdhenj politikë të kohës, si bie fjala LDK-në e PDK-në.

Në fakt, koalicioni më i shpeshtë paszgjedhor që ka ndodhur në Kosovë është mes këtyre dy partive. Në 7 palë zgjedhje, LDK e PDK kanë bashkëpunuar 3 herë. Në 2001, 2007 dhe 2014.

Arsyetimet e koalicioneve gjithmonë ishin bazuar se këto bashkëpunime po bëhen për shkak të proceseve që Kosova i ka përpara.

Një prej koalicioneve të çuditshme që ndodhi për hir të proceseve të mëdha është ai i fundvitit 2014, në mes të PDK-së dhe LDK-së. Arsyetimi ishte i njëjtë, se koalicioni ishte bërë për hir të proceseve.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, qytetarët e Kosovës nxorën parti të para Vetëvendosjen e LDK-në, që ishin opozitë.

Në bazë të deklarimeve të eksponentëve të këtyre dy partive politike, një koalicion i mundshëm LVV-LDK mund të ndodhë shumë lehtë.

KALLXO.com do ua sjellë historinë e të gjitha koalicioneve paszgjedhore të pasluftës.

Koalicioni 2001

Historia pluralist e Kosovës ka filluar me ngërç. Zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës në vend i dhanë LDK-së numrin më të madh të deputetëve në krahasim me dy partitë tjera rivale (PDK e AAK).

Rreth tre muaj negociata prodhuan më në fund, në shkurt të vitit 2002, qeverinë e parë por për ta bërë atë u desh ndërhyrje e fortë ndërkombëtare me ish-shefin e UNMIK-ut, Michael Steiner në krye të përpjekjeve.

Marrëveshja e bëri Ibrahim Rugovën President të vendit, Nexhat Dacin kryetar të Kuvendit dhe Bajram Rexhepin kryeministër.

Kjo qeveri funksionoi deri në fnd të mandatit në vitin 2004.

Koalicioni 2004

Në zgjedhjet e 2004, LDK kishte dalë fituese përsëri. Ndonëse kishte dalë partia me më së shumti vota, LDK kishte vendosur ta marrë si partner të koalicionit AAK-në, të udhëhequr nga Ramush Haradinajt.

Ish komandanti i UÇK-së për zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj përmes kësaj marrëveshje politike ishte zgjedhur kryeministër i vendit.

Ibrahim Rugova e Ramush Haradinaj

Partia e Haradinajt, ndonëse kishte marrë vetëm 11 deputetë, e LDK 44 deputetë, postin e shefit të Qeverisë e kishte marrë Haradinaj.

Ai kishte qëndruar në krye të qeverisë vetëm për rreth 100 ditë, pasi që kishte dhënë dorëheqje për shkak të aktakuzës për krime lufte, që i’u ishte ngritur nga Gjykata e Hagës në atë kohë.

Haradinaj kishte dal i pafajshëm nga kjo aktakuzë në gjykime.

Pas dorëheqjes së Haradinajt, pozitën e tij e kishte marrë Bajram Kosumi, i cili gjithashtu kishte dhënë dorëheqje. Derisa postin e kryeministrit e kishte mbajtur edhe Agim Çeku deri në mbajtjen e zgjedhjeve në 2007.

Koalicioni 2007

Në 2007 ndodhi rënia e LDK-së dhe fillimi i mbajtjes së pushtetit nga PDK.

Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës në janar të 2006, LDK ishte ndarë në dy pjesë, nga Kuvendi që sot njihet si “Kuvendi i karrigeve”. Nexhat Daci e kishte marrë një pjesë të partisë duke formuar partinë e re Lidhjen Demokratike të Dardanisë.

Në zgjedhjet e 2007, PDK kishte dalë e para duke marrë numrin më të madh të deputetëve, 34. Kjo njëherit ishte fitorja e parë e PDK-së në zgjedhje dhe humbja e parë e LDK-së.

Në këtë kohë, PDK kishte lidhur koalicion me LDK-në që kishte 28 deputetë. Hashim Thaçi ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës. Pak muaj më vonë ishte shpallur pavarësia e Kosovës në Kuvend.

Opozita e asaj kohe ishte formuar nga AAK me 13 deputetë, AKR me 9 dhe LDD me 9.

Ky koalicion kishte mbijetuar deri në 2010.

Koalicioni 2010

Në zgjedhjet e 2010, garës politike i hyri edhe një subjekt tjetër. Lëvizja Vetëvendosje kishte vendosur që të provohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Deri në atë kohë, LVV kishte qenë vetëm organizatë politike që kishte organizuar aksione politike e protesta.

Mirëpo, partia që kishte debutuar në skenën politike nuk kishte arritur të marrë më shumë se 13 vende.

Përsëri, si në 2007 ishte PDK-ja ajo që kishte dalë e para. E udhëhequr nga Hashim Thaçi, PDK kishte marrë 32 ulëse, derisa LDK kishte marrë 29 ulëse.

PDK në atë kohë kishte lidhur koalicion me Koalicionin Kosova e Re që udhëhiqej nga Behgjet Pacolli.

Kjo qeveri shkoi deri në 2014, kur Qeveria e drejtuar nga Thaçi e dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Koalicioni 2014

Në 2014, zgjedhjet përsëri e kishin nxjerrë Hashim Thaçin dhe PDK-në të parën. Kjo parti ishte rritur me 3 vota më shumë, duke marrë 36 ulëse në Kuvend, e përcjellë nga LDK me 33 ulëse, Vetëvendosje me 16, AAK me 8 dhe Nisma me 6 të tillë.

Partitë jo-fituese, pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve kishin vendosur të mos shkonin në koalicion me PDK-në.

LDK, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, që në skenën politike njihen si VLAN, ishin barrikaduar kundër PDK-së. Ata kishin deklaruar njëzëri se nuk bashkë qeverisin me PDK-në. Madje kishin formuar një koalicion, ku ishin shumicë dhe provonin të krijonin Qeverinë, me Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte parë jo-kushtetuese aktin e partive jo-fituese të zgjedhjeve dhe ua kishte pamundësuar atyre marrjen e drejtimit të Qeverisë. Sipas kësaj Gjykata mandati për të krijuar Qeverinë i takon partisë fituese të zgjedhjeve, e që në këtë rast ishte PDK.

Ngërçi politik i 2014, zgjati për 6 muaj, derisa LDK kishte vendosur ta heqë “L”-në nga “VLAN”, duke e lënë vetëm si VAN.

Në dhjetor të atij viti, Isa Mustafa kishte pranuar ofertën e Hashim Thaçit, atëherë kryetar i PDK-së. Marrëveshja parashihte Isa Mustafën kryeministër dhe Hashim Thaçin president republike pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjaga.

Qeveria LDK-PDK ishte votuar në dhjetor të 2014, ku Isa Mustafa ishte votuar për kryeministër, e Hashim Thaçi fillimisht si zëvendës i tij e ministër i Jashtëm, derisa i erdhi koha për presidencë.

Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi pas arritjes së marrëveshjes për koalicion

Mustafa nuk kishte votuar nga disa deputetë të partisë së tij për shkak të koalicionit me LDK-në. Një nga deputetët e revoltuar që nuk ia kishte dhënë besimin Mustafës, ishte Vjosa Osmani, e cila 5 vite më vonë do të bëhej kandidate për kryeministre nga LDK.

Koalicioni mes PDK e LDK-së që “shitej” me arsyetimet se janë bërë bashkë për cështje të mëdha, dështoi ta ratifikonte marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe ballafaqimi me opozitën e asaj kohë, VAN ishte pothuajse i përditshëm.

Ky koalicion mbeti gjallë për rreth 2 vite e gjysmë, derisa PDK vendosi mos ta mbështesë Isa Mustafën, duke e quajtur “frikacak”, se s’po merr vendime të mëdha.

Në maj të 2017 u votua për rrëzimin e Qeverisë, në qershor vend shkoi në zgjedhje. Përsëri të parakohshme.

Koalicioni 2017

Zgjedhjet e 2017 dallojnë në strukturë e në organizim nga pothuajse të gjitha zgjedhjet e tjera.

Për herë të parë dhe të vetme deri më tani ishin krijuar blloqe të mëdha të koalicioneve parazgjedhore.

Kadri Veseli, që po udhëhiqte për herë të parë PDK në zgjedhje kishte hequr dorë nga posti i kryeministrit, ndonëse kishte filluar fushatën muaj më herët. PDK ia kishte ofertuar postin e Kryeministrit Ramush Haradinajt. PDK, AAK dhe Nisma kishin krijuar koalicionin PAN, pak minuta para se të mbyllej afati për aplikimin e koalicioneve.

Këtij koalicioni të madh, i kishte prirë një koalicion tjetër që ishte bërë disa orë më herët mes LDK-AKR-së dhe Alternativës.

Vetëvendosje kishte vendosur t’i hyjë garës e vetme.

Në fund, PAN doli fituese, por vështirë të krijonte koalicionin. I duheshin edhe disa vota. Në fund ishte Behgjet Pacolli, i cili bashkë me deputetët e tij dolën nga koalicioni me LDK-në dhe mbështetën Ramush Haradinajn për kryeministër. Kjo mbështetje i dha shpërblime të shumta Pacollit dhe partisë së tij.

Ato morën disa ministri për t’i drejtuar, ndonëse kishin vetëm 2 deputetë pastaj, pasi që Korab Sejdiu ishte dorëhequr nga AKR, menjëherë pasi Pacolli vendosi ta mbështes Qeverinë. Ndonëse kishte pasur 4 deputetë, shkuarja e Pacolli në ekzekutiv, e kishte lënë partinë e tij vetëm me kushëririn Islam Pacolli dhe folk-këngëtarin Labinot Tahiri, i cili në fund të mandatit kaloi në AAK.

Kjo qeveri e dërgoi vendin në zgjedhje, pasi u dorëhiq. Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit më 19 korrik të 2019, me arsyetimin se kishte marrë ftesë për të intervistuar nga prokuroria speciale e Dhomave të Specializuara.

Koalicioni i mundshëm 2019

Në zgjedhjet e 2019, partitë i hyrën garës të vetme, pa eksperimente të bashkëpunimeve parazgjedhore, ndonëse pati tentativa deri në orët e fundit të afatit.

LDK dhe Vetëvendosje kishin diskutuar me muaj për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor, mirëpo nuk ishin pajtuar për postin e kandidatit për kryeministër. Vetëvendosje e donte Albin Kurtin kandidat ndërsa LDK-ja, Vjosa Osmanin.

Në fund, palët nuk u pajtuarn dhe si rjedhojë pati garë ku të gjitha partitë hynë të vetme në zgjedhje, me partnerët e vegjël tradicionalë.

Rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit ende nuk janë certifikuar, mirëpo sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Vetëvendosje ka dalë partia e parë me rreth 5 mijë vota më shumë se LDK, që kanë dalë dy të parët.

PDK e AAK kanë mbetur mbrapa, në vendin e tretë, respektivisht në të katërtin, PDK me 21.2 % derisa AAK që hyri në koalicion parazgjedhor me dikur të pakënaqurit e VV, PSD, mori 11.57%.

Ndërsa Pacolli që kishte qenë determinuesi kryesor për formimin e Qeverisë, në 2017, nuk 2019 ndonëse është bërë bashkë me NISMA-n, që gjithashtu ishte në Qeveri, janë duke rrezikuar seriozisht kalimin e pragut dhe të mbesin jashtë institucioneve.

Albin Kurti, që sipas rezultateve preliminare është fituesi i zgjedhjeve, ka bërë të ditur se në rast të mos arritjes së koalicionit me LDK-në, ai është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të reja, duke përjashtuar kështu bashkëpunimet me partitë e tjera.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa Foto: Haki Abazi FB

Në anën tjetër, edhe LDK është treguar e gatshme për një bashkëpunim me VV, mirëpo ata po presin certifikimin e rezultateve.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se në parim janë për një bashkëpunim me LDK-në.

Zgjedhjet e këtij viti e dërgojnë PDK-në në opozitë pas 12 viteve. Kryetari Kadri Veseli pak orë pas përfundimit të procesit njoftoi se partia që ai e drejton do të shkojë në opozitë.

KQZ pritet që ditëve në vazhdim të përfundojë me numërimin e votave me kusht dhe atyre të diasporës, para se t’i certifikojë rezultatet.